Qeveria shton afro 20 milionë euro për rrugën e Arbërit

774
Segmenti qafa e Buallit deri tek ura e Vashës, pjesë e rrugës së Arbërit. Foto: Sami Curri

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur dy procedura të tjera tenderuese lidhur me rrugën e Arbërit. Konkretisht ajo për sistemimin dhe rivitalizimin e skarpateve në Planin e Bardhë me një vlerë të fondit limit prej 1,170,234,457 lekë ose 10,025,997 euro pa TVSH – sistemimin dhe rivitalizimin e skarpateve në Shkallën e Tujanit me një vlerë limit prej 1,124,815,834 lekë ose 9,636,873 euro pa TVSH.

Në total, bashkë me kontratat e supervizimit për këto tendera, kap një vlerë prej afro 20 milionë euro.

Në termat e referencës për këto dy tendra, thuhet se koha e nevojshme për përfundimin e punimeve është katër muaj nga data e lidhjes së kontratës. Data e mbylljes së tenderit është 24 tetor 2022. Këto dy segmente kanë përfunduar së ndërtuari që në vitin 2013-të, por prej afro 10 vitesh u lan të degradonin. Në kontratën koncesionare për ndërtimin e rrugës, fillimisht këto dy segmente kanë qenë në listën ku do të duhej të investohej nga kompania “Gjoka”.

Në njoftimet fillestare të qeverisë, rruga e Arbërit një projekt koncesionar pritej t’u kushtonte taksapaguesve rreth 40 miliardë lekë ose 330 milionë euro. Por me ndryshimet e fundit, vlera për ndërtimin e rrugës së Arbërit do të shkojë në 350 milionë euro.

Sipas kontratës koncesioare ndërtimi i rrugës duhet të mbaronte në prill të vitit 2022, por ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku njoftoi zgjatjen e afatit të përfundimit të rrugës së Arbërit me 17 muaj, thuajse dy vjet pas marrjes së këtij vendimi. Ndërtimi i saj është përdorur si një kalë beteje elektoralesh në qarkun e Dibrës prej vitit 2013. Pavarësisht problemeve në disa segmente, rruga është funksionale nëpërmjet bypassit të Qafës së Murrizit, në një lartësi mbi 1000 metra, ku kalohet me vështirësi kryesisht në dimër.