Qarku i Dibrës ka pasur një zhvillim të moderuar në sektorin e ndërmarrjeve gjatë pesë viteve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve aktive ka pësuar një rënie të lehtë prej 1.6%, duke zbritur nga 2,258 në vitin 2019 në 2,221 në vitin 2023. Ky trend negativ është kryesisht i shkaktuar nga rënia në sektorin e shërbimeve, i cili u zvogëlua me 2.4%, ndërsa në të njëjtën kohë, prodhimi i të mirave pati një rritje të lehtë prej 1.6%.
Një analizë më e thellë tregon se zhvillimi ekonomik në qark ka qenë i pabarabartë midis bashkive. Dibra si qendra administrative e qarkut, ka pasur performancë relativisht të mirë me rritje në numrin e përgjithshëm të ndërmarrjeve, ndërsa të tjerat, si Bulqiza dhe Mati, kanë pasur rënie të konsiderueshme. Ky fenomen mund të shoqërohet me faktorë të ndryshëm ekonomikë dhe demografikë, si migrimi i popullsisë, ndryshimet në strukturën ekonomike lokale dhe ndikimi i politikave të qeverisjes vendore.

Në kuadrin e statistikave ekonomike, prodhuesit e të mirave dhe prodhuesit e shërbimeve përbëjnë dy kategori themelore të veprimtarive ekonomike me karakteristika të ndryshme. Prodhuesit e të mirave janë ata subjekte ekonomike të cilët krijojnë produkte të prekshme përmes proceseve të prodhimit industrial, bujqësor etj. Prodhuesit e shërbimeve përfaqësojnë ato njësi ekonomike të cilat ofrojnë vlerë të paprekshme. Ky sektor përfshin një spektër të gjerë aktivitetesh, duke filluar nga tregtia me pakicë dhe shërbimet hoteliere, deri te shërbimet profesionale si konsulencat.
Në vitet e fundit, qeveria ka propaganduar si një fokus të veçantë nxitjen e turizmit si motor të rritjes ekonomike, duke e shpallur Dibrën një nga zonat me potencial turistik për shkak të pasurisë natyrore dhe trashëgimisë kulturore. Megjithatë, të dhënat e regjistruara të ndërmarrjeve nuk reflektojnë një rritje të dukshme në këtë sektor.
Ekonomia informale përbën një sfidë të madhe për vlerësimin e saktë të zhvillimit ekonomik në qarkun e Dibrës, veçanërisht në sektorin e turizmit. Një numër i konsiderueshëm aktivitetesh turistike — si bujtinat, guidat lokale apo njësitë e vogla të shërbimit — operojnë pa u regjistruar në organet tatimore, duke shmangur plotësisht detyrimet ligjore dhe duke mos u reflektuar në statistikat zyrtare. Edhe në rastet kur këto biznese janë të regjistruara, shpesh deklarojnë të ardhura më të ulëta nga realiteti dhe fshehin numrin real të punonjësve që angazhojnë, çka krijon një panoramë të deformuar të punësimit dhe prodhimit lokal. Kjo situatë rëndohet më tej nga fakti se disa prej këtyre bizneseve kanë përfituar grante nga programet qeveritare për nxitjen e turizmit rural dhe zhvillimit lokal, duke u bërë pjesë e një skeme ku mbështetja publike nuk shoqërohet me transparencë dhe përgjegjësi fiskale.
Në vitin 2019, bashkia Bulqizw kishte 587 ndërmarrje aktive, ndërsa në vitin 2023 ky numër u ul në 556, duke përfshirë një rënie prej 5.3%. Sektori i shërbimeve ishte më i prekshmi nga kjo rënie, me një ulje prej 31 ndërmarrjesh, ndërsa prodhimi i të mirave mbeti relativisht stabil me 154 ndërmarrje në të dy vitet e krahasuara. Kjo tregon një dobësim të sektorit të tregtisë dhe shërbimeve në rajon, ndërsa aktivitetet prodhuese kanë arritur të ruajnë pozicionin e tyre.
Bashkia Dibër
Në kontrast me Bulqizën, Bashkia Dibër ka regjistruar një rritje të qëndrueshme në numrin e ndërmarrjeve. Në vitin 2019 kishte 923 ndërmarrje, ndërsa në vitin 2023 ky numër u rrit në 990, duke përfshirë një rritje prej 7.3%. Të dy sektorët, si prodhimi i të mirave ashtu edhe shërbimet, treguan rritje, me përkatësisht 9 dhe 58 ndërmarrje të reja. Kjo tregon një ekonomi më dinamike dhe të shëndoshë në këtë bashki, me mundësi më të mira për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës.
Bashkia Klos
Klosi ka pasur një zhvillim më të kufizuar. Numri i përgjithshëm i ndërmarrjeve u ul nga 154 në vitin 2019 në 133 në vitin 2023, duke përfshirë një rënie prej 13.6%. Sektori i shërbimeve pësoi rënien më të madhe me 24 ndërmarrje më pak, ndërsa prodhimi i të mirave tregoi një rritje të lehtë prej 3 ndërmarrjesh. Ky është një tregues i problemit që përballet ky rajon me ruajtjen e bizneseve të vogla dhe shërbimeve, ndërkohë që ka një potencial të caktuar për rritje në sektorin prodhues.
Bashkia Mat
Mati ka pasur një rënie të konsiderueshme në numrin e ndërmarrjeve, duke zbritur nga 594 në vitin 2019 në 542 në vitin 2023, një rënie prej 8.8%. Sektori i shërbimeve ishte përsëri më i prekshmi me një ulje prej 47 ndërmarrjesh, ndërsa prodhimi i të mirave u ul me 5 ndërmarrje. Kjo tregon një tendencë negative të përgjithshme në ekonominë lokale, me nevojë për intervenime për të stimuluar bizneset dhe të rivitalizuar sektorin e shërbimeve.













