Punimet në rrugën e fshatit Dragu të Bulqizës ecin me hapin e breshkës – 7 muaj zvarritje për 1.2 km asfalt

1043

Punimet për sistemimin dhe asfaltimin e rrugës që lidh fshatin Vajkal me qendrën e fshatit Dragu në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, po ecin me hapin e breshkës. Edhe pse në procedurën tenderuese parashikohej përmbyllja e punimeve brenda 56 ditëve, rruga ende nuk është asfaltuar, duke sjellë vështirësi në qarkullimin e përditshëm të banorëve të zonës.

Procedura e prokurimit për këtë projekt u hap më 8 tetor 2024, dhe fituesi i tenderit u shpall më 2 dhjetor 2024. Kompania “Radika” rezultoi fituese me një ofertë prej 12.697.771 lekë pa TVSH, afërsisht 130 mijë euro. Nga monitorimi në terren rezulton se është përfunduar e gjithë traseja e rrugës si dhe disa nga veprat e artit, përfshirë një urë dhe disa segmente muresh mbajtëse. Megjithatë mbetet e pa përfunduar shtresa asfaltike e rrugës.

Sipas të dhënave të përfshira në dokumentacionin teknik të projektit, rruga e planifikuar ka një gjatësi totale prej 1.2 km dhe ndjek trasenë ekzistuese. Rruga është projektuar si kategori F dhe klasifikohet si rrugë lokale me një gjërsi prej 5 metrash dhe shtresë asfaltimi prej 3 metrash. Projekti përfshin ndërtimin e shtresave rrugore si nënbaza me zhavorr, baza me stabilizant dhe shtresa asfaltike të përbëra nga 5 cm binder dhe 3 cm asfaltobeton. Gjithashtu, është parashikuar sinjalistika horizontale dhe vertikale në zonat e banuara dhe pranë shkollës. [Kliko këtu për të parë projektin e plotë]

Lidhur me vonesat e zbatimit të projektit si dhe për të sqaruar situatën, Bulqizaime.al ju drejtua në rrugë elektronike kompanisë “Radika” që po zbaton punimet, ashtu edhe Bashkisë Bulqizë si investitore e këtij projekti. Pyetjet janë adresuar lidhur me arsyet e vonesës dhe një afat të mundshëm për përfundimin e punimeve. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, asnjë përgjigje zyrtare nuk është marrë nga palët e kontaktuara.