“Punë pa të drejta”, Shqipëria dështon në garantimin e kushteve minimale për punëtorët

619
Zona mineral-mbajtëse D në Bulqizë. Foto: Bulqizaime.al

Shqipëria renditet sërish në grupin e vendeve me shkelje sistematike të të drejtave të punëtorëve, sipas Indeksit Global të të Drejtave të Punës për vitin 2025, të publikuar nga Konfederata Ndërkombëtare e Sindikatave (ITUC). Vendi mbetet në kategorinë 3 nga 5, që nënkupton se ligji mund të njohë disa të drejta, por në praktikë punëtorët përballen me pengesa të rënda për t’i ushtruar ato.

Ky klasifikim është një tregues se pavarësisht përparimeve të pretenduara në legjislacionin e punës dhe integrimit në strukturat europiane, Shqipëria nuk arrin të sigurojë një ambient të lirë dhe të drejtë për sindikalizëm, greva dhe mbrojtje kolektive. Raporti vë në dukje se shkeljet përfshijnë ndërhyrjen në organizatat sindikale, diskriminimin ndaj aktivistëve të punës, dhe mungesën e respektimit të vendimeve gjyqësore për të drejtat e punëtorëve.

Në Bulqizë, shkeljet e të drejtave të punëtorëve në industrinë minerare kanë qenë në qendër të vëmendjes, veçanërisht pas përpjekjeve për organizim sindikal. Një rast i ndërhyrje u shënua në vitin 2019-të, kur disa minatorë u shkarkuan nga puna pasi morën pjesë në krijimin e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Në atë kohë shkarkimet u kritikuan nga organizata vendase dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat i cilësuan ato si përpjekje për të shtypur zërin e punëtorëve dhe për të ndaluar veprimtarinë sindikale në një sektor me rrezikshmëri të lartë dhe paga të ulëta.

Kjo protestë dhe krijimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, përfaqësonin përpjekjen e fundit të organizuar dhe me përfaqësi sindikale. Pavarësisht mbështetjes fillestare nga punëtorët, presioni nga kompania koncesionare Albchrome, në atë kohë nën pronësinë e biznesmenit, Samir Mane dhe mungesës së mbrojtjes institucionale, çuan në shuarjen graduale të kësaj lëvizjeje. Pas kësaj proteste nuk është regjistruar më asnjë përpjekje e ngjashme me strukturë të organizuar sindikale në Bulqizë.

Sot sektori minerar në Bulqizë po përballet me mungesë të theksuar të fuqisë punëtore, një situatë që vjen si pasojë e largimit masiv të të rinjve nga vendi në kërkim të kushteve më të mira jetese dhe pune. Kompanitë që operojnë në këtë sektor, përballë vështirësive për të gjetur punëtorë të rinj, po detyrohen të mbajnë në punë edhe minatorë që kanë kaluar moshën e pensionit, e cila për këtë kategori është 55 vjeç.

Në nivel global, ITUC paralajmëron se liria për të protestuar, për grevë dhe për t’u organizuar në sindikata është nën kërcënim të paprecedentë. Vetëm 7 vende në botë – krahasuar me 18 një dekadë më parë – klasifikohen si vende që respektojnë plotësisht të drejtat e punëtorëve, një shifër që dëshmon për një rënie alarmante të standardeve në të gjithë globin. Në Evropë, vendet me demokraci të konsoliduara po përjetojnë gjithashtu prapambetje, me masa shtypëse ndaj sindikatave, ndjekje penale të udhëheqësve sindikalë dhe kufizime të rënda ndaj të drejtës për grevë.

Në këtë kontekst, Shqipëria pasqyron tendencën e përkeqësimit, me raporte të vazhdueshme për pushime nga puna të aktivistëve sindikalë, kontroll politik mbi organizatat e punës dhe pengesa të shumta në regjistrimin dhe funksionimin e sindikatave të reja. Praktikat e ashtuquajtura “sindikata të verdha”, ku punëdhënësit krijojnë struktura fiktive për të sabotuar organizimin e pavarur të punëtorëve, janë gjithashtu një shqetësim në rritje.

Raporti thekson gjithashtu pasivitetin e institucioneve shtetërore në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, duke përfshirë dështimin për të hetuar shkeljet, për të ndëshkuar punëdhënësit abuzivë apo për të garantuar zbatimin efektiv të ligjit të punës. Një tjetër aspekt shqetësues është mungesa e transparencës dhe përfshirjes së sindikatave në vendimmarrjet politike që prekin drejtpërdrejt marrëdhëniet e punës.

Në këtë klimë, punëtorët në Shqipëri mbeten të pambrojtur, të izoluar dhe pa zë në proceset vendimmarrëse. Sindikatat, që në vende të tjera përfaqësojnë një shtyllë të demokracisë funksionale, në shumë raste në Shqipëri janë të dobësuara, të margjinalizuara ose të instrumentalizuara.