Pse mungon një nga “Nandë Malet” e Dibrës në Memorialin e Gjoricës

177
Gjatë inagurimit të përmendores më 28 nëntor 2022 në Gjoricë nga kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla dhe bashkë me Kryetaren e Këshillit të Qarkut Dibër, znj.Valentina Haliti. Foto: Bashkia Bulqizë

Injorimi i historisësë të një zone si ajo e Muhurrit që i ka dhënë kombit heronj dhe personalitete të shquara, si gjeneralët e Skëndërbeut, Nikollë e Dhimitër Berisha e deri tek mendimtari e prijësi popullor Dine Hoxha, një nga këshilltarët më të afërt të Mbretit Zog, përbën një akt absurd të realizuesve dhe promovuesve të Memorialit të Gjoricës

Përjetësimi i historisë në vepra arti gjithnjë ka patur pritshmëri të lartë nga publiku. Kjo, gjithnjë kur ato kanë pasqyryar realisht lufrat heroike për liri e pavarësi të popullit tonë në shekuj, një prej të cilave, siç dihet është edhe Lufta e Gjoricës e Korrikut 1844 kundër ekspeditës turke të komanduar nga Hajredin Pasha.

Për vetë qëndresën heroike dhe masive, heronjtë, dëshmorët, terrenin, motin dhe gjithçka tjetër, ajo betejë e pagëzuar me emrin “Lufta e Gjoricës” ose “Lufta kundër Hajredin Pashës”, është cilësuar nga historianët si ndër më të egrat, më të përgjakshmet, më të pabarabartat në historinë e popullit tonë, afro 400 vjet pas vdekjes së Skëndebeut. Kësaj beteje të lavdishme të kryengritësve dibranë, siç dihet i parapriu Kuvendi i Nandë Maleve të Dibrës.

Nuk do të ishim marrë shumë me faktet e pamohura historike, nëse 179 vjet më vonë, autoritetet lokale të Dibrës do të inauguronin bujshëm në Gjoricë memorialin me titullin “NËNTË MALET E DIBRËS”, ku çuditërisht në të shkruhet se malet ishin: Çidhën, Luzni, Katër-Grykë, Gryka e Madhe, Gryka e Vogël, Mali i Reçit, Mali i Dardhës dhe Bulqiza (edhe kjo renditje, jo sipas asaj të pasqyruar në dhjetra libra të historisë së Dibrës). Pra dalin 8 dhe jo 9 Male, duke u lënë jashtë Mali i Muhurrit.

Për të qenë të saktë, autorëve të këtij memoriali si dhe autoriteteve lokale të Dibrës që e kanë miratuar dhe promovuar atë, do t’ju mjafonte qoftë edhe referenca nga “Historia e Dibrës” e historianit të mirënjohur Kristo Frashëri, botuar 10 vjet më parë nga Shtëpia Botuese “M&B” në bashkëpunim me bashkinë Peshkopi.

Mbështetur në veprën “Dibra në udhën e historisë” të etnografit të mirënjohur dibran Hazis Ndreu-Nderi i Kombit,historiani K. Frshëri, ndër të tjera, shkruan se: “Sipas traditës gojore, Kuvendin e Gjoricës e kryesoi Sheh Mustafa Zerqani.Në të morën pjesë krerët e ‘Nëntë Maleve’. Ndër pjesëmarrësit e Kuvendit kanë arritur në ditët tona nëpërmjet këngëve popullore vetëm emrat e pesë krerëve – ato të Cen Lekës dhe Salë Markes nga Gryka e Vogël, Ismail Kaloshi Nga Çidhna, Nel Hoxhës dhe Abaz Purës nga Muhurri”. (Fq.218). Më pas po në këtë faqe renditen krerët e Nëntë Maleve, sipas pleqësive, ndër të cilët, të dytët janë Pleqtë e Muhurrit: Zejnel Hoxha (Hurdhë), Mustafa Lala (Shqath), Ibrahim Kaleshi (Vaimadh), Demir Lleshi (Bulaç), Josuf Lika (Shqath). Ndërsa përsa i përket pjesëmarrjes në Luftën e Gjoricës kundër forcave turke të Hajredin Pashës, historiani Kristo Frashëri shkruan se: “Forcat e Luznisë, Muhurrit dhe Çidhnës, bashkë me forcat e maleve të tjerë, u vendosën pjesërisht në Gjoricë dhe pjesërisht në Veri të saj, me detyrë kryesore për të penguar kalimin e ushtrive turke nëpër Urën e Topojanit.”.

Për pjesëmarrjen aktive të Muhurrit në Nandë Malet e Dibrës kanë shkruar me fakte edhe historianët e studjuesit e mirënjohur dibranë Moisi Murra, Fatos Daci, Sakip Cami (edhe unë librin “Muhurri, histori dhe psonalitete”) etj.

Për praninë e Muhurrit si Mal në Nëntë Malet e Dibrës, realizuesit dhe promovuesit e Memorialit të Gjoricës, para se ta inauguronin atë, për të qenë sa më të saktë, mund t’i referoheshin hartës së publikuar në faqen 187 të librit të Prof. Kristo Frashërit “Historia e Dibrës”.

Nëse për motivacionin e memorialit realizuesit dhe propovuesit e tij i jane referuar librit “Enciklopedia e Dibrës”, të studjuesit të mirënjohur, Fatos Daci – Mjeshtër i Madh (autor i më shumë se 60 librave),qoftë dhe me një vëstrim të përciptë të kësaj enciklopedie, pa shumë vështirësi do të kishin mësuar edhe për renditjen e Nandë Maleve të Dibrës, ku padyshim, Muhurri vjen i katërti, pas Reçit, Dardhës e Çidhnës.

Reagimi i elitës dibrane: Një përmendore me debat

Studjuesi dhe historiani i mirënjohur Haki Pernezha, duke e konsideruar këtë “Një përmendore me debat”. Kjo sipas tij, për faktin se kur ta shohësh më në hollësi, me keqardhje dallon, të paktën ngutje në “kompozimin” e pllakatës së vendosur në këtë përmendore. Ndër të tjera ai evidenton faktin se «Në pjesën ku renditen Malet mungon Muhurri. Kjo s’duhej të ndodhte. Përveç gabimit me Muhurrin, mendoj se edhe renditja e bërë është ndryshe nga çfarë jemi mësuar të dëgjojmë nga populli a të lexojmë. Zakonisht kur numërohen Malet respektohet vendndodhja e tyre dhe përmenden me radhë nga Reçi deri në Bulqizë ose anasjelltas.»

Një përmendje e tillë, pa «rend» gjeografik, sipas tij krijon debate të panevojshme. Po ashtu, për faktin se në pllakatë, për Malet shkruhet se ato ishin forma organizimi shtetrore…, Pernezha argumenton se kjo thënie bie ndesh me qëllimin dhe funksionin e Maleve (apo Krahinave) të Dibrës. Pra, Malet e Dibrës nuk ishin forma shtetërore, por ishin një realitet që Perandoria Osmane u detyrua t’i njohë me kohë.

Për mungesën e e malit të Muhurrit në këtë përmendore ka reaguar ashpër dhe Ing. Ylber Cami nga Gjorica. «Si banor i Gjoricës, vendit ku u zhvillua beteja më heroike e Dibranëve, ju kërkoj falje banorëve të Muhurrit, që në këtë pllakë nuk janë të përfaqësuar. Si dhe është tallje për mua dhe të gjithë Gjoricarët që në atë pllakë nuk është as emri i Gjoricës. Por, jua jap fjalën dhe besën që atë pllakë do ta ndërtojmë më gjigante që të përfaqësojmë denjësisht të nëntë malet dhe të gjithë dibranët e rënë në fushë betejë për të mbrojtur vatanin »,-shkruan Ylber Cami në rrjetet sociale. Ndërkohë sipas tij «Është fyerje e rëndë e heroit tonë kombëtar që të vendosësh “yllin”mbi shqiponjën e Skëndërbeut, ndërkohë që duhet të jetë përkrenarja e Skënderbeut. Ne duhet të jemi të parët që duhet ta ruajmë dhe trashëgojmë ». Ndaj këtij akti të turpshëm ka reaguar edhe sttudjuesi i mirëfillë i historisë së kësaj treve Bashkim Lami, njëherësh kryetar i Shoqatës Atdhetare Kulturore «Bulqiza»

Nisur nga sa më sipër, gjithkush mund të mendojë se përjashtimi i Muhurrit nga “NANDË MALET E DIBRËS”, në memorialin e Gjoricës përbën shtrembërim (në mos fallsifikim) të qëllimshëm të historisë. Pikërisht, për të ndriçuar këtë të vërtetë të pamohueshme historike, por rendisim disa fakte që e ngrenë Muhurin në peidestalin qëi takon.

Memoriali në Gjoricë “Nandë Malet e Dibrës”. Foto: Bulqizaime.al

Shpirti liridashës i muhurrakëve…

Shpirti liridashës i muhurrakëve është manifestuar në ngjarjet më kulmore të Historisë së Dibrës e të gjithë Shqipërisë. Parë në kontekstin historik, historia e kësaj krahine është pjesë e qënësishme e historisë së krejt Dibrës. Duke nisur që nga pushtimi turk, ashtu si Malësia e Dibrës ose “Nandë Malet e Dibrës” edhe Muhurri si njëri prej këtyre maleve nuk i është nënshtuar këtij sundimi.

“Në Malësinë e Dibrës (Nandë Malet) hynin: Reçi, Dardha, Çidhna, Muhurri dhe Luznia në Dibër të Poshtme dhe Gryka e Vogël, Gryka e Madhe, Bulqiza, Katër Grykët në Dibër të Epërme. Por sipas historianit Moisi Murra: “Gjithashtu është quajtur Malësi, d.m.th., hynin në ‘Nandë Malet e Dibrës’ dhe katundet e Gollobordës Përëndimore (Okshtun, Prodan, Zabzun, Sebisht, Borovë, Muglicë, Llangë). (“Dibra nga Antikiteti në Monarki”, Mosi Murra – fq.87).

Në shkurt të vitit 1833 kryengritësit e Çidhnës, nën udhëheqjen e Vesel Lushës, Sali Nokës e Ali Tafës refuzuan me forcë regjistrimin e ushtarëvë nizamë….Brenda një kohe të shkurtër kryengritja u shtri në Çidhën, në Dardhë, Muhurr, Luzni, në Grykë të Vogël e Bulqizë”. (P.Thëngjilli – “Kryengritjet popullore kundër osmane në Shqipëri, 1833-1839”) fq. 127-128, Tiranë 1981).

Një autor anonim, në vitin 1866 ka shkruar: “Nandë Malet Dibrës, apo Malësia e Dibrës paraqet thelbin e vërtetë shoqëror të Gegërisë. Atje gjenden të ruajtura doket e vjetra shqiptare, si dhe Kodi i pashkruar i Skënderbeut, i bartur brez pas brezi, gjer në ditët e sotme me dlirësinë e tij të lashtë”. Këtë e dëshmojnë edhe studimet e historianit e studiuesit të mirëfilltë të historisë, Xhemal Berisha, kur ai argumenton domosdoshmërinë e bashkimit të disa krahinave në Shqipërinë Veriore, duke krijuar një njësi specifike që u quajt “Mal”.

Burimet turke thonë se Malet e Dibrës janë njohur e kanë vepruar me këtë emër që në kohën e Skënderbeut. Feti Pasha, sociolog, politikan, diplomat turk, ka shkruar: “Nëntë Malet e Dibrës së Poshtme dhe të Epërme formojnë atë krahinë, si të thuash klasike, roli i së cilës ka ushtruar gjithmonë ndikim të madh jo vetëm në problemet (punët) shqiptare, por dhe në ata ballkanike. Skënderbeu, falë Dibrës mundi të konsolidojë pushtetin e vet duke përballuar për 24 vjet ushtritë tona. Midis tij dhe gjeneralëve tanë, përfundimi i luftimeve varej gjithmonë nga mposhtja e ‘Nandë Maleve’ të dy Dibrave. Atje është zemra e Shqipërisë. Porta e vërtetë e Shqipërisë është kurdoherë atje”. Do të mjaftonte qoftë dhe vetëm ky perifrazim për ta bërë çdo muhurrak të ndjehet krenar me historinë e lavdishme të Muhurrit si pjesë e Nandë Maleve të Dibrës. Kjo edhe për faktin se për nga rëndësia e madhështia, përfaqësimi i Muhurrit në Kuvendet dhe betejat e Maleve të Dibrës, është pika më e shndritshme në historinë e tij.

Nezir Lleshi i Muhurrit, në gardën e Ali Pashë Tepelenës

Në korrikun e vitit 1812, në Dibër u përqëndruan forcat e koalicionit të Pashait të Janinës nga njëra anë dhe ata të beut të Dibrës nga ana tjetër. “Ali Pashë Tepelena, i gjendur para presionit të Portës së Lartë dhe forcave të bashkuara të pashallarëve gegë, të viseve verilindore, u detyrua të tërhiqet. Në traditën gojore thuhet se në fshatin Moravisht (sot administrohet nga Shkupi) plasën pushkët e para. Në një kullë të tipit kala qëndronte kapedan Kondesha (Konesha) nga Çidhna e Dibrës së Poshtme, me 15 veta (mes të cilëve edhe Nezir Lleshi nga Muhurri), i cili bëri qëndresë të fortë, por më së fundi u vra bashkë me disa prej luftëtarëve të tij…” (Stavri N.Naçi, “Pashallëku i Shkodrës”, fq.116, Tiranë 1986.)

“Pavarësisht humbjes që pësoi në Dibër, Ali Pasha i kishte vlerësuar dibranët për urtësinë, burrërinë, besën dhe trimërinë, prandaj bëri përpjekje dhe afroi afër vetes shumë krerë të Dibrës si: Mete Demën e Homeshit, Demir Lushën e Çidhnës, Cen Lekën dhe Has Kajën e Zogje, Dalip Karajn e Bulqizës, Nezir Lleshin e Muhurrit, etj. Në gardën e Pashait të Janinës shërbyen me forcat e tyre shumë dibranë e matjanë”. (H.Stërmilli, “Dibra në prag të historisë”, dorëshkrim, 1940, fq.15.)

“Në vitin 1872, Malet e Dibrës lidhën besë për të luftuar kundër turqve osmanë. Luftimet në Kastriot, Sllovë. Muhurr, Zogjej e Bulqizë u shkaktuan dëme të mëdha forcave të ushtrisë turke të Demir Pashës që erdhën për të shtypur kryengritjen në Muhurr”. (Fatos Daci, “Kuvendet e Dibrës, parlamente demokratike të kohës”).

Malet, si njësi administrative vetëqeverisëse, ashtu si dhe bajraqet në disa pjesë të vendit (edhe në Lurë), lindën në shekullin XVII. Malet kishin edhe krahun e vet të armatosur për rast lufte, dhe kur jepej kushtrimi për luftë kundër pushtuesit, mobilizimi bëhej “burrë për shtëpi” ose “burrë për pushkë”. Vendimet merreshin në Kuvendin e Malit, ku caktohej edhe komandanti ushtarak dhe shtabi i luftës.

Nandë Malet e Dibrës, një “shtet” brenda shtetit

Ashtu si në vitet 1800 të shekullit XIX, kur Malet e Dibrës u riorganizuan dhe, të mbështetur në forcat e veta, u bënë një “shtet” brenda shtetit, aq sa Stambolli nisi t’i konsideronte si Mbretëri, ato qëndruan të bashkuara edhe në kohët e mëpastajme. (Moisi Murra, “Dibra nga Antikiteti në Monarki”, fq.92.). Sipas historianit të mirënjohur M.Murra, “E gjithë veprimtaria e Maleve të Dibrës mbështetej në ‘institucionin” e besës, institucion i cili, në Kuvendin e Dheut përfaqësohej nga pleqtë që formonin pleqësinë dhe nga të parët që formonin parinë”.

Më tej, në faqen 93 të librit “Dibra nga Antikiteti në Monarki”, Moisi Murra shkruan se ajo që u dha emër Maleve të Dibrës dhe që pranohet njëzëri nga të gjithë studiuesit, ka qenë bashkimi i tyre në luftën kundër Hajredin Pashës më 1844. Në këtë vepër dinjitoze, për herë të parë gjejmë përfaqësimin e Muhurrit nga Kurt Hoxha e Tahir Abazi në Kuvendin e Nandë Maleve të Dibrës, të thirrur në maj 1910 nga Mersim Dema tek Gropa e Ukut, në perëndim të katundit Boçevë, ku u vendos t’i përgjigjeshin me kryengritje të armatosur ekspeditës famëkeqe të Tërgut Pashës. Po ashtu, Kurt Hoxha, si edhe Halil Kaloshi e Jusuf Bej Karahasani do të ishin në mbështetje të vendimeve të Kuvendit të Maleve të Dibrës, të thirrur nga Mersim Dema në pranverën e vitit 1912 te Gurra e Mazhicës për ringjalljen edhe njëherë të kuvendeve tradicionale të maleve.

Krerët e Maleve janë mbledhur në disa vende si: në Fushë të Gjoricës dhe në Mej të Kalasë (Homesh) më 1844, në Livadhet e Bllacës së Epërme dhe Guri i Shpu më 1855, në Gjurrë të Mazhicës, qershor 1855 dhe maj 1910, në Vorret e Kishavecit më 1872, në Ferrë të Pashës më 1875, në Vorret e Shupenzës më 1909, tek Plepi i Egër më 1912, tek xhamia e Arrasit më 1920 dhe tek Ura e Topojanit më 1924. Muhurri ka patur përfaqësim dinjitoz në këto kuvende dhe ka mbështetur e zbatuar vendimet e tyre për luftë kundër pushtuesve turq, serbё e austro-hungarezë.

“Në Kuvendin tek Guri i Shpu, në Fushë të Shehrit më 1855, Muhurri u përfaqësua nga Zenel Hoxha, Mustafa Lala e Jusuf Lika, Ibrahim Kaleshi e Demir Lleshi”. (Munir Shehu, “Dibra në vitet 1840-1860, sipas të dhënave gojore dhe folklorit, dorëshkrim, fq.20).

“Nandë Malet e Dibrës – shkruan Moisi Murra – kanë luajtur një rol të rëndësishëm, përcaktues, në mbrojtje të qënies kombëtare. Pa mëdyshje, ata u bënë një ‘shtet’ brenda shtetit në Perandorinë më të fuqishme të kohës, Perandorinë Osmane. Dhe kjo nuk ishte pak”. (libri “Dibra nga Antikiteti në Monarki”, fq.97.)

Për herë të fundit Malet i gjejmë unikë në Kuvendin e Arrasit, 13 gusht 1920, në të cilin edhe pse pati përfaqësues të qeverisë shqiptare, ai pa mëdyshje qe Kuvendi i Nandë Maleve të Dibrës. Në këtë Kuvend historik Muhurri përfaqësohej nga Dine Hoxha, që falë mençurisë, trimërisë e fisnikërisë së trashëguar nga të parët (Kurt, Nel e Hazis Hoxha) dhe të përvetësuar e demostruar më së miri nga vetë ai, do të bënte emër, jo vetëm në Dibër, por në gjithë Shqipërinë. Veçanërisht me rezistencën e organizuar kundër pushtuesit serb. Kjo luftë ka vendin e saj në histori, një histori betejash dhe sakrificash që shkuan deri në vetëflijime. Ajo është një luftë që u bë për lirinë e Shqipërisë dhe shërben si simbol për të gjithë shqiptarët.

Ndaj dhe elita intelektuale dhe thuajse gjithë muhurrakët kanë të drejtë të indinjohen me aktin absurd të injorimit dhe shtremërimit të historisë së një zone si ajo e Muhurrit që i ka dhënë kombit heronj dhe personalitete të shquara, si gjeneralët e Skëndërbeut Nikollë e Dhimitër Berisha e deri tek mendimtari e prijësi popullor Dine Hoxha, një nga këshilltarët më të afërt të Mbretit Zog.