Projekti për tre HEC-e në Fushë-Bulqizë, banorët “pushtojnë” Këshillin Bashkiak

670
Foto: Banorët në sallë e Këshillit Bashkiak Bulqizë

Banorët e Njësisë Administrative Fushë – Bulqizë po protestojnë për ndalimin e ndërtimit të HEC-eve në këtë zonë.

Dje mbledhja e Këshillit Bashkiak Bulqizë dështoi sërish për të tretën herë, për t’u shprehur lidhur me miratimin e projekt – vendimit për heqjen nga fondi pyjor publik në Njësinë Administrative Fushë – Bulqizë, pronë e Bashkisë Bulqizë, dhe kalimin në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, duke ndryshuar kategorinë e përdorimit në funksion të ndërtimit të tre HEC-ve.

Banorët refuzojnë ndërtimin e HEC-eve që do të ketë pasoja negative në këtë zonë. Ata mbrojnë pronën e përbashkët, pyjet dhe ujin.

Shqetësimin për ndërtimin e HEC-eve e ngriti dhe deputeti Halil Jakimi seancën e së enjtes në Parlament, ku i bëri thirrje Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku që të dëgjojë shqetësimet e banorëve.

Kujtojmë që banorët kanë protestuar dhe më parë për mos transferimin e pronësisë së fondit pyjor-kullosor në fshatin Koçaj dhe Dragu, të njësisë administrative Fushë-Bulqizë, me vendim të Këshillit Bashkiak, për ndjekjen e procedurave për heqjen si pronë në varësi të bashkisë dhe kalimin në pronësi të kësaj ministrie, për t’i hapur rrugë dhënies së lejes mjedisore për ndërtimin e dy HEC-eve në këtë zonë.

Kërkesa e banorëve drejtuar Këshillit Bashkiak lidhur me projektin për ndërtimin e HEC-it “Shytaj”

KËRKESË E BANORËVE TË NJËSISË ADMINISTRATIVE FUSHË-BULQIZË, DREJTUAR KËSHILLIT BASHKIAK BULQIZË, LIDHUR ME PROJEKTIN PËR HEC “SHYTAJ”

Drejtuar: Bashkia Bulqizë
Këshilli Bashkiak Bulqizë

Subjekti: Për mos miratimin e projekt – vendimit për heqjen nga fondi pyjor publik në Njësinë Administra Fushë – Bulqizë, pronë e Bashkisë Bulqizë, në varësi të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, duke ndryshuar kategorinë e përdorimit në funksion të ndërtimit të HEC “SHYTAJ” nga shoqëria “ERIM” shpk në Bashkinë Bulqizë.”

Informacion ligjor lidhur me ndërtimin e HEC “SHYTAJ” dhe pse nuk duhet të miratohet një ndryshim i tillë pronësie:

  1. Miratimi i një Vendimi të tillë nga ana e Këshillit Bashkiak Bulqizë, është në kundërshtim të hapur me pikën 1/ç, të shtojcës II, të ligjit Nr.10440, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, “Pyllëzimi fillestar dhe shpyllëzimi për qëllimet e ndryshimit në një lloj tjetër të përdorimit të tokës, duhet t’i nënshtrohet procedurës paraprake të vlerësimit të ndikimit në mjedis”. Në rastin konkret ekziston vetëm një procedurë paraprake e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis, dhe është ajo për projektin e ndërtimit të HEC-ve, e miratuar nga VNM-jë paraprake e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. E njëjta procedurë duhet të kryhej edhe për procesin e shpyllëzimit. Përpara se Këshilli Bashkiak të marrë këtë vendim, procesi i shpyllëzimit duhet të jetë pasjisur me një VNM nga Ministria e Mjedisit për shpyllëzimin dhe jo thjesht për ndërtimin e HEC-it. Kjo VNM mungon, si rezultat në bazë të nenit 108/a/ii, të K.Pr.Administrative, i cili parashikon se në rastet kur nuk është respektuar procedura e kërkuar nga ligji, akti administrativ i marrë në mungesë të këtij elementi të rëndësishëm procedurial konstatohet i pavlefshëm.
  2. Veprimet e Këshillit Bashkiak Bulqizë duhet të jenë në përputhje me me Ligjin Nr.146/2014 “Për konsultimin publik”, i cili parashikon detyrimin e të gjitha organeve të administratës publike që të zhvillojnë konsultime publike, përpara miratimit të një akti administrativ individual apo kolektiv. Kjo përbën një tjetër shkelje proceduriale, me pasoja në vlefshmërinë e këtij akti.
  3. Një shkelje tjetër hap procedurial që duhet të respektohet nga ana e Këshillit Bashkiak, është veprimi në përputhje me dispozitat e ligjit Nr.139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”. Konkretisht në nenin 18 të këtij ligji parashikohet se për rastet e parashikuara shprehimisht nga ky ligj këshilli bashkiak, përpara shqyrtimit dhe miratimit të akteve, zhvillon seanca këshillimi me bashkësinë, të cilat janë të detyrueshme për rastet e parashikuara në nenet 54, shkronjat “a”, “dh”, “e”, “f” dhe “k”, etj.. “2. Këshillimi me publikun, në çdo rast, bëhet sipas mënyrës së përcaktuar në rregulloren e këshillit, duke përdorur një nga format e nevojshme, si takimet e hapura me banorët e grupet e interesit, takime me specialistë, me institucione të interesuara dhe organizata jofitimprurëse ose nëpërmjet marrjes së nismës për organizimin e referendumeve vendore.” Nëse shohim nenin 54/e, ai përcakton kompetencën e KB për: “e) miraton tjetërsimin ose dhënien në përdorim të pronave të tretëve;” Pra në rastin konkret ky vendim duhet të merret pasi të diskutohet me banorët dhe grupet e interesit dhe kjo nuk është në diskrecionin e organit administrativ, por është e detyrueshme.

Një kërkesë e tillë vjen në një kohë të shkurtër, pasi ne si banorë të Njësisë Administrative Fushë – Bulqizë, jemi vënë në dijeni për mbledhjen e Këshillit Bashkiak vetëm 24 orë nga bledhja e Këshillit Bashkiak. Kjo na e bënte të pa mundur firmosjen nga banorët e zonës.
Mbetem besimplotë se një kërkesë e tillë do të merret në konsideratë të anëtarët e Këshillit Bashkiak Bulqizë, për një vendim i cili prek jetën e qindra banorëve të kësaj njësie, të cilët janë të lidhur pazgjidhshmërisht me pyjet dhe ujin. Këto pasuri nuk janë vetëm të një komuniteti, por të një zone, që nesër, me përfundimin e Rrugës së Arbërit do të kthehet një atraksion turistik për turistët e huaj dhe vendas. Në tillë rrethana, duhet ti vendoset ‘barrierë’ shkatërrimit që i vjen natyrës nga ndërtimi i këtij HEC-i.

https://www.facebook.com/bulqizaime/videos/2330489763840005/