
British Council Albania organizoi ceremoninë e nënshkrimit të kontratave për dhënien e 10 granteve, një moment kyç për zbatimin e programit “Sigurimi i Rrugëve Alternative për Rininë Shqiptare.” Ky program, i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, ka për qëllim të fuqizojë të rinjtë e moshës 13-18 vjeç në tetë bashki të veriut të Shqipërisë, duke u ofruar atyre aftësitë dhe mundësitë për t’u angazhuar në komunitetet e tyre dhe për të reduktuar nevojën për emigracion të parregullt.
Një nga përfituesit e grantit është edhe Bulqizaime.al. Nënshkrimi u krye nga Sami Curri gazetar dhe njëherësh drejtues i Bulqizaime.al. Përmes këtij projekti, synohet të prodhohen një sërë videosh me histori suksesi dhe njerëz të punës – si model për të rinjtë – në bashkitë Dibër, Bulqizë, Klos dhe Mat si dhe të organizojë punëtori me gjimnazistët për angazhimin qytetar në media.
“Jam shumë i vlerësuar për mundësinë që na është dhënë për të punuar me British Council në këtë projekt. Kjo thirrje jo vetëm që na lejon të sjellim në pah histori suksesi dhe modele pozitive për të rinjtë, por gjithashtu do të ketë një ndikim të prekshëm në komunitetet tona, duke ndihmuar të rinjtë të qëndrojnë dhe të zhvillohen në vendin e tyre.” tha Curri.
Ai shtoi gjithashtu: “Me këtë bashkëpunim, British Council i shtohet listës së gjatë të donatorëve ndërkombëtarë me të cilët Bulqizaime.al ka pasur kënaqësinë të punojë. Kjo dëshmon përkushtimin tonë për të sjellë ndryshim pozitiv dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për komunitetet tona.”
Curri gjithashtu theksoi rëndësinë e medias lokale në një mjedis digjital. “Media lokale është jetike për informimin e drejtë dhe të saktë të komuniteteve, duke luajtur një rol kyç në mbajtjen e institucioneve përgjegjëse dhe në adresimin e çështjeve që prekin përditshmërinë e qytetarëve. Mbështetja për mediat lokale është thelbësore për të siguruar një zë të fuqishëm dhe të pavarur që promovon transparencën dhe zhvillimin në nivel komuniteti. Raportimi etik është themeli i gazetarisë së besueshme dhe të përgjegjshme.”
Ekipi i Bulqizaime.al që do të punojë në këtë thirrje, përfshin profesionistë nga media dhe teknologjia, me qëllim adresimin sa më mirë të detyrave të marra përsipër. Gjithashtu, ky ekip do të përgatisë edhe një raport studimor mbi nevojat dhe perspektivën e të rinjve në bashkitë e qarkut Dibër.

Znj. Majlinda Mazelliu, Drejtore e British Council Albania, tha se: “Ceremonia e sotme është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të mundësive që do të ndikojnë pozitivisht në te ardhmen dhe komunitetet ku formohen të rinjtë.”
Z. Simon Charters, Drejtori i Programeve dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Ambasadën Britanike në Tiranë, tha: “Të rinjtë janë pasuria më e madhe që kemi dhe duke i mbështetur ata, së bashku mund ta shndërrojmë veriun e Shqipërisë në një vend vërtet të jashtëzakonshëm. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku për ta, dhe në interes të të dy vendeve tona…”
Programi “Alternative Pathways” synon të forcojë komunitetet lokale duke u ofruar të rinjve mundësi për zhvillim në fusha si digjitalizimi, raportimi etik (media) dhe angazhimi komunitar. Këto grante mbështesin organizata që udhëheqin projekte inovative për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të rinjtë e veriut.









