Prerje e paligjshme e pyjeve, 4 persona procedohen penalisht në Bulqizë dhe Dibër

1456
Drejtoria Vendore e Policisë së qarkut Dibër

Policia e Dibrës njoftoi të hënën nisjen e procedimit penal ndaj 2 personave të përfshirë në transportin e lëndëve drusore pa dokumentacionin përkatës.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, kanë proceduar penalisht shtetasin A. K., 47 vjeç, pasi është konstatuar duke transportuar me një automjet furgon lëndë drusore pa dokumentacion përkatës”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër. Ndërkohë në lidhje me këtë rast janë proceduar penalisht edhe dy inspektor pyjesh “A. K., 51 vjeç, L. D., 60 vjeç, si të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”.

Policia njofton se ka bllokuar një sasi druri që po transportohej pa dokumentacionin përkatës edhe në Bulqizë. “Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë është proceduar penalisht shtetasi R. D., 44 vjeç, pasi është konstatuar duke transportuar me një automjet “Ifa”, lëndë drusore pa dokumentacion përkatës.”, thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Shqipëria prej vitit 2016-të ka vendosur një moratorium 10-vjeçar që ndalon prerjet në të gjitha pyjet dhe eksportin e drurit.

Materialet procedurale në ngarkim të personave të lartëpërmendur i janë referuar Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme hetimore.

Ky është rasti i katërt i goditjes së prerjeve të paligjshme të pyjeve në qarkun e Dibrës. Më parë një sërë zyrtarësh lokalë në njësinë administrative Selishtë, të bashkisë Dibër, ishin proceduar penalisht për fshehje të prerjeve të paligjshme të pyjeve.