Prej tre ditësh banorët e Shupenzës nuk konsumojnë ujin e çezmës

574
Njësia Administrative Shupenzë. Foto: Bulqizaime.al

Prej tre ditësh banorët e njësisë administrative Shupenzë në Bulqizë nuk e konsumojnë ujin e çezmës nga frika e ndonjë helmimi. Të enjten e 24 nëntorit në Qendrën Shëndetësore të Shupenzës, ka pasur një fluks të vizitave me shenja helmimi nga banorët e zonës. Nga analizat e kryera nga Instituti i Shëndetit Publik për ujin e pijshëm, ka rezultuar me ngarkesë bakteriale të esheria koli.

Esheria Koli është lloj bakteri që njihet për shkaktimin e irritimit në stomak. Simptomat përfshijnë diarrenë, dhimbjet në bark, vjelljen dhe marramendjet. Ky bakter mund të shkaktojë edhe probleme tjera, duke përfshirë cista, infeksione në trakt urinar dhe pneumoni.

Disa banorë të pyetur nga Bulqizaime.al tregojnë se këto ditë e kanë blerë ujin e pijshëm, ndërsa një shumë të tjerë janë furnizuar nga burimet më të afërta në zonë. “Kjo histori ka prej tre ditësh. Sot që kanë ardhë disa punëtorë të ujësjellësit, nuk e di në është zgjidhur si problem. Fëmijët me thënë të drejtën nuk i kemi lejuar që ta konsumojnë ujin sepse kemi frikë se ato sëmuren shpejt. Siç ka pasur plot.” tha një banor. Nga Qendra Shëndetësore në Shupenzë, thuhet jo zyrtarisht se ka pasur një numër të shtuar personash të helmuar, por jo në fluks që të kthehet në problem.

Një situatë e tillë në Shupenzë është e përsëritur, pasi një vit më parë me dhjetra persona kërkuan ndihmë mjekësore të helmuar nga uji. “Kjo situatë nuk është hera e parë. Tani nuk merret vesh se nga vjen. Mbase edhe nga shiu që ra, do të jetë çarë diku tubacioni dhe është bashkuar me ujërat e zeza.” tha një banor për Bulqizaime.al.

Deri më sot nuk ka pasur njoftim nga Ujësjellës-Kanalizime Bulqizë, lidhur me gjendjen e tubacionit që furnizon banorët në zonën e Shupenzës.