Prej nëntorit, kartoni jeshil 15-ditor për vetëm 15 euro edhe për në Maqedoninë e veriut

1502
Pikë kalimi kufitar i Bllatës, ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Me qëllim nxitjen e lëvizjes të qytetarëve në të dy anët e kufirit dhe për ti dhënë më shumë nxitje turizmit në të dy shtetet, Asambleja e Byrosë Shqiptare të Sigurimeve ka vendosur që prej datës 1 nëntor 2022, siguracioni “Karton Jeshil” për një afat 15-ditor të mos shitet më me çmimin 40 euro por vetëm 15 euro për në Maqedoninë e Veriut. Kjo ka një ndikim direkt tek edhe banorët e qarkut të Dibrës, që për shumë shërbime dhe produkte, zgjedhin të udhëtojnë në Dibër të madhe.

Policat “Karton Jeshil” në ofertë me Maqedoninë e Veriut do të shiten vetëm në pikat e kalimit kufitar si më poshtë:

Kufi në Bllate, Dibër.

Kufi Qafe-Thanë, Pogradec.

Kufi Tushemisht, Pogradec.

Një skemë e tillë është përdorur edhe për udhëtimin në Malin e Zi, ku kartoni jeshil me vlefshmëri për dy javë prej vitesh shitet për 15 euro.

Paisja me “Karton Jeshil” është i detyrueshëm për çdo mjet që udhëton jashtë Republikës së Shqipërisë (përjashtuar Kosovën).

Mospaisja e siguracionit “Karton Jeshil” ka penalitete ligjore në varësi të vendit ku udhëtoni.

Mospasurit “Karton Jeshil” është edhe shkak ligjor për refuzim të udhetimit nga policia vendase.

Risku më i madh janë demet që mund ti shkaktohen palëve të treta nga drejtuesi i mjetit. Në pjesën më të madhe të shteteve nuk ka kufi ligjor për vlerën e dëmshpërblimit, por drejtuesi i mjetit duhet të paguajë vlerën e plotë të dëmit që ai shkakton, që mund të arrijë në miliona euro.