Posta nuk njoftoi dot të pandehurit, shtyhet gjyqi i “Dosjes 184”

909
Karriget bosh të të pandehurve gjatë seancës. Foto: Sami Curri

Gjykata e Dibrës nuk arriti të zhvillonte seancën e fundit për vitin 2021 të gjykimit ndaj ish-shefit të komisariatit të Dibrës, Robert Aga dhe ish-administratorit të Lurës, Hasan Hoti. Seanca u shty për mungesë të avokatëve dhe të të pandehurve. Këta të fundit nuk kishin konfirmuar marrjen e dijenisë për këtë seancë nga punonjësit e postës.

Prokurori i çështjes, Urim Buci ishte dakord që gjyqi të shtyhej në mungesë të avokatëve dhe të pandehurve.

“Kanë kthyer fletëthirrjet e dërguar nga gjykata dhe nuk konfirmohet marrja në dijeni nga të pandehurit. Pasi u mor edhe mendimi i prokurorit vlerësojmë se seanca duhet të ndërpritet këtu, pa pasur dijeni të pandehurit”, deklaroi gjyqtarja e çështjes, Nertila Kape.

Në seancën e zhvilluar në fillim të muajit dhjetor, mbrojtja e “Dosjes 184” kërkon pafajësi dhe i quan hetimet të paplota. Përgjatë vitit 2021, për këtë çështje u zhvilluan vetëm dy seanca efektive. Arsye për shtyrjen e vazhdueshme të seancave kanë qenë raportet mjekësore të sjella nga mbrojtja dhe mungesa me asrye të ndryshme e të pandehurve.

Dosja 184, me përgjime që implikojnë një grup personash për blerje të votave dhe presion ndaj zgjedhësve u dërgua në gjykatë në fund të vitit që shkoi,  ndërsa më 12 shkurt 2021 Gjykata e Dibrës kaloi për gjykim çështjen ndaj 4 të akuzuarve.

Dosja u nda më pas në dy pjesë të pandehurit Aga dhe Hoti po gjykohen në një gjyq normal. Ndërkohë të pandehurit Drini Gjeci, ish-drejtori i Zyrës Arsimore, në akuzë për “shpërdorim detyre” dhe “shantazh të zgjedhësve”, dhe Nuri Meda, ish-Administrator i Tominit, që akuzohet për kanosje të zgjedhësve më shumë se njëherë dhe shpërdorim detyre, po gjykohen në një gjyq të shkurtuar i cili po ashtu është shtyrë disa herë.

Seanca e radhës për dy të akuzuarit e dosjes 184 është vendosur më 12 janar në orën 12:00.