Policia e Dibrës, njoftoi të mërkurën se kishte filluar procedim penal ndaj njërit prej punëtorëve të aksidentuar në galeritë e kromit në Martanesh. Minatori Shyqyri Elezi 53 vjeç, duke salduar brenda në galeri, si pasojë e gazit të çliruar nga gjeneratori është asfiksuar. Në ndihmë të tij kanë shkuar dhe dy punëtorë të tjerë, A. J, dhe M. H, të cilët gjithashtu janë asfiksuar nga gazi.
Policia njoftoi se procedimi penal në gjendje të lirë ndaj minatorit, Shyqyri Elezi ka nisur për veprën penale “Shkelje e rregullave të mbrojtjes në punë”. Ky i fundit, pas aksidentit në galeri ishte në gjendje të rëndë dhe u dërgua me helikopter drejt Tiranës, për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.
Në një deklaratë për shtyp, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës deklaroi se saldimin në një zonë të papërshtatshme, minatorët fillimisht kanë refuzuar të punojnë, por janë detyruar ta bëjnë nga përgjegjësit e tyre. “Edhe në këtë rast, puna në kushte të rënda dhe mungesa e të drejtave elementare për pak prodhoi një tragjedi.” thuhet në reagimin e SMBB.
Sipas Inspektoriatit të Punës në Dibër, galeria ku ndodhi aksidenti menaxhohej nga kompania XHIRETON shpk. Nga kompania në një bisedë telefonike për Bulqizaime.al u shprehën se nuk kishin asnjë sqarim për të dhënë përpos atyre se çfarë janë thënë nga Policia. Kompania mohoi akuzat se i ka detyruar punëtorët që të saldojnë brenda në galeri me gjenerator.
Pesë të vdekur dhe 28 të plagosur u raportuan gjatë vitit 2020 vetëm në minierat e që ushtrojnë aktivitet në qarkun e Dibrës. Ndërkohë në fillim të vitit 2021 një person humbi jetën në galeritë e kontrolluara nga kompania “KACI – IF – 2012” shpk në Bulqizë.
Kushtet e sigurisë në galeritë e nxjerrjes së kromit janë problematike prej vitesh, ndërsa qarku Dibër renditet pas Tiranës për numrin e të vrarëve në aksidente në punë.