Policia arreston vëllain e Elton Debreshit si të dyshuar për vendosjen e eksplozivit

1861
Drejtoria Vendore e Policisë së qarkut Dibër

Policia e Shtetit njoftoi të shtunën arrestimin e Alfred Debreshit, si person i dyshuar për vendosjen e eksplozivit në makinën e vëllait të tij, Elton Debreshi. Ky i fundit prej vitesh është në detyrën e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës dhe në zgjedhjet e 25 prillit ka kandiduar si i pavarur për deputet.

Sipas njoftimit të policisë, ndaj Alfred Debreshit janë ngritur tre akuza: “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”; “Mbajtja pa leje e lëndëve plasëse” dhe “Deklarim i rremë para oficerit të policisë gjyqësore”.

Një sasi lënde plasëse shpërthyeu në orët e para të së premtes në makinën e Elton Debreshi. Makina ishte e parkuar në afërsi të banesës së Debreshit, në fshatin Dushaj të njësisë administrative Fushë-Bulqizë.

Bulqizaime.al nuk arriti të komunikonte dot me Debreshin deri në publikimin e shkrimit. Por në një deklaratë të postuar në rrjetin social Facebook, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës e konsideroi si një kërcënim lidhur me aktivitetin sindikal.

“Që prej themelimit të sindikatës sonë, ndaj Eltonit dhe shokëve të tjerë ka pasur shpesh përndjekje e kërcënime. Sot arritën te tritoli. Mafiozët, oligarkët dhe pushtetarët që na marrin kromin duan të na marrin edhe jetën nëse themi të vërtetën dhe mbrojmë të drejtat tona.” thuhet në reagimin e SMBB-së.