Policia arreston tre shpërndarës droge në Bulqizë

2372

Policia e Dibrës arrestoi tre persona për shpërndarjen e drogërave të forta kokainë në zonën e Bulqizës. Në njoftimin e shpërndarë për mediat, DVP Dibër deklaron se këta persona ishin nën vëzhgim prej disa muajsh.

“D. H., 43 vjeç; D. H., 18 vjeç dhe K. P., 19 vjeç, të tre banues në Bulqizë. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara ndaj këtyre shtetasve, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, doza kokaine, të gatshme për shitje, një shumë parash prej rreth 2.2 milionë lekësh, të dyshuara të përfituara nga ky aktivitet kriminal dhe 5 celularë.” thuhet në njoftimin e Policisë.

Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për një periudhë kohe, kanë ushtruar aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta (të llojit kokainë), në qytetin e Bulqizës.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.