Policia arreston një shpërndarës droge në Bulqizë

2173
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Policia e Shtetit njoftoi të dielën (19.11.2023) se në kuadër të kontrolleve operacionale, në Bulqizë është arrestuar një 33-vjeçar. Në trupin e tij janë zbuluar dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike “kokainë”, të cilat ishin të gatshme për shitje.

“Si rezultat, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Dibër, forcat e Posaçme Operacionale, forcat “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Bulqizë, në orët e mbrëmjes në qytetin e Bulqizës, kanë ndaluar për kontroll shtetasin A.Gj., ku i’u gjetën të fshehura në trup, dhjetëra doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, të gatshme për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve procedurale u bë arrestimi në flagrancë i poseduesit të dozave të kokainës, shtetasi A.Gj., 33 vjeç, banues në fshatin Vajkal, Bulqizë, i cili do ti shiste dozat me lënde narkotike kokainë, në qytetin e Bulqizës”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme hetimore. Në Bulqizë ka pasur edhe arrestime të mëparshme për shitjen e lëndëve narkotike kokainë dhe kanabis.