Policia arreston një 29-vjeçar për pengmarrjen e përgjegjësit të Zyrës Arsimore në Bulqizë

3601
Drejtoria Vendore e Policisë së qarkut Dibër

Një 29-vjeçar nga njësia administrative Shupenzë në Bulqizë u arrestua të mërkurën, pasi akuzohet nga Policia se ka marrë peng përgjegjësin e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar në Bulqizë. Në një njoftim për shtyp, policia tha se 29-vjeçari e ka mbajtur në automjet, pa dëshirën e tij, përgjegjësin e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar në Bulqizë.

“A. K., 29 vjeç, banues në Shupenzë, pasi shtetasi K. K., 52 vjeç, me detyrë përgjegjës i Zyrës Arsimore Bulqizë, ka bërë kallëzim se 29-vjeçari e ka kanosur dhe e ka mbajtur në automjet, pa dëshirën e tij, me qëllim që t’i rikthente familjarët e tij në vendet e punës.” thuhet në njoftimin e DVP Dibër.

Kujtim Kerkuti, përgjegjës i Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar në Bulqizë, ishte i pa disponueshëm për një sqarim deri në publikimin e këtij lajmi. Ndërkohë Bulqizaime.al mësoi nga burime jo zyrtare se për familjarët e 29-vjeçarit që punonin në arsim, nuk ju ishte firmosur kontrata e punës për vitin shkollor 2021-2022.

Për këtë ngjarje, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për veprat penale: “Kanosja” dhe “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit në rrethana lehtësuese”.

Gjithashtu ditën e djeshme Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, arrestoi një qytetar dhe një punonjës të Këshillit të Qarkut Dibër, me akuzën e ndikimit të paligjshëm tek drejtuesit e Zyrës Arsimore për një vend pune si mësues, kundrejt shumës 100 mijë lekë.