Po ringjallet Lura!

193
Pemët e mbjella në Lurë, Dibër. Foto: A. Diku

Parku Kombëtar Lurë-Mali i Dejës ngjan si shumë pjesë të tjera të territorit të vendit që janë djegur e shkatërruar nga prerjet e zjarret këto 30 vitet e fundit. Veçse në Lurë, dëmi duket më i madh për shkak të hijeshisë së pakrahasueshme që pyjet dhe liqenet akullnajore ofronin për syrin dhe ekosistemin, duke e bërë atë një peizazh unik në shkallë vendi.

Të kuptohemi, prerja e pyjeve nuk ka qenë e keqja më e madhe në Lurë. E keqja më e madhe kanë qenë zjarret e njëpasnjëshme të cilët kanë shkatërruar në një pjesë të konsiderueshme të territorit, të gjithë drurët e mbetur atje. Kjo ka bërë që në shumë zona të mos ketë drurë të cilët mund të hedhin farat e tyre në tokë, për të krijuar një gjeneratë të re pylli. Djegia ka bërë gjithashtu që të shkatërrohet lënda organike e tokës dhe lëndët e tjera ushqyese, të cilat bëjnë të mundur rritjen e filizave të rinj. Pra, përveçse toka është djegur, ajo është varfëruar shumë tashmë, gjë që e bën të vështirë që edhe ato pak fara që arrijnë të mbijnë në tokë, të zhvillohen.

Një tjetër problem është edhe bari i dendur që ka mbirë pas djegies së pyjeve. Ky bar pengon ato pak fara nga drurët pyjorë që mund të bien në tokë, të kenë kontakt me dheun. Kjo e vështirëson shumë rigjenerimin natyror, pasi tapeti i barit e ka izoluar thuajse krejtësisht tokën prej kontaktit të mundshëm me farat.

Lura, vetëm prej asaj që është shkruar për të, ka krijuar një audiencë të madhe dashamirëse ndaj saj. Persona që s’kanë qenë asnjëherë në Lurë, shprehen tejet të pikëlluar teksa shohin a dëgjojnë për shkatërrimin që i është bërë këtij parku të famshëm.

Prej shumë vitesh janë bërë tentativa e ndërmarrë iniciativa (ndonjëherë edhe serioze) për ta ringjallur Lurën. Ndoshta për të dhënë një mesazh se pas çdo shkatërrimi, nëse do, mendja dhe vepra njerëzore mund të bëjë mirë me natyrën dhe të ndihmojë në ringjalljen e saj.

Së fundmi isha në Lurë dhe pashë përreth dy liqeneve të fundit (Liqeni i Luleve dhe Kallabës) fidanë pyjorë të mbjellë dhe që ishin në gjendje të mirë. Janë fidanë të mbjellë në vitin 2016 nga Albgarden, me Pishë të zezë dhe Hartinë. Peizazhi aty ka filluar të marrë ngjyrën e jetës, po gjelbërohet.

Impresion i jashtëzakonshëm! Fidanë të mbjellë në 2016 të cilët në disa raste i kanë kaluar tre metra dhe pothuajse asnjë fidan i tharë. Këto fidanë të mbjellë po ndërthuren gradualisht me fidanë natyrorë të Ahut, duke sjellë kompozim të bukur speciesh pyjore.

Kujt ja merrte mendja se pas atij shkatërrimi masiv do kishte sërish shpresë për jetë në Lurë?

Pemët e mbjella në Lurë, Dibër. Foto: A. Diku

Kësaj situate optimiste i shtohet edhe fakti që prej vitesh nuk ka më zjarre masive në Lurë. Një zjarr i rënë këtë vit mobilizoi gjithë aktorët, derisa u shua. Fidanët e rinj të mbjellë nga njeriu apo vetë natyra nuk po digjen nga zjarre të pakuptimta. Ato pak fidanë të mbjellë janë mbrojtur mirë deri tani, nga ata që kujdesen për parkun, por edhe nga komuniteti.

Natyra po e merr veten shumë ngadalë, dhe nëse do ndihmohet nga njeriu, ritmi i ringjalljes së natyrës në Lurë do përshpejtohet.

Është e rëndësishme gjithashtu të thuhet që edhe komuniteti në Lurë duket se ka një tjetër qasje tashmë për të ardhmen atje. Nuk shihen pyjet si burim fitimi, por turizmi. Dhe ata e dinë se pa pyje nuk ka turizëm, nuk ka të ardhme as për to e as për natyrën. Ndaj ka shpresë për Lurën.

Sigurisht që ka gjëra që mund dhe duhej të bëheshin më mirë edhe në këtë rast pyllëzimesh, duke mbjellë më shumë lloje (duheshin mbjellë edhe bredh të bardhë, arrnen, rrobull; nuk duhej mbjellë në skemë të rregullt, etj.), por gjithsesi ai objekt i vogël pyllëzimesh aty është një shenjë që edhe për Lurën ka shpresë të madhe. Por, duhet që të vazhdohet me pyllëzime apo mbështetje të rigjenerimit natyror atje, pasi ka shumë sipërfaqe që duhet pyllëzuar; ndryshe “shpresa” për Lurën do zgjasë për dekada e do mbetet vetëm një fjalë.

Është me rëndësi jetike që investimet në pyllëzime të bëhen prioritet në nivel kombëtar, për ta ringjallur edhe njëherë natyrën. Për t’i dhënë idenë e shpresës gjeneratave të reja që do ta gëzojnë këtë tokë pas nesh. Nuk duhet të lëmë vetëm tokë të djegur pas, sepse përveç natyrës, mallkimi i brezave do të na ndjekë edhe nën tokë, pasi ta kemi lënë këtë botë. Duhet të lëmë natyrën siç e kishim ne dhe duhet të lëmë mbi të gjitha shumë shpresë. Dhe ai shembull i vogël në liqenet e Lurës ofron shpresë se gjërat, nëse duam, mundemi dhe dimë t’i bëjmë mirë.

Fonde ka, por për fatin e keq, nuk po shkojnë aty ku duhet — tek rigjenerimi i natyrës. Kjo gjë duhet të ndryshojë menjëherë, ndryshe ne nuk do e shohim ndonjëherë Lurën, Dajtin, Munellën, Drenovën, Valamarën, Malin e Skënderbeut, Qafështamën, etj., të gjelbëruara siç ishin apo të ringjallura më së paku.

Aplikimi i mënyrave konvencionale të pyllëzimit ka kosto shumë të lartë tek ne. Ndaj duhen parë mundësitë për alternativa të tjera që janë më shumë efikase dhe me kosto minimale.

Po ashtu, aksionet komunitare dhe ato të shoqërisë civile e specialistëve të pyjeve nuk duhet të reshtin. Me pak fonde në dispozicion dhe me shumë dëshirë e dashuri, mund të bëhen punë të mëdha.