Plagosen dy minatorë në galeritë e kompanisë Albchrome në Bulqizë

Minatorët Mentor Gjeta dhe Altin Kola mbetën të plagosur gjatë punës në minierë të hënën, ndërkohë që policia dhe kompania Albchrome fajësojnë një tjetër punëtor si shkaktar të aksidentit.

451
Minatorët para spitalit të Bulqizës gjatë transportimit të dy kolegëve të plagosur. Foto nga Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Dy minatorë mbetën të plagosur në galeritë e kromit në Bulqizë pasditen e së hënës, ndërsa policia njoftoi se aksidenti kishte ndodhur gjatë procesit të punës. Në njoftimin për shtyp të policisë, minatorët e aksidentuar u identifikuan me inicialet e tyre M.GJ dhe A.K, ndërkohë që Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës deklaroi se të plagosurit ishin  Mentor Gjeta dhe Altin Kola.

Në spitalin e Bulqizës, BIRN mësoi se minatori Altin Kola kishte dëmtime kryesisht në kokë dhe në pjesën e kraharorit, ndërsa Mentor Gjeta ka pësuar dëmtime të rënda në pjesën e këmbës dhe është dërguar për ndihmë më të specializuar drejt Tiranës.

Galeria ku ndodhi aksidenti menaxhohej nga kompania AlbChrome –pjesë e grupit Balfin dhe koncesionari më i madh në zonën e Bulqizës. E pyetur nga BIRN, kompania tha se aksidenti kishte ndodhur në nivelin e 18-të dhe se të aksidentuarit ishin jashtë rrezikut për jetën.

“Aksidenti ndodhi si pasojë e gabimit njerëzor të punonjësit, më konkretisht ikjes së vagonit bosh në krye të dishenterisë. Sinjalisti gjatë manovrimit të vagonit, në mënyrë të pavullnetshme ka lëvizur vagonin në krye të dishenterisë pa e lidhur atë në kavon e arganellës,” u përgjigj Albchrome përmes një emaili.

Policia njoftoi se ka referuar në Prokurorinë e Dibrës për ndjekje në gjendje të lirë shtetasin Asqeri Çupi, i cili dyshohet si shkaktar i aksidentit.

“Si pasojë e neglizhencës i ka rrëshqitur e dalë nga shinat vagoni, dhe si pasojë mbetën të dëmtuar jashtë rrezikut për jetën dy shtetas, punëtorë të minierës,” thuhet në njoftimin e policisë.

Më vonë, kompania Albchrome në faqen e saj në Facebook deklaroi gjithashtu se përgjegjës për këtë aksident ishte sinjalisti në krye të dishenterisë. ”Asqeri Çupi, përmes një deklarate, ka pranuar sot gabimin e tij njerëzor për shkak të pakujdesisë,“ deklaroi Albchrome në Facebook.

Ky është aksidenti i dytë brenda një muaji në galeritë e administruara nga kompania Albchrome, ku më 19 dhjetor mbeti i plagosur edhe minatori Tush Asllani. Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës- e cila ndodhet prej javësh në përplasje me kompaninë Albchrome, kërkoi nga institucionet shtetërore zbardhjen e plotë të aksidenteve përmes një njoftimi për shtyp.

“Kjo ngjarje vjen jo më vonë se dy javë nga plagosja e rëndë e minatorit tjetër, Tush Asllanit. Për të gjitha aksidentet që ndodhin, faji bie mbi viktimat dhe të aksidentuarit. SMBB iu bën thirrje institucioneve shtetërore të bëjnë zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe marrjen e masave të nevojshme,” thuhet në njoftimin e sindikatës.

Galeritë e kromit në Bulqizë kanë shkaktuar vdekjen e 27 minatorëve në pesë vitet e fundit dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve. Ndërkohë në dy vitet e fundit, në galeritë e kompanisë Albchrome janë raportuar 12 të plagosur, përfshi aksidentin e së hënës.

Bilanci tragjik i viktimave në minierë nuk është shoqëruar me hetime të plota të shkaqeve dhe ndëshkime. BIRN gjeti në një shkrim të mëparshëm se megjithëse konstatoheshin probleme për sigurinë në miniera, masat ndaj koncesionarëve ishin kryesisht gjoba, ndërsa faji për aksidentet iu lihej gjithmonë viktimave.