Personat me aftësi të kufizuara përballen me pamjaftueshmëri shërbimesh nga shteti

782

Autor: Ivana Dervishi  BIRN

Një raport i publikuar të martën nga organizata World Vision në Shqipëri dhe Kosovë zbuloi se personat me aftësi të kufizuara në vend përballen me mungesë shërbimesh nga shteti për përmbushjen e nevojave të tyre.

Studimi u realizua përmes monitorimit nga shoqëria civile i zbatimit të Planit Kombëtar të Veprimit të Aftësisë së Kufizuar 2016-2020 dhe mori në shqyrtim 592 persona në Lezhë, Dibër, Korçë dhe Berat.

Pakënaqësia ndaj shërbimeve të specializuara ishte shqetësim i mbi 83 për qind të personave me aftësi të kufizuara në qytetet e mësipërme. Gjithashtu raporti zbuloi se pagesa e aftësisë së kufizuar linte të pakënaqur shumicën e personave me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre (92%).

Kjo ishte hera e parë që shoqëria civile monitoroi zbatimin e planit kombëtar në këtë fushë, realizimi i të cili është përgjegjësi e institucioneve qendrore.

Në Shqipëri, zyrtarisht janë 144,135 persona me një aftësi të kufizuara, sipas World Vision.

Në qytetin e Peshkopisë raporti nënvizoi mungesën e shërbimeve shoqërore ndërsa për qytetet e Lezhës, Beratit dhe Korçës u raportuan shërbime të pamjaftueshme në kapacitete dhe tipologji për të përballuar nevojat.

“48 për qind e personave me aftësi të kufizuara raportojnë se nuk janë të kënaqur me aksesueshmërinë fizike në institucionet e shërbimeve shoqërore,” thuhet në raport.

“Rreth 50% e personave me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre raportojnë të jenë pjesërisht të kënaqur në lidhje me shkollimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara,” shton raporti.

Ekspertët monitoruan gjithashtu punësimin e personave me aftësi të kufizuara. Sipas tyre, 89.6% e personave me aftësi të kufizuara shprehen se nuk kanë mundësi punësimi. Po ashtu,50% e tyre pohojnë se nuk janë të informuar për programet e nxitjes së punësimit.

Drejtoresha e World Vision për Ballkanin Perëndimor, Eljona Boçe Elmazi i cilësoi gjetjet e raportit si vështirësi që gjejnë përfaqësim të gjerë tek personat me aftësi të kufizuara në vend.

“Raporti që sot mbajmë në duar, sjell fort zërin e 592 personave, që përfaqësojnë dhe shumë të tjerë, që çdo ditë përballen me një shoqëri që vazhdon diskriminon e ka vështirësi në aksesueshmëri fizike,” tha ajo.

“Ka një rritje të numrit të mësuesve ndihmës por më shumë se gjysma e personave me aftësi të kufizuara shprehet që akoma janë të pakënaqur nga sistemi arsimor dhe mundësitë për aftësim profesional që ata të bëjnë një jetesë të pavarur,” shtoi ajo.

Raporti i hartuar në kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Europian “Forcimi i kapaciteteve të shoqërisë civile për zbatimin e të drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuar në Shqipëri”, zbatuar nga World Vision Albania në partneritet me FShDPAK dhe MEDPAK, thekson se duhet të ndërhyhet në përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me aftësi të kufizuar nëpërmjet shërbimeve të aksesueshme dhe  të përballueshme financiarisht.