Përfundojnë procedurat tenderuese për rehabilitimin e Përroit të Thatë në Fushë-Bulqizë, projekti synon parandalimin e përmbytjeve

525
Projekti për rehabilitimin e Përroit të Thatë në Fushë-Bulqizë.

Në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë pritet të nis rehabilitimi dhe sistemimi i Përroit të Thatë. Projekti parashikon zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga përmbytjet dhe gërryerjet gjatë viteve të fundit, duke përfshirë ndërtimin e një sistemi mbrojtës me gabiona.

Në periudhat me reshje të dendura, Përroi i Thatë ka dalë vazhdimisht nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në tokat bujqësore dhe banesat e zonës përreth.

Referuar dokumenteve të tenderit, në këtë procedurë kanë marrë pjesë tre ofertues: “Kupa”, “Liqeni VII” dhe bashkimi i disa kompanive si “Murati”, “Lis Konstruksion” dhe “Viante Konstruksion”. Pas shqyrtimit të dokumentacionit nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në Bashkinë Bulqizë, kompania “Kupa” u shpall fituese me një ofertë prej 22,834,305.20 lekë pa TVSH, ose afro 230 mijë euro, duke ofruar çmimin më të ulët për realizimin e projektit.

Fondi limit i parashikuar për projektin ishte 24,888,513 lekë pa TVSH – oferta fituese rezultoi rreth 2 milionë lekë më e ulët se vlera e përcaktuar. Pagesa për këtë investim do të kryhet në dy faza: gjysma e shumës do të paguhet gjatë vitit 2024, ndërsa pjesa tjetër do të likuidohet në vitin 2025.

Ndërkohë, ofertuesi “Liqeni VII” u skualifikua për mosplotësimin e disa kritereve teknike të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit. Konkretisht, kjo kompani nuk kishte paraqitur sigurimin e ofertës, nuk kishte numrin e kërkuar të punonjësve, si dhe nuk kishte dorëzuar dokumentacionin e nevojshëm për drejtuesin teknik dhe për disa nga materialet e parashikuara për ndërtim, siç janë gabionët dhe mjetet e nevojshme për realizimin e punimeve.

Referuar projektit për rehabilitimin e Përroit të Thatë, publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, parashikohet ndërtimi i një mbrojtjeje gjatësore me gabiona prej 350 metra gjatësi, të përbërë nga gurë të vendosur brenda koshave të rrjetës prej teli çeliku. “Gabionët do të përpunohen sipas standardeve ndërkombëtare ISO 9001 dhe do të jenë të mbrojtur nga ndryshku përmes një përzjerje speciale zinku me alumin, që garanton një jetëgjatësi më të madhe” thuhet në projekin e publikuar në APP.

Ky projekt synon të reduktojë rrezikun e përmbytjeve dhe të sigurojë mbrojtje të plotë të tokave dhe banesave përreth, me një kosto më të ulët krahasuar me ndërtimet tradicionale prej betoni. Afati për zbatimin e projektit është caktuar në 2 muaj nga data e dorëzimit të sheshit të ndërtimit, duke synuar përfundimin e punimeve brenda një periudhe të shkurtër kohore, për të minimizuar rreziqet e mëtejshme nga reshjet.

Kontrata përfshin një periudhë garancie prej 12 muajsh për defektet që mund të shfaqen në punimet e kryera. Kjo periudhë fillon nga data e përpilimit të aktit të kolaudimit. Gjatë kësaj kohe, në rast të konstatimit të defekteve ose problemeve në ndërtim, ka të drejtën të njoftojë sipërmarrësin, i cili është i detyruar të fillojë punimet për eliminimin e defekteve brenda një afati maksimal prej 10 ditësh pune nga momenti i marrjes së njoftimit.