Përballë flakëve: zjarrfikësit në Dibër të Shqipërisë dhe Maqedoninë e Veriut me flotën më të vjetër

359
Foto ilustruese

Me rritjen e temperaturave gjatë verës, rreziku i zjarreve në Shqipëri është shtuar ndjeshëm, por shërbimi zjarrfikës i vendit është ende larg përmbushjes së standardeve të pritshme. Rastet e fundit të zjarreve në vend theksojnë rëndësinë e përmirësimit të shërbimit zjarrfikës. Flota e zjarrfikëseve në bashkitë e qarkut Dibër, si dhe në Dibër të Maqedonisë së Veriut, është ndër më të vjetrat. Shpenzimet e bashkive për këtë shërbim kanë qenë minimale – kryesisht vetëm për pagat e punonjësve dhe shpenzime të tjera operative – duke ngritur shqetësime të mëdha mbi aftësinë për të përballuar emergjencat. Një vëzhgim i kryer në bashkitë Dibër, Bulqizë, Klos dhe Mat tregon se zjarrfikësit përballen me mungesa të theksuara në pajisjet personale dhe mjetet zjarrfikëse, duke e bërë luftën kundër flakëve një sfidë të vështirë.

Bulqiza me automjetin më të vjetër zjarrfikës

Sipas të dhënave të siguruara nga Bashkia Bulqizë, rezulton se ajo mban rekord si për automjetin më të vjetër zjarrfikës, ashtu edhe për atë më të riun nga katër bashkitë e qarkut Dibër. Në flotën e tyre rezulton se kanë në përdorim një automjet që është 47 vite në përdorim. Ky repart përballet gjithashtu me një infrastrukturë në stacion që nuk përmbush standardet minimale – duke filluar nga ambientet e fjetjes së personelit dhe higjena personale. Automjeti zjarrfikës i vitit 2019 që është në përdorim ishte një donacioni nga Ambasada Japoneze në Shqipëri, ndërsa nuk ka pasur asnjë investim në pajisje dhe infrastrukturë tjetër. Shërbimi zjarrfikës në Bulqizë ka 13 të punësuar dhe një financim relativisht më të mirë në krahasim me bashkitë e tjera të qarkut, me afro 340 mijë euro në vit. Bulqiza përballet me një problematikë të shtuar nga zjarret, kryesisht gjatë stinës së verës dhe në shumicën e rasteve në pyje, por fatmirësisht menaxhohet mirë, falë punës së personelit dhe reagimit në kohë.

Dibra, qendra e qarkut me kushte mjerane

Bashkia Dibër, me numrin më të madh të popullsisë në qarkun Dibër, ka investime minimale në shërbimin zjarrfikës. Me një buxhet prej afro 290 mijë euro në vit dhe 20 persona të punësuar, ka numrin më të lartë të rasteve të zjarrit. “Shërbimi i MZSH-së në Dibër ka mungesa të theksuara në pajisje speciale zjarrfikëse dhe teknologjia e mjeteve është shumë e vjetëruar, në kufijtë e mbijetesës,” thuhet në përgjigjen e MZSH-së Dibër.

Ky stacion ka në përdorim dy automjete zjarrfikës, një të prodhuar në vitin 1979 dhe një tjetër në vitin 1993, si dhe një automjet për transportin e personelit të prodhuar në vitin 2003. Ky stacion u përball me 153 raste zjarri në vitin 2023, shumica e tyre në pyje dhe kullota, dhe nuk ka përfituar as nga donacionet.

Bashkia Mat me situatë të ngjashme, por me projekte

Bashkia Mat ka në përdorim dy automjete zjarrfikëse: një “Iveco” të prodhuar në vitin 1990 dhe një “Volvo” të vitit 1984. “Po kështu, jemi në proces tenderimi për blerjen e dy mjeteve të tjera për shërbimin e MZSH-së: një vinç për ndërhyrjet në lartësi dhe një minifadromë. Nga ana e bashkisë, po punojmë me donatorë të ndryshëm për përmirësimin e teknologjisë në këtë shërbim,” thuhet në përgjigjen e Bashkisë Mat.

Sektori i MZSH-së në Mat ka një buxhet vjetor prej 175 mijë euro dhe 14 persona të punësuar. Gjatë vitit 2022 ishin të regjistruara 48 raste ndërhyrjesh, ndërsa në vitin 2023 ishin 45 raste, shumica në pyje dhe kullota.

Bashkia Klos me stacion të shërbimit zjarrfikës të krijuar në vitin 2019

Në vitin 2019, falë një donacioni të Ministrisë së Brendshme, Bashkia Klos u pajis me një automjet zjarrfikës. Kur ishte në nevojë për një mjet zjarrfikës për shkak të zjarreve, Bashkia Klos ishte e detyruar të kërkonte ndihmën e Bashkisë Mat apo asaj Bulqizë. Buxheti për repartin e shërbimit zjarrfikës në Klos është 100 mijë euro në vit me 14 të punësuar. “Gjatë vitit 2022 janë kryer 48 ndërhyrje, në vitin 2023 janë kryer 21 ndërhyrje, ndërsa deri më tani për vitin 2024 janë kryer 20 ndërhyrje, nga të cilat 14 janë kryer në pyje dhe kullota dhe 6 në aksidente rrugore. Për shërbimin zjarrfikës është hartuar një plan investimi për përmirësimin e kushteve të stacionit zjarrfikës dhe financimi është mundësuar nga buxheti i Bashkisë Klos dhe Qeverisë Vendore,” thuhet në përgjigjen e Bashkisë Klos. Në Klos, automjeti zjarrfikës është prodhim i vitit 1992.

Shqipëria ka mjete të pakta të specializuara për shuarjen e zjarreve në sipërfaqet pyjore. Shërbimi zjarrfikës ka vetëm 147 automjete zjarrfikëse, pjesa më e madhe të vjetruara, si dhe rreth 1300 punonjës, por asnjë avion zjarrfikës. Prej më shumë se një muaji, thuajse i gjithë territori i Shqipërisë është përfshirë nga vatra zjarri në sipërfaqet pyjore, kryesisht për shkak të temperaturave të larta. Pavarësisht ligjeve që kërkojnë alokimin e fondeve për shërbimet emergjente, investimet mbeten të pamjaftueshme, duke i lënë zjarrfikësit të luftojnë zjarret me pajisje të vjetruara. Në këto kushte të rënda pune, janë të shumta rastet kur vetë punonjësit e stacioneve zjarrfikëse janë të detyruar të improvizojnë automjetet e tyre të punës dhe përballen me mungesë të pjesëve në rast dëmtimi të automjetit.

Në Dibër të Maqedonisë së Veriut, zjarrfikësit me automjete të viteve të 70-ta

Në Dibër të Maqedonisë së Veriut, njësia antizjarr po përballet me sfida të mëdha për shkak të automjeteve të vjetëruara. Edhe pse kjo njësi shërben jo vetëm në komunën Dibër, por edhe në Qendër Zhupë, Mavrovë Rostush, dhe shpesh në vendbanimet kufitare të Shqipërisë, automjetet e saj janë prodhim të viteve të 70-ta.

Ky problem është diskutuar edhe në seancën e Këshillit të Komunës Dibër. Në raportin vjetor për vitin 2023, njësia antizjarr theksoi se objekti i stacionit është përmirësuar me zbatimin e një projekt të komunës Dibër nga rajoni planor jugperëndimor, por automjetet për shuarjen e zjarreve mbeten një problem madhor. Komisari i njësisë antizjarr, Xhetan Miftaroski, deklaron se automjetet janë të amortizuar dhe kanë nevojë për zëvendësim të menjëhershëm.

Kryetari i Komunës Dibër në Maqedoninë e Veriut, Hekuran Duka, shprehet se ka biseduar me institucione të ndryshme për të siguruar automjete të reja. “Edhe pse njësia ka marrë një automjet për shuarjen e zjarreve në zonat rurale përmes donacioneve ndërkombëtare, kjo nuk është e mjaftueshme për aktivitetet më të mëdha”, shprehet Duka.

Komisari i njësisë antizjarr, Xhetan Miftaroski, thotë se me patjetër duhet të sigurohet një shkallë hidraulike. “Qyteti tani ka objekte shumë të larta dhe ne me teknikën tonë nuk mund të intervenojmë meqë ajo është modeste. Automjeti me shkallë hidraulike për shuarjen e zjarrit është e nevojshme dhe ka nevojë të jetë me një gjatësi optimale. Ajo duhet të sigurohet dhe shpresojmë se kjo do të ndodhë shumë shpejt. Ka ndodhur që kemi patur ftesa nga disa bashkëqytetarë që kanë patur probleme me mbylljen e dyerve por ka patur edhe zjarre,” thotë ai.

Stacioni i Shërbimit Zjarrfikës në Dibër, Maqedonia e Veriut

Mërgimtarët dibranë në SHBA kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar në blerjen e këtij automjeti të veçantë. Në bisedat me disa prej tyre, tregojnë se do të kontaktojnë si me njësinë antizjarr ashtu edhe me pushtetin vendor, me qëllim që ta sigurojnë këtë automjet me shkallë hidraulike.

Njësia antizjarr e Dibrës ka dhënë një kontribut të rëndësishëm gjatë pandemisë COVID-19 duke larë rrugët dhe ndërtesat kolektive në Dibër. Gjithashtu, anëtarët e njësisë kanë marrë pjesë në aksione shpëtimi gjatë tërmetit katastrofal në Durrës.

Në Bashkimi Evropian, ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut synojnë të bëhen pjesë, shërbimi zjarrfikës është i konsideruar si një komponent thelbësor për sigurimin e sigurisë dhe mbrojtjes civile. BE-ja i jep një rëndësi të veçantë këtyre shërbimeve, duke e bërë të qartë se investimi në pajisje moderne, trajnimin e vazhdueshëm të personelit dhe përmirësimin e infrastrukturës janë prioritetet kryesore. Politikat e BE-së synojnë të sigurojnë që shtetet anëtare të përmbushin standardet e larta të cilësisë në shërbimet zjarrfikëse, duke ofruar ndihmë financiare dhe teknike përmes fondeve dhe programeve të ndryshme. Kjo mbështetje ka për qëllim të rrisë efikasitetin dhe kapacitetin e shërbimeve zjarrfikëse, si dhe të forcojë bashkëpunimin ndërkufitar dhe ndarjen e informacionit për menaxhimin e emergjencave. Në këtë mënyrë, BE-ja synon të përmirësojë aftësitë e shërbimeve zjarrfikëse për të përballuar më mirë sfida të ndryshme, përfshirë katastrofat natyrore dhe situatat emergjente të tjera.