Për njeriun që sillte lajmet…

562
Gafur Muka. Foto: Profili i tij në rrjetin ocial Facebook.

Nga Gafur Muka

Qamil Gjini ishte palaku (korieri) i fashatit Sopot.

Një burrë jo i gjatë, me fytyrë të rreshkuar, me një buzëqeshje të gjerë dhe të ngrohtë, me një fizik që nuk ndjente lodhje dhe me një hejbe në sup. Xha Mili gdhinte dhe ngryste ditët duke marrë porosi e dërgesa postare nga gjithë bashkëfashtarët e tij dhe duke u sjellë atyre lajme nga gjithë gjindja përtej kufinjve të fshatit.

Sa e mbaj mend unë ky, xha Mili, shkonte e vinte rrugëve të fshatit duke u ndalur tek të gjithë ata që kishin diçka për të marrë apo diçka për të dërguar. Diçkaja që sillte palaku ishin letrat që dërgonin, kryesisht bijtë e fshatit, të cilët ishin ose me shërbim ushtarak ose me studime. Po ashtu ishin dhe gazetat e revistat, në të cilat ishin abonuar individë të interesuar por edhe institucione të tilla si shkolla, këshilli i fshatit, kryesia e kooperativës etj.

Korrektësia e xha Milit si dhe papërtueshmëria e tij vlerësohej shumë nga të gjithë. Ata e mbanin në gojë me një respekt të veçantë, i cili përcillej edhe tek ne fëmijët e asaj kohe. Unë u lidha me xha Milin (si palak) në rrethana disi të çuditshme dhe, po ua them si.

Kur mësova të shkruaj e të lexoj doja të kisha materiale për të lexuar. Kisha vëllanë që ishte një vit më i madh se unë dhe jetonte si fëmijë i birësuar tek gjyshi im, i cili ishte i abonuar tek gazeta “Pionieri”. Ardhja e kësaj gazeta ishte një ngjarje e gëzuar për ne, pasi në të botoheshin mjaft materiale që ishin krijime pionierësh, krijime shkrimtarësh e poetësh që shkruanin për moshat e vogla, përkthime nga letërsia botërore për fëmijë si dhe kuriozitete, të cilat ne i lexonim me kërshëri të madhe duke ndjerë kënaqësinë që të jep leximi. Kështu edhe tek unë lindi dëshira për të lexuar gazeta. Duke u rritur mësova që përveç gazetës “Pionieri” kishte edhe gazeta të tjera, të cilat i merrte në postë dhe i shpërndante nëpër fshat xha Mili. Ishte pikërsht ky “zbulim” që ma bëri mua xha Milin njeri të veçantë dhe interesant, do të thoja. Puna ishte si do të merresha vesh me të që ai të m’i jepte mua gazetat ti lexoja dhe unë t’ja ktheja prapë pa i prishur punë.

Si pra?

Rasti e solli një të shtunë mbasdite. Ishte fundshtatori i vitit 1965. Kisha filluar klasën e pestë në shkollën 8 vjeçare “Ramiz Hyseni” në Zerqan. Gjyshërit e mi nga nana banonin në Zerqan, në lagjen e Libarazit. Unë duke shkuar në shkollë kaloja në rrugën që lidhte Sopotin me Zerqanin, rrugë që kalonte nëpër një vend që quhej “Varret e Hasmetjeve ose Tushjeve”. Shtëpia e gjyshërve te mi ndodhej përkundruall kësaj rruge, në distanca ajrore jo më shume se 300 m. Gjyshja ime e kishte zakon të dilte në oborr dhe, kur kalonin nxënësit në rrugën e përmendur, posaçërisht në kthim, pra nga Zerqani në Sopot, ajo thërriste emrin tim. Nëse unë do isha në grup do përgjigjesha nëse jo, shokët e mi i thonin gjyshes ose që ka ikur ose që vjen më vonë. Kur unë përgjigjesha ajo më ftonte për të shkuar andej dhe unë kisha detyrimin (kënaqësinë) që të haja drekën me gjithë çfarë kishte gatuar gjyshja. Natyrisht edhe për mua, si për çdo nip, gatimet e gjyshes ishin gjithmonë “për të lëpirë gishtat”. Edhe atë të shtunë unë kisha ngrënë drekë tek gjyshja dhe në kthim ecja me nge drejt shtëpisë sime në Sopot.

Duke ecur kisha gjetë një copë gazetë dhe po e lexoja. Befas dëgjoj një zë: a u lodhe me llaun? Ngrej sytë dhe shoh në krahun tim xha Milin. Më vuri dorën në shpatulla dhe pa pritur përgjigje vazhdoi: a të kishte ba ndonjë gjë të mirë gjyshja për drekë? Unë buzëqesha për t’i treguar që ishte ashtu siç po thoshte ai. “Do ja japësh Llaut çantën se je lodhur?. Jo, xha Mili, i thashë, nuk është e rëndë çanta e mbaj unë. Ai buzëqeshi siç e kishte zakon dhe i futi krahun çantës sikur të mos kish dëgjuar fare çfarë thashë. Ndërkohë copën e gazetës që po lexoja e mbaja në dorë. Pasi ecëm pak e palosa atë copë gazetë për ta lexuar më vonë.

Xha Mili e vuri re dhe më tha: çfarë po lexoje tek ajo copë gazetë? Kot i thashë, ishte një pjesë artikulli. Ke qejf t’i lexosh gazetat? Po, i thashë unë, pa u menduar fare. Xha Mili nuk më sugjeroi që të abonohesha tek ndonjë gazetë që doja ta lexoja. Ai e dinte që ne ishim shumë fëmijë dhe nuk kishim lek edhe për abonime në gazetat. Mirë me llaun, vazhdoi ai, çfarë gazetash të pëlqejnë më shumë? Qëndrova pak. Nuk e dija tamam tamam përgjigjen pasi unë…. Për ty-tha xha Mili, është e mirë gazeta “Zëri i Rinisë”. Unë e lexoja kur më binte në dorë por rrallë e gjeja. E mirë është-thashë unë edhe për të mos ia prishur xha Milit. Mirë me llaun-vazhdoi ai. Do ta jap unë gazetën. Del edhe të mërkurave edhe të shtunave. Atë të së shtunës ta jap ta lexosh në shpi dhe të dielën ma kthe ta çoj ke shkolla dhe tek zyrat e Këshillit sepse ato janë abonuar. Dhe pa e zgjatur, u ndal, hapi hejbet dhe nxorri gazetën. “Merre me llaun por kujdes se mos e zhubravit. Lexoje dhe ma sill nesër në shpi. Oh sa mirë më erdhi! Edhe pse nuk isha i kujdesshëm për t’i ruajtur librat, xha Milit i premtova se nuk do t’i zhubravisja fare gazetat.

Gazetën që mora po e mbaja në dorë me kujdes të madh si për të treguar se do ta dorëzoja ashtu siç e mora. Që atë ditë për mua xha Mili nuk ishte hiç palaku i fshatit. Ai ishte njeriu bibliotekë. Duke ma ditur dëshirën ai më jepte edhe gazetën “Drita”, edhe revistën “Nëntori” edhe revistën “Ylli” herë herë edhe “Zërin e Popullit”. Dhe unë i lexoja shpejt e shpejt që t’ia ktheja xha Milit ashtu siç mi jepte, pa i zhubravitur fare. Kështu u lidha me të mirin, të urtin, fisnikun dhe zemërbardhin Qamil Gjini. Gjatë gjithë viteve që unë vazhdova 8 vjeçaren ai nuk më ktheu asnjëherë duarbosh. Edhe gjatë pushimeve të verës kur unë vazhdova shkollën e mesme dhe më pas universitetin xha Mili ishte biblioteka ime e shtypit.

Ndërsa për të gjithë fashtarët e mi ai ishte lajmi që gjithmonë vinte nga PËRTEJ. Lajmi që u shuante mallin për fëmijët e larguar, që u hiqte merakun për shëndetin, që i gëzonte për sukseset e tyre që… Xha Mili nuk jeton më fizikisht. Ama lajmet që ai solli ndër vite janë kujtesë për të gjithë. Sa herë shkoj në fshat unë dua të ndalem pranë varrit të tij si për të lexuar “gazetën” ku është shkruar shumëçka nga jeta e Qamil Gjinit.