Që prej bllokimit të aksit kombëtar Librazhd–Prrenjas, një pjesë e konsiderueshme e udhëtarëve nga zonat e prekura kanë zgjedhur të udhëtojnë përmes Maqedonia e Veriut, duke përdorur pikën kufitare të Bllatës në Dibër. Kjo ka sjellë që prej dy ditësh të krijohen radhë të gjata si në hyrje, ashtu edhe në dalje. Pavarësisht se në këtë pikë kufitare po punohet me dy sportele në hyrje dhe dy në dalje nga pala shqiptare dhe ajo maqedonase, fluksi i lartë i mjeteve nuk po e ul dot kohën e pritjes.
Situata është pasojë direkte e paralizimit të aksit Librazhd–Prrenjas, i cili është mbyllur plotësisht për qarkullim pas rrëshqitjes së tokës në segmentin Arrat e Gurrës. Ky bllokim ka ndërprerë lidhjen më të shkurtër mes Tiranës dhe juglindjes së vendit, duke detyruar qarkullimin të devijohet në itinerare të tjera.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka konfirmuar mbylljen totale të trafikut pas përkeqësimit të situatës strukturore në këtë segment. Drejtori i ARRSH, Ami Kozeli, ka deklaruar se zona ka qenë nën monitorim prej javësh, por në 48 orët e fundit është konstatuar një përkeqësim i ndjeshëm.
Autoritetet kanë orientuar drejtuesit e mjeteve drejt itinerareve alternative, si Maliq–Lozhan–Strelc–Gramsh–Elbasan, si dhe Qafë Thanë–Pogradec–Korçë–Leskovik–Përmet–Tepelenë. Megjithatë, për mjetet e tonazhit të rëndë dhe për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve që kthehen nga Korça, Pogradeci apo zonat e tjera juglindore, alternativa më e përdorur është kalimi përmes Maqedonisë së Veriut, nga Qafë Thana drejt këtij vendi dhe më pas në Bllatë, përmes Rrugës së Arbërit.
Aksi Librazhd–Prrenjas është pjesë e Korridorit 8, boshti rajonal që synon të lidhë Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. ARRSH ka njoftuar se ka nisur procedurat për ndërtimin e një bypass-i provizor, por ende nuk ka një afat për përfundimin e punimeve.









