Paketa e Maleve: Qeveria shpall 16 zona në Dibër me përparësi për ekonominë malore me një sipërfaqe prej afro 16 mijë hektarë

756
Bjeshkët e Gramës, që ndodhen në vargmalin e Korabit në Dibër. Në qendër të fotos shihet Liqeni i Gramës, një nga liqenet akullnajore të zonës, i rrethuar nga kullotat alpine. Kjo zonë është pikërisht "Zona zhvillimore nr. 3" e listuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave për "Paketën e Maleve". Foto: Bashkia Dibër

Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për shpalljen e 16 zonave në territorin e Bashkisë Dibër si “Zona me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore”, në kuadër të zbatimit të ligjit “Për paketën e maleve”. Vendimi, i firmosur nga kryeministri Edi Rama, synon ti hapë rrugë për investime ekonomike, industriale dhe turistike.

Sipas vendimit, zonat e shpallura përfshijnë një sipërfaqe shumë të gjerë territoriale, që shtrihet nga Bjeshkët e Korabit, Hinoskës, Gramës e Zimurit, deri në Lurë, Rabdisht, luginën e Drinit dhe zona të tëra në njësitë administrative Selishtë dhe Luzni. Vetëm zona zhvillimore nr.15, që përfshin pjesë të Selishtës dhe Luznisë, ka një sipërfaqe prej mbi 8 500 hektarësh, duke e bërë atë ndër ndërhyrjet më të mëdha territoriale.

Qeveria argumenton se “Paketa e Maleve” është një instrument strategjik për të nxitur ekonominë rurale, për të zhvilluar turizmin e qëndrueshëm dhe për të frenuar shpopullimin masiv të zonave malore. Në fokus janë grantet për agroturizëm, subvencionet për blegtorinë, bletarinë dhe bimët mjekësore, përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe energjetike, si dhe lehtësitë fiskale për bizneset që investojnë në këto zona.

Në letër, Dibra duket si një nga përfitueset kryesore të kësaj pakete. Me potencial të madh natyror, traditë në blegtori dhe një trashëgimi të pasur turistike. Zonat si Korabi, Lura apo Rabdishti janë synimet kryesore.

Megjithatë, paralelisht me entuziazmin zyrtar, “Paketa e Maleve” ka hapur edhe një debat. Ekspertë të fushës dhe organizata mjedisore kanë ngritur shqetësime të shumta për mënyrën se si kjo nismë po zbatohet në terren – transmeton Bulqizaime.al

Zonat Zhvillimore në Bashkinë Dibër (Paketa e Maleve)

Një nga pikat më problematike lidhet me pronësinë. Në shumë zona të Dibrës, toka përdoret prej dekadash nga banorët sipas dokeve tradicionale ose ndarjeve të vjetra, por pa tituj të rregullt pronësie. Futja e investitorëve të mëdhenj në këto territore rrezikon të krijojë konflikte sociale, ku komunitetet lokale mund të mbeten të përjashtuara nga vendimmarrja dhe përfitimet ekonomike.

Një tjetër shqetësim lidhet me modelin e zhvillimit turistik. Ndërsa qeveria flet për bujtina familjare dhe turizëm të qëndrueshëm, kritikët druajnë se kriteret financiare dhe procedurat do të favorizojnë investitorë të mëdhenj, duke hapur rrugën për resorte masive dhe tjetërsim të peizazhit natyror. Në këtë skenar, banorët vendas rrezikojnë të shndërrohen nga pronarë dhe përfitues, në punëtorë sezonalë në tokat e tyre.

Shqetësimi kryesor lidhet me zonat e mbrojtura. Përfshirja e territoreve me vlera të larta natyrore, si Lura apo zonat alpine të Korabit, ka ngritur dyshime se “Paketa e Maleve” mund të përdoret si një mekanizëm për të zbutur kufizimet ligjore dhe për të lejuar ndërtime në hapësira që deri më sot kanë qenë të mbrojtura rreptësisht.

Po ashtu, kritikohet mungesa e konsultimit publik. Vendimi është marrë në nivel qendror, pa një proces të dukshëm dëgjimi me komunitetet lokale, të cilat prej vitesh kërkojnë zgjidhje për probleme bazike si rrugët dytësore, shërbimet shëndetësore dhe arsimi, përpara se të flitet për investime turistike në shkallë të gjerë.

Në këtë kontekst, shpallja e 16 zonave zhvillimore në Dibër mund të shndërrohet në një mundësi reale për zhvillim të qëndrueshëm dhe rikthim të jetës në zonat malore, por po aq lehtë mund të prodhojë konflikte pronësie, dëme mjedisore dhe përjashtim social, nëse zbatohet pa transparencë.

Nisma u prezantua për herë të parë si projektligj nga Këshilli i Ministrave më 9 Janar 2025. Propozimi erdhi si një bashkëpunim midis Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor. Në këtë fazë, ajo u prezantua si një “ftesë për diasporën” për të investuar në trojet e tyre të origjinës.

Më 13 Mars 2025, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin nr. 20/2025 “Për Paketën e Maleve”. Ky ishte hapi që e ktheu nismën nga një premtim politik në një detyrim ligjor.

Ligji hyri zyrtarisht në fuqi më 3 Maj 2025. Që nga ky moment, filluan të qarkullojnë udhëzimet e para për bashkitë se si duhet të identifikonin zonat prioritare ku do të zbatohej paketa (përfshirë kriterin e famshëm të 500 investitorëve të parë që përfitojnë lehtësi fiskale).