Pa identitet dhe nën presion, gazetarët punojnë në kushtet e informalitetit, thotë raporti

Një anketë e kryer nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit në maj 2020 por që u prezantua të mërkurën, vëren se kushtet e punës së gazetarëve po bëhen gjithnjë e më të vështira ndërsa mundësitë për mbrojtje ligjore të të drejtave të tyre janë të pakta.

421
Foto ilustrative nga freepik

Gazetarët shqiptarë po punojnë gjithnjë e më shumë nën kushtet e presionit dhe informalitetit, ndërsa nuk mungojnë as rastet e ngacmimeve seksuale në punë dhe fyerjeve. Dhe mbi 80% e tyre punojnë më shumë se sa 40 orë në javë, kohëzgjatja zyrtare e punës sipas legjislacionit shqiptar.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH) në bashkëpunim me USAID Albania dhe Ambasadën Britanike në Tiranë prezantuan raportin e studimit të kryer mbi shkeljen e të drejtave të punës që iu bëhen gazetarëve në redaksitë e mediave print, online apo audio-vizive ku ata punojnë, si edhe evidentimin e shkaqeve të mosreagimit të gazetarëve për të mbrojtur këto të drejta të tyre.

Rreth 70 gazetarë u intervistuan nga 10 qytete të ndryshme të Shqipërisë.

“Ky studim ka prekur çështje që deri tani kanë qenë të fshehura”, tha dr. Arben Muka nga Autoriteti Audio-Vizual i Medias Shqiptare (AMA) gjatë prezantimit raportit online të mërkurën.

“Gazetarët e rinj janë kryesisht ata që raportojnë kushte më të vështira pune sesa gazetarët me eksperiencë prej vitesh në fushë”, u shpreh Endrit Shabani, njëri prej bashkëautorëve të raportit.

Sipas raportit, ka shumë gazetarë të rinj dhe të vjetër, të cilët refuzojnë ta pranojnë si diçka normale shkeljen e të drejtave të tyre të punës, ashtu siç ka dhe një numër të konsiderueshëm që i pranojnë shkeljet si pjesë normale të punës.

Gazetarët e portaleve raportohet më shpesh që të punojnë në kushte informaliteti (pa kontrata pune), dhe anonimiteti. Kjo e fundit nuk i lejon që të mbrojnë të drejtën e tyre të autorit, por as edhe që të krijojnë një profil vetjak profesional, duke u bërë pjesë e barabartë e komunitetit të gazetarëve profesionistë.

Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës (ISHPSHSH), në vitin 2019 janë kryer inspektime në rang vendi në 47 subjekte mediatike private e shtetërore me 472 punonjës të evidentuar ose mesatarisht 10 punëmarrës për subjekt. Nga ky inspektim, kanë rezultuar vetëm 2% e punonjësve pa kontratë. Por studimet flasin për një shifër 15 herë më të lartë.

Sektori i medias karakterizohet nga një shkallë e lartë përqendrimi të pronësisë dhe shumë gazetarë ndihen se tregu nuk iu ofron alternativa më të mira punësimi.

Modeli i biznesit mediatik është i mbështetur në burime alternative dhe pjesa më e madhe e mediave nuk do mund të vetëfinancoheshin plotësisht nga reklamat. Për pasojë, interesat

e punëdhënësve shpesh janë të ndërlidhura me qeverinë. Në këtë marrëdhënie midis pronarëve të medias dhe qeverisë, gazetarët janë në një pozitë të dobët negociuese, çka i bën ata të pranojnë kushte të papërshtatshme pune, vëren raporti.