OPINION/ Minatorët e Bulqizës dhe hipokrizia politike e Sali Berishës – nuk harrohet dajaku madhështor i qeverisjes së tij

1227

Në fushatat elektorale, politikanët shqiptarë premtojnë gjithçka – nga “statusi i minatorit” e deri te “parajsa në tokë” – vetëm për të rrëmbyer një grusht votash më shumë. Vizita e sotme e Sali Berishës në Bulqizë, kësaj here si kryetar i Partisë Demokratike, ku vendosi një kokore blu minatori dhe premtoi “kartë konsumi” dhe “status dinjitoz” për punëtorët e nëntokës, është shembulli më i pastër i një paradoksi moral. Të flasësh për moral në politikën shqiptare është paradoks më vete – por le ta lëmë mënjanë këtë çështje për një moment.

Sali Berisha nuk ka asnjë të drejtë morale të akuzojë Edi Ramën për gjendjen e minatorëve të Bulqizës. Ai ka pasur të gjitha mundësitë kur ishte në pushtet (2005-2013), që të përmirësonte realisht jetën dhe punën e tyre. Tani, me një kokore në kokë dhe fjalë të mëdha në podium, mundohet të fshijë kujtesën kolektive.

Që ta bëj të qartë që në fillim, që mos krijojmë keqkuptime të panevojshme tek “truri” sa një gogël i militantit: Gjatë 12 viteve në pushtet, kryeministri Edi Rama nuk ka treguar asnjë nismë dinjitoze për minatorët. Kush ishte në takat dhe ka pasur mundësi, ka emigruar dhe nuk ka zgjedhur të punoj në minierë. Vdekjet në vendin e punës në sektorin minerar janë në nivele të frikshme. E fundit para pak ditësh në Klos. Pavarësisht premtimeve të përsëritura për “statusin e minatorit”, përmirësimin e kushteve të punës apo ndihmën për familjet e viktimave në miniera, qeveria e tij ka dështuar, sa nga mungesa e vullnetit e sa nga lidhjet me oligarkinë që t’i japë zgjidhje problemeve me të cilën përballen këta punëtorë të nëntokës. Përkundrazi, situata në zonat minerare si Bulqiza ka mbetur po aq e rrezikshme dhe e pasigurt sa më parë. E pa folur për pensionet që janë në kufinjtë e qesharakes – për njerëz që kanë punuar me dekada nëntokë.

Nejse. Dalim në temë.

Përballë atyre pak minatorëve të lodhur nga puna që ishin në miting, Sali Berisha në Bulqizë nuk foli si një ish-kryeministër që kishte në dorë t’i zgjidhte problemet e tyre, por si një populist që kërkon të fshijë kujtesën kolektive me premtime elektorale.

Në janar 2011, minatorët e Bulqizës protestuan për pagat e ulëta, mungesën e kushteve minimale të sigurisë dhe shkeljen e marrëveshjeve kolektive. Qeveria e Berishës i cilësoi në atë kohë “të nxitur politikisht”, ndërsa policia ndërhyri me forcë për të shpërndarë protestën. Për nxitjen, jo se nuk kishte një far të drejte sepse koha e tregoi se ata që i vendosën “gjoksin” protestës, u kthyen në matrapazët dhe zengjinët e pas vitit 2013-të. Asokohe, ai nuk u takua kurrë me minatorët dhe nuk kërkoi asnjëherë ndjesë për dhunën shtetërore ndaj tyre.

Aleanca madhështore e asaj kohe PD dhe LSI, me forcat e policisë ju dha një dajak dhe trajtim minatorëve, që do të mbahet mend gjatë në kujtesën kolektive të këtij qyteti të vogël.

Sot, Berisha kërkon “t’i kthejë borxhin” minatorëve. Por borxhi nuk kthehet me kokore simbolike dhe fjalë boshe. Ai nuk ka kërkuar asnjëherë ndjesë për mënyrën se si i ka trajtuar ata – dhe si duket as nuk ka ndërmend ta bëjë.

Kokorja e Berishës në Bulqizë është thjesht një maskë elektorale, siç duket në betejën e tij të fundit politike. Në këtë teatër politik, ai luan rolin e populistit që kërkon të fshijë kujtesën, ndërsa Edi Rama vazhdon spektaklin e vet të harresës institucionale. Në këtë lojë, minatorët mbeten gjithmonë viktima – të pushtetit të djeshëm dhe të sotmit.