Një qytet ndryshe

804

*Nga Erjona Keta

Qyteti im që mbart mbi vete qindra detaje të këndshme, por edhe të dhimbshme. Qyteti im i vogël, që mbart mbi vete njerëz të mëdhenj, intelektualë, te mire, të ndershëm, punëtorë, pijanecë, të papunë, llafazanë, pleq, të rinj, fëmijë…Qyteti im i vogël që çdo ditë pret e përcjell njerëz të ndryshëm nga çdo vend që gjithashtu, kafenetë i ka të mbushura plot e përplot me ngjyra mashkullore. Rrugë që mbajnë mbi vete plot ecje të nxituara, të lodhura…Hapa që mësojnë të ecin e hapa që ndoshta kalojnë për të fundit herë nëpër ato rrugë.

Makina që fillojnë e rrallohen në orët e vona të natës dhe mbesin aty thuajse vetmitarë, dy-tre të pagjumë që i prishin qetësine natës së vobektë. Pemë të shumta që bëjnë hije gjatë pikut te vapës dhe diellit përvëlues e pemë që na hedhin shi e deborë fytyrës kur çmendet e tërbohet. Pemë që dëgjojnë muhabetet e pafundme të grave, të cilat me qese nëpër duar ndalen e bisedojnë gjatë me njera-tjetrën. Dyqane të ndryshme, ku produkti që shitet më lehtë, më shpejt dhe më shumë është duhani. Kaq të dëshpëruar këto njerëz?!

Djem të rinj që nuk bëjnë asgjë tjetër përveç se ulen në kafene apo tymosin diçka qosheve. Nga ana tjetër janë vajzat, shpirti i të cilave shpërthen në energji e ajo energji shkon vetëm në punët e përditshme të shtëpisë. Shkollat, shkollat janë ato vende të cilat shfrytëzohen dhe kthehen në vende ku zhvillohen dhe organizohen parada mode për këto bukuroshe që përpos shkollës nuk kanë tjetër vend për të marrë sadopak frymë. Pastaj, pas mbarimit të mësimit vijnë ato momentet kur këto vajza shëtisin së bashku me shoqet apo me mamatë e tyre por përgjithësisht ndeshen me fytyrat e vrenjtura të vëllezërve fanatikë që s’ju pëlqen ta shohin motrën e tyre në rrugë edhe pse të shoqëruar.

Sa inat!!! Janë pikërisht keto tipe “vëllezërish” që nuk hezitojnë të ngacmojnë një vajzë krejt normale në rrugë e po në moshë të motrës së tyre. Ja pra përse këto vajza gjejnë shkollën si vendin për t’u çliruar sadopak nga zymtësia dhe rreptësia e vëllezërve të tyre. Dashuri që lindin nëpër shkolla dhe lagje dhe që vajzat më pas  zhyten në probleme me vëllezërit pasi fjalët e atyre që nuk kanë me ç’të merren zënë një kontribut të veçantë në vijimin e zënkave midis tyre. Këto dashuri më pas kthehen në lot, inate, mllefe që shumë vajza bien në gjumë duke mallkuar mentalitetin tonë që sado e shajmë, jemi po ne ato që e krijojmë.

Sa mirë që kam një familje mendjehapur në këtë drejtim. Ato që i vret mentaliteti do të largohen me studime ose me punë. Disa do të rriten, disa do të plaken e ndoshta do të vdesin po këtu. Por nëse t’i ndryshon nuk do të ketë më kështu detajesh tipike. Nëse nuk kthehesh dot atëherë qëndro në vend pasi ndryshimet e mëdha nuk janë për qytetet e vogla si qyteti im. Edhe pse i vogël, unë jam mësuar ta shoh qytetin tim si vendin e krijimit të miqësive dhe dashurive të mëdha edhe pse ndonjëherë nuk kanë përfunduar siç do të donte gjithsecili prej nesh për veten e tij.

Po marr njëherë mundimin të dal nga dera e shtëpisë nga ku shpesh dilja plot gaz, plot mërzi apo plot ndjenja të çuditshme fëmijërie apo adoleshence. Ec mbi rrugët ku merrja ngacmime nga më ordineret e deri më të këndshmet nga rinia e qytetit. Ec mbi rrugët ku shpaloset një pamje e trishtë, njerëzit shmangen dhe bëjnë sikur nuk e njohin njëri-tjetrin. Ehhh…sa shtrenjtë na kushtuaka tek ne një buzëqeshje! Një buzeqeshje të paktën…Po ndalem pak të vështroj fenomenet e ndryshme sikur të jem duke e pikturuar pasi jo gjithçka mund te jetë bardhë e zi. Brenda meje kam piktura të mrekullueshme të qytetit tim. Një koleksion i madh që fillon me shtëpinë time të këndshme në një vend të mirë të qytetit, ku nga ballkoni dhe dritarja në mëngjes shihen qartë nxënësit që shkojnë e vijnë nga shkolla, grupmosha nga më të ndryshmet ku pasditeve femijët janë ato që e kalojnë disi normalen me lojrat dhe zhurmat e tyre.

E largoj disi mendjen nga këto pikturat e ndërthurura kaq bukur në imagjinatën time e tani po kaloj në një nga lokalet më të populluara të qytetit, aty ku rrinë gjinia zotëruese e fuqiplotë: meshkujt. E cila është ajo femër që nuk është përgojuar përpara tyre? Cila femër ka kaluar pa u vënë re? Cila është ajo që kaloi nxitimthi dhe nuk u pa nga koka te këmbet? Cila pra është ajo që kaloi pa i bërë rezymenë e jetës së saj sentimentale? Por në shumë raste ndodh që më shumë rreth jetës së këtyre femrave kanë informacione këto djem që përpos qëndrimit në kafene nuk dinë gjë tjetër sesa vetë vajzat në fjalë. Po iki edhe nga këtu e po i lë të përrallisin me mendjet e tyre pasi fundja nuk mund të bejne gjë tjeter veç fjalëve të nxjerra aq bukur prej tyre. Po kaloj njëhere nga lagjja ime, por jo vetëm, të dëgjoj ndonjë koment për zotesinë e babait, të degjoj sa të mirë e kam familjen, të degjoj ndonjë thashethem të nxjerre për ndokënd të njohur. Po merzitem edhe këtej…Po dal nga kjo lagje. Po eci anës shkollës, anës dijes. Veçse dijen rrallë e shoh të ulur nëpër banka. Shoh nxënës që përpos kalimit të kohës dhe vendit të ekspozimit të rrobave të tyre nuk e shohin shkollën në ndonjë këndvështrim tjetër. Po lodhem nga kaq shumë verdallosje e po e marr sërish rrugën për në shtëpi edhe pse e shoqëruar nga komente nga më të ndryshmet nga të tjerë persona.

Mbasditja po kalon shpejt për t’i lënë vend natës e bashkë me të edhe gjumit dhe qetësisë së qytetit. Po bie edhe une të fle bashkë me këtë qetësi dhe shpresoj që nesër kur të zgjohem të shoh e të takoj njerëz të jenë bërë pak më shumë mendjehapur se ç’ishin sot…