Një përmendore me debat

1805
Gjatë inagurimit të përmendores më 28 nëntor 2022 në Gjoricë nga kryetari i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla dhe bashkë me Kryetaren e Këshillit të Qarkut Dibër, znj.Valentina Haliti. Foto: Bashkia Bulqizë

Nga Haki Pernezha

Këto ditë në zonën e Bulqizës është vendosur një përmendore e titulluar “NËNTË MALET E DIBRËS”. Çdokush që e mëson këtë fakt, në pamjen e parë, ndihet mirë dhe falenderon nismëtarët ndërsa kur ta shohësh më në hollësi me keqardhje dallon, të paktën ngutje në “kompozimin” e pllakatës së vendosur në këtë përmendore. Pa dashur aspak të relativizoj vlerën e punës së bërë, miqësisht dua të bëj ndonjë vërejtje të cilat ndoshta shkojnë në drejtim të përmirësimit të punës në rast të zëvëndësimit të asaj pllakate. Duke lexuar në pllakatë, mendoj se duhen ndryshuar disa “përcaktime” me vlera historike. Po i paraqesë në mënyrë të përmbledhur:

1. Malet e Dibrës lindën “Në gjysmën e shekullit të 18…” Kjo bie ndesh me atë çfarë kanë shkruar shumë studiues.

-Kristo Frashëri: “Gjat pjesës së parë të shek XV…e ndihmoi Gjon Kastriotin ti shkrinte Malet e Dibrës e Matit dhe Kurbinit në një…” dhe po aty: “Mali dibran na kujton bashkësinë krahinore me të njëjtin emër që egzistonte para sundimit turk…” (K. Frashëri në Konf. komb.e stud. etnog. fq 239)

-Selami Pulaha: “Në shekullin XV-XVII… nevoja e malsive të lira për tu mbrojtur nga depërtimi osman dhe për tu vetqeverisur …mori formën e bashkimit në Krahina të vecanta të një vargu fshatrash…” Konf. komb e stud etn, fq 156

-N. Bardhoshi: “Zonat, (në rastin tonë Malet HP) kishin funksionuar si njësi principatash, ose si njësi autonome në kuadër të Perandorisë Osmane.” Tek “Antropologjia e kanunit” fq 123. Pra Malet e Dibrës nuk lindën në gjysmën e shek 18.

2. Më poshtë në pllakatë, për Malet shkruhet : “Ato ishin forma organizimi shtetrore…”(!) Kjo thënie bie ndesh me qëllimin dhe funksionin e Maleve (apo Krahinave) të Dibrës. Pra, Malet e Dibrës nuk ishin forma shtetrore por ishin një realitet që Perandoria Osmane u detyrua t’i njohë me kohë.

3. (Malet apo Krahinat HP) “…kishin krahun e tyre të armatosur.” Ky pohim lidhet me atë që në gojën e popullit dhe të studiuesve të periudhës ndryshe quhet “Djelmënia dibrane” dhe se cili ka qënë roli dhe veprimtaria e saj është shkruar shumë. Pra, mendoj që ky pohim nuk e ka vendin në këtë pllakatë.

4. Aty ku flitet për “…kuvendin e malit…”, besoj që është një fjali e ndërtuar jo në funksion të gjithë idesë për të cilën është ndërtuar objekti. Mendoj se nëse duhej shënuar diçka për Kuvendet e Maleve, mund të thuhej se ato apo aty, caktoheshin komandantët dhe udhëheqësit e luftës.

5. Në pjesën ku renditen Malet mungon Muhurri. Kjo s’duhej të ndodhte. Përveç gabimit me Muhurrin, mendoj se edhe renditja e bërë është ndryshe nga çfarë jemi mësuar të dëgjojmë nga populli a të lexojmë. Zakonisht kur numërohen Malet respektohet vendndodhja e tyre dhe përmenden me radhë nga Reçi deri në Bulqizë ose anasjelltas. Një përmendje e tillë, pa ”rend” gjeografik, mendoj, krijon debate të panevojshme.

6. Formula e betimit të plakut, e shënuar në pllakatë, mendoj se nuk duhej shënuar fare aty. Vertët që “plaku” si institucion i Vetëqeverisjes së Maleve kishte rol, por ai nuk ishte i vetmi. Për këtë arsye ai shënim duhej të shmangej.

Këto ishin disa nga përmirësimet që unë mendoj se duhet t’i bëhen tekstit në pllakatë nëse ajo është menduar të zëvëndësohet.