Një përmendore e Skënderbeut për betejat e Vajkalit

1081

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Iniciator për monumentin

Bijtë dhe bijat e Bulqizës kishin vite që i mundonte një shqetësim. Skënderbeu në luginën e Bulqizës kishte zhvilluar dy nga betejat më të rëndësishme dhe kishte fituar në vargun e betejave të tij. Ndaj dhe u mblodhën dhe e rrahën gjatë mendimin. Të gjithë ishin të një zëri për t’u hedhur në veprim e për të lartësuar Skënderbeun tek gurët e rrëzuar në fushë. Iniciator për vendosjen e monumentit u bë Asllan Daxha, si dhe me mbështetjen financiare të disa prej investitorëve po nga Bulqiza. Monumenti do të shërbejë për të kujtuar betejat epike që janë zhvilluar në Fushën e Vajkalit. Monumenti mori mbështetje të gjerë nga Bashkia e Bulqizës, studiues të historisë, shoqata atdhetare e Bulqizës, e plot qytetarë të tjerë. Përpjekje të mëdha bëri dhe ish ushtaraku, koloneli në rezervë, Hazis Keta, i cili ishte moderatori i këtij aktiviteti disamujor.

Historia e betejave të Vajkalit

Midis viteve 1464 dhe 1465 u zhvilluan dy betejat e Vajkalit që u fituan nga Skënderbeu, kundër Ballaban Pashës. Në betejën e parë, në fushën e Vajkalit të Bulqizës, ndonëse Ballabani u mund, ai arriti të kapte me pusi disa komandantë të ushtrisë shqiptare ndër të cilët edhe Moisi Arianitin (Golemin), të cilët u ekzekutuan mizorisht. Betejat e tjera, u zhvilluan në Fushën e Vajkalit, Bulqizë që përfunduan me humbjen e forcave të Ballabanit. Skënderbeu zgjodhi Fushën e Vajkalit për të luftuar, falë pozicionit strategjik që kishte, për të sulmuar dhe për t’u mbrojtur. Vëmendje Skënderbeu u kushtoi përcaktimit të vendit dhe mënyrës së përdorimit të borizanëve dhe britarëve. Këto mjete u përdorën për qëllime mashtrimi dhe në të tilla përmasa për herë të parë, mbasi mendohej, siç shkruante Barleti, që me zhurmën e tyre, osmanët të vdisnin nga frika, duke kujtuar se po sulmoheshin nga gjithë fuqitë e Epirit, së bashku me ato të Dalmacisë.

Në foto: Fusha e Vajkalit

Me këtë ndarje forcash Skënderbeu i dha një goditje të fuqishme dhe shpartalloi repartin e Hamzait. Terreni ndikoi për ndarjen e forcave shqiptare. U mbajt parasysh synimi që gjatë veprimeve luftarake forcat të pësonin sa më pak humbje. “Skënderbeu, po i ndante radhët dhe forcat e veta, shkruan Barleti, me qëllim që të mos pësonin ndonjë dëm e të mos shteronin. Grupimi kryesor, i udhëhequr nga Skënderbeu, zbriti në Tumenishtëza pa u diktuar. Në kohën e caktuar, goditi forcat armike në pjesën qendrore të kampit. Pasi i asgjësoi, shkoi në ndihmë të forcave të grupimit të Moisiut, duke e vënë armikun midis dy zjarreve. Me shpartallimin përfundimtar të armiku, një pjesë e forcave të këtij grupimi e ndoqi atë dhe, në bashkëveprim me pritat e popullin, e asgjësoi kundërshtarin gjatë ikjes. Grupi i rojeve të pritave, i përbërë nga këmbësorë, kishte detyrë të rrethonte kampin nga të gjitha anët, të vendoste prita në vendkalimet, qafat dhe luginat. Detyra e tij ishte që me burijet dhe brirët të shkaktonte zhurmë sa më të madhe dhe, kur ushtria armike e shpartalluar të fillonte tërheqjen, të asgjësonte, në bashkëveprim me popullin, grumbujt e ushtarëve të shpërndarë.”

Veprime luftarake të luftës psikologjike

Afrimi i forcave shqiptare dhe hapja e tyre në vija të përshtatshme për mësymje u bë pa u zbuluar nga armiku. Rojet armike u vranë në gjumë e sipër, të tjerët atje ku s’e prisnin, përveç njërit. Ishte pikërisht ai çast i përshtatshëm, që Skënderbeu e përgatiti për një kohë të gjatë dhe arriti ta gabonte armikun dhe ta sulmonte andej nga nuk e priste. Skënderbeu në krye të grupimit kryesor, kur e pa se u zbulua, urdhëroi këmbësorinë të shpejtonte hapin që të kompensohej koha e humbur, për shkak të alarmit që dha roja, pra t’u hiqej armiqve çdo mundësi për organizim. Këmbësoria shqiptare ishte e pajisur një pjesë me dyfekë dhe pjesa tjetër me harqe. Larghedhja e këtyre armëve në atë periudhë arrinte nga 75-100 m. Pra ushtria shqiptare nuk e kishte arritur këtë largësi kur u dha ky urdhër. Skënderbeu mund të hynte në luftë edhe vetëm me kalorësit, por krahas asaj që do të përgjysmohej forca e grupimit, kalorësit do të mbeteshin të pambuluar nga zjarri i këmbësorisë, dyfekët dhe shigjetat.

Në çastin që grupimi kryesor u hodh mbi kampin armik, britma u lëshuan nga të gjithë, sipas fjalës që kishin bërë, dhe një buçitje doli nga borijet, me qëllim që edhe armikut… t’i kallnin tmerrin. Në këtë rast kemi të bëjmë me luftën psikologjike, e cila ishte studiuar mirë dhe ndikoi shumë në arritjen e fitores. Britmat, borijet dhe brirët shërbyen edhe për dy qëllime të tjera. E para, t’u jepej sinjali pritave në gryka, qafa e male, që të fillonin zhurmën me mjete të njëllojta, që osmanët të besonin se ishin rrethuar nga të gjithë anët prej një ushtrie të madhe dhe e dyta, të shërbenin si sinjal për futjen në luftim edhe të dy grupimeve të tjera.

Goditja e befasishme e Skënderbeut

Sulmin e parë të Skënderbeut, siç njofton Barleti, e priti Hamzai, i cili i ndodhur në mbledhjen e këshillit vrapoi fluturimthi për tek të vetët dhe po përpiqej t’i nxiste të gjithë për të rrëmbyer armët dhe për të patur kurajë të madhe për fitore. Ndërkohë Isa bej Evranozi nuk luajti nga vendi, derisa u radhit ushtria. Koha që ai humbi për të mbledhur forcat dhe për t’i radhitur ato në tri radhë, i mjaftoi Skënderbeut për të asgjësuar një pjesë të armiqve dhe për t’i detyruar të tjerët të merrnin arratinë. Kjo i dha mundësi Moisiut të afrohej e të ndiqte me vëmendje veprimet e Isa bej Evranozit. Megjithëse mendimi i Hamzait ishte i saktë nga ana taktike, ai nuk mundi ta realizonte atë për shkak të dy faktorëve që u përgatitën dhe u shfrytëzuan me mjeshtëri nga Skënderbeu. Nga detyra që iu vu grupimit të Moisiut del e qartë se sulmi duhej të bëhej pasi të godiste grupimi i Skënderbeut dha ta mbante komandantin osman të mbërthyer rreth çadrave të tij. Pjesa e armiqve që ishin shpërndarë në fushë dhe që u goditën nga grupimi i Gjok Stres Balshës, u asgjësuan ose vrapuan drejt kampit, ku pjesa më e madhe u zunë rob ose morën arratinë nga frika.

Ky veprim i Moisi Golemit e detyroi Isa beun të kthehej përsëri në kamp, pa pasur mundësi t’i shkonte në ndihmë Hamza Kastriotit. Me gjithë përpjekjet, Moisiu nuk ia arriti qëllimit që ta asgjësonte përfundimisht Isa beun. Prandaj Skënderbeu, pasi i dha arratinë Hamzait dhe urdhëroi kapjen e tij rob, në krye të 1.000 këmbësorëve dhe të pak kalorësve, sepse pjesa tjetër po vazhdonte asgjësimin e armiqve që iknin, vrapoi në ndihmë të Moisiut. Ndihma e menjëhershme e Skënderbeut, si dhe përdorimi përsëri i dyfekëve nga këmbësoria e Moisiut, e dërrmuan fuqinë e kampit të Isa beut. Vetë Isai ua kishte mbathur këmbëve bashkë me të tjerët, ndonëse një pjesë e oficerëve kryesorë që e shoqëronin ranë rob në duart e shqiptarëve. Me shpartallimin përfundimtar të kampit dhe pas arratisjes së komandantit osman filloi ndjekja, asgjësimi dhe kapja rob e ushtarëve. Vetë Skënderbeu, në krye të një pjese forcash, e ndoqi këmba-këmbës Isa bej Evranozin. Rojet shqiptare të vendosura në male, prita, borizanë, brirëtarë, popull, vranë ose kapën rob një pjesë të mirë të forcave armike, që kishin marrë arratinë të tmerruar e të shpartalluar. Kështu përfundoi një nga betejat më madhështore që ka zhvilluar populli shqiptar dhe ushtria e tij nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Beteja zgjati rreth 6 orë. Barleti thotë se “ajo filloi kur dielli sapo kishte lënë mesin e qiellit dhe përfundoi kur bashkë me armikun që ishte shpartalluar, iku dhe vetë dita.”

Monumentit tek “Gurët e Skënderbeut”

Tashmë mendimi u bë realitet. Në Fushën e Vajkalit, tek “Gurët e Skënderbeut” në Bulqizë, u ngrit përmendorja e Skënderbeut, me një lartësi prej 3 m dhe gjerësi 2.5 m, vepër e realizuar nga skulptori bulqizak, Etmond Balja dhe e derdhur në beton nga Agli Sefa. Vepra përfaqësohet nga tre gurë ku në gurin qendror është figura e Skënderbeut, luftarak, me shikim të përqendruar nga fusha e luftimit dhe me vetulla të ngrysura që përshpejton me fitore përfundimin e betejës.

Në foto: Majtas Geri Emiri dhe djathtas Sami Curri, realizuesit e dokumentarit për betejat e Skënderbeut në Vajkal. Në mes, Kryetari i Shoqatës Bulqiza, Bashkim Lami

Në krah të Skënderbeut qëndrojnë dy gurë me shpatat e tij. Bashkia e Bulqizës së bashku me shkollën e mesme kishin përgatitur një program artistik si dhe u shfaq dokumentari historik për figurën e Skënderbeut, të përgatitur me mjeshtëri nga studentët diplomatë Sami Curri dhe Geri Emiri. Në fund bashkia dhe sponzorizuesit shtruan një drekë te Hotel Pishat.