Një minator mbetet i bllokuar në galeri pas shembjes së masivit shkëmbor

3948
Grupi i shpëtimit në galerinë ku është bllokuar një minatorë. Foto: Sami Curri

Tekniku i një galerie të nxjerrjes së kromit në Bulqizë mbeti i bllokuar në minierë pas shembjes së një masivi shkëmbor mesditën e të mërkurës. Policia njoftoi se ngjarja ndodhi rreth orës 12.10 minuta. Ndërkohë u mësua se në galeri është bllokuar Muharrem Plaku 60 vjeç, i cili punonte si teknik në galerinë ku ndodhi aksidenti.

BIRN mësoi se ngjarja ndodhi në galerinë e kompanisë “Kaduretex Sh.p.k”. Shkaqet e aksidentit janë ende të paqarta.

Në vendin e ngjarjes prej mesditës ndodhet një grup i avaro-shpëtimit, të minierave, i cili po punon për pastrimin e galerisë, për t’i ardhur në ndihmë minatorit, që dyshohet se është bllokuar brenda saj.

Ky është incidenti i tretë në minierat e Bulqizës në më pak se një javë. Situata e sigurisë në minierat e kromit është prej kohësh me probleme. Vetëm vitin që shkoi në Bulqizë u shënuan 5 të vdekur në galeri dhe 28 të plagosur.