Nëntë malet dhe Topalltia e Dibrës

2219
Malësorët e Veriut në mbrojtje të pavarësisë në vitin 1912

AUTOR: Fatos DACI | Pjesë nga libri “Enciklopedia  e Dibrës”

Ndarja figurative e Dibrës, në Male dhe Topallti

Në gjysmën e dytë të shekullit të 18-të, Dibra, ndahet në dy njësi gjeografike. Si kriter për këtë ndarje shërbeu nënshtrimi ose jo ndaj pushtetit dhe autoritetit turk.

Në trashëgiminë gojore dibrane kjo ndarje shpjegohet kështu: Pashai   turk, i asaj kohe, sikur kishte bërë me anën tjetër, kërkoi që tek ai të paraqiteshin edhe Malet burrë për shtëpi. Malësia, ana e majtë e rrjedhjes së Drinit të Zi, dërgoi para pashait vetëm tre përfaqësues, të cilët ishin : një i mençur, një sullxhi  (pajtimtar) dhe një trim i marrë. Këto tre persona alternuan veprimet e tyre para pashait turk dhe i bënë të ditur atij se Malet e Dibrës nuk i nënshtrohen. Kur pashai turk i kërcënoi përse nuk ishin paraqitur të tjerët, sipas njoftimit, burrë për shtëpi dhe u tha se do t’i fuste në burg edhe ata  që kishin ardhur, trimi i marrë i vuri pashait turk pushkën në fyt. Në çast ndërhyn sullxhiu, duke i thënë shokut të tij se do ta zgjidhnin pa luftë këtë punë. Ndërsa i mençuri, kur pashait turk i kishte ikur truri, i tha atij: “Kur tre vetave nuk iu bënë dot ballë, po sikur të kishin ardhur  para teje burrë për shtëpi, si do të kishe bërë?!” Pashai, deshi s’deshi, u dorëzua. Ata ikën e Malet as iu paraqitën pashait, e as iu bindën Turqisë.

Por, është i   rëndësishëm fakti  se vërtet Topalltia  iu nënshtrua turkut, por kohë  më vonë, u bë flamurtarja  e qëndresës antiosmane në Dibër, organizatorja dhe koordinatorja  e të gjithë veprimeve luftarake me armë kundër perandorisë osmane, si dhe e përhapjes së qytetërimit dhe arsimit te dibranët.

Topalltia:

“Për nga shkalla e shtrirjes së sundimit turk, Dibra ndahej në dy pjesë të saj, qyteti i Dibrës së Madhe, Reka, Krahina e Zhupës e Koxhaxhikut, fshatrat në lindje të rrugës Dibër-Peshkopi dhe Golloborda që paguanin taksat dhe ndonjëherë jepnin ushtarë, quheshin Topallti. [1] Sipas Haki Sharofit “Topallti quhej ajo pjesë e Dibrës që kishte pranuar e njohur disi sundimin turk, d.m.th. paguante vergji, të dhjeta e xhelep dhe, ndonjëherë më rrallë, jepte edhe ushtarë. Në këtë pjesë hynte Qyteti i Dibrës, Reka, Krahina e Zhupës, e Koxhaxhikut, katundet në lindje të rrugës Dibër-Peshkopi dhe Golloborda Lindore” .[2]

Malësia

“Nëntë Malet”

Kështu, Malet e Dibrës lindën si nevojë e rezistencës antiturke dhe qenë forma organizimi shtetëror vetëqeverisës për atë periudhë. Malet, si njësi administrative vetëqeverisëse, ashtu si dhe bajraqet në disa pjesë të vendit (edhe në Lurë), lindën në shekullin XVII. [3]. Malet kishin edhe krahun e vetë të armatosur për rast lufte, dhe kur jepej kushtrimi për luftë kundër pushtuesit, mobilizimi bëhej “burrë për shtëpi” ose “burrë për pushkë”. Vendimet merreshin në Kuvendin e Malit, ku caktohej edhe komandanti ushtarak dhe shtabi i luftës.[4]

Këtë e dëshmojnë të gjithë dokumentet e kohës, si dhe studimet e mëpastajme .

Krahinat  që nuk iu nënshtruan asnjëherë pushtuesit u quajtën  “ Male”. Në fillim, Dibra kishte shtatë “Male”, të cilat qenë Reç e Dardhë, Çidhën, Luzni, Muhurr, Katër-Grykët, Gryka e Madhe dhe Gryka e Vogël. Më pas u nda Mali i Reçit e Dardhës dhe u krijua Mali e Reçit dhe Mali i Dardhës, si dhe Gryka u Madhe u nda në dy Male të tjera Gryka e Madhe dhe Bulqiza.

Grykë e Vogël kishte të parë Demën, Grykë e Madhe kishte të parë Shehun, Bulqiza  kishte të parë Dalip Karajn dhe Katër Grykët kishin  të parë Gazihanin, Reçi kishte të parë Trocin, Dardha kishte të parë Ndreun, Çidhna kishte të parë Alinë, Muhurri  kishte të parë Hoxhën dhe Luznia kishte të parë Murren” [5]

Haki Sharofi e përcakton kështu Malësinë me “Nëntë Malet” e saj: “Malësia e Dibrës, merrte emrin “Nandë Malet e Dibrës” që emëroheshin kështu :Reçi, Dardha, Çidhna, Muhurri e Luznia në Dibër të Poshtme dhe Gryka e Vogël, Gryka e Madhe, Bulqiza e Katër-Grykët në Dibër të Epërm. Katër Grykat janë Selishta, Qafa e Murrës, Lukani e Kacnia. Veç këtyre kanë qenë numëruar Malësi edhe Golloborda Perëndimore e Martaneshi”[6].

“Nëntë Malet  ” e Dibrës i njihte dhe Stambolli, ai i sundonte me shumë takt e marifet, herë me t’urtë e herë me t’egër e me ekspedita ndëshkimore, ua ndërronte vartësinë, ose me Sanxhakun e Ohrit, ose nën atë të Prizrenit. Edhe Valiu i Shkodrës shumë herë përzihej në punët e Dibrës.”[7] “Nëntë Malet, më vonë janë drejtuar edhe nga Vilajeti i Manastirit.

“Malet” janë shprehje etnografike, por “Malet” janë organizime, forma vetëqeverisje të malësorëve, organizim kundër sundimit turk. “Malet” emërtoheshin me emrat e qendrave më të rëndësishme të krahinës. Vendimet më të rëndësishme merreshin në Kuvendin e Malit, ku merrnin pjesë burrë për shtëpi. Ligji i “Malit” ishte Itifaku, që zbatohej me rreptësi nga të gjithë. Dibra ka “Nëntë Male”.

‘Male” kishte dhe në krahina të tjera të Veriut. Shtatë “Malet” e Veriut që rezistonin kundër turqve së bashku ishin : Tejmali i Shkodrës, Kelmendi, Dukagjini i Shalës, Iballa e Pukës, Shpali i Mirditës, Çidhna e Dibrës dhe Pllajsi i Matit  dhe mblidheshin në Gomsiqe të Pukës. Kuvendi i parë i Maleve të Veriut është mbajtur në shekullin XV. “Malet” ranë në ujdi me turqit përsa më poshtë:

1.Myslimanë të ktheheshin sipas dëshirës dhe jo me forcë.

2.Të mos jepnin asqer e të mos paguanin haraç.

3.Kush donte të shkonte në Itali ose në ndonjë vend tjetër të lihej i lirë.

4.Malet do të ndihmonin turkun sa herë që ai të kishte luftë më ndonjë fis të Ballkanit.[8]

Në Malet e Dibrës dhe në krejt Dibrën është zbatuar Kanuni i Skënderbeut. Dibra nuk ka kanun të vetin dhe çdo pikëpamje tjetër është spekulim.

Pas vdekjes së  Skënderbeut turqit pushtuan përsëri Dibrën. Ata bënë për vete disa krerë të cilëve iu bënë edhe privilegje. Zemzades në Limjan i dhanë gradën e pashës. Tulmani në Sohodoll u bë vali. Çipuri u bë një feudal i përmendur me prona të mëdha.[9]

Në fillim të shekullit XVI “Nëntë Malet” u mblodhën në kuvend për të kundërshtuar Turqinë, e cila e sulmoi sërish. Në këtë mbledhje pikat e kararit të Maleve të Veriut iu shtuan edhe këto pika: 1.Malet të qëndronin të bashkuar me njëri-tjetrin në çdo rast, në çdo rrethanë. 2.Territori i çdo mali të quhej territor i të Nëntë Maleve dhe po u cenua ndonjëri prej tyre i kujtdoqoftë, të mbrohet nga të gjithë. 3.Në Grykë të Vogël, që ishte në ballin e sulmeve turke të vendosej një roje e përhershme që të lajmonte. 4.Asnjë malësorë prej maleve të mos pranonte tituj e grada si pashë, apo spahi dhe të mos shërbente në ushtrinë dhe administratën osmane. 5.Kush hynte në shërbim të shtetit turk, nxirrej me forcë përgjithmonë nga malet. 6.Turkut të mos i jepeshin kurrë armët, sa ishin gjallë. 7.Po të kërkonte ndihmë Topalltia ose ndonjë krahinë tjetër në luftë kundër turqve, t’i shkohej menjëherë. 8.Secili Mal, në tubimet popullore të zgjidhte plakun e vet për vendosjen e karareve. 9.Secili plak të kishte 3-4 çekiç (ndihmësa) që do të ndanin ngatërresat, vrasjet për hakmarrje,etj. 10.  Po të vritej ndokush, plaku, i cili nuk ishte i armatosur, vendoste që vrasësi të pushkatohej, t’i digjej shtëpia, familja të largohej për një kohë të caktuar, ose t’i priteshin pemët dhe t’i merrej toka, 11.Në rast lufte kundër turqve, ndalohej çdo lloj hakmarrje, 12.Ndalohej pushka në gra, të rinj dhe pleq të paarmatosur.

Fshatra të Nëntë Maleve ishin :

Mali i Reçit: Tharku, Kraj-Reçi, Bardhaj-Reç dhe më vonë Gjurrë-Reç, Zall-Reç, Draj-Reç, Ndërshene, Tejmollë;

Mali i Dardhës: Tartaj, Lashkizë, Merskane dhe më vonë edhe Soricë, Zalldardhë, Lugjaj, Shenllesh, Nezhaj;

Mali i Çidhnës: Grykë-Nokë, Çidhën e Poshtme, Marçaj ose Krrash, Arras, Sinë e Poshtme, Sinë e Epërme, Lazrej dhe më vonë edhe Mustafej, Fushë-Alie, Laçes, Blliçe, Rrenxë, Kukaj, Kastriot, Kandërr, Brest i Epërm, Kodër-Leshe;

Mali i Muhurrit: Bulaç, Shorokan, Hurdhë-Muhurr, Sqath dhe më vonë edhe Fushë-Muhurr,Vajmëdhenj, Kishavec, Rethkalaj, Vakuf;

Mali i Luznisë: Arape, Lishan, Hotesh dhe më vonë edhe Katund i ri, Selane; Mali i Katër-Grykëve: Lukan, Selishtë, Kacni, Katundi i Vjetër i Murrës, Qafë-Murrë;

Mali i Grykës së Madhe: Strikçan, Sopot, Zerqan, Valikardhë, Peladhi, Godvi, Krajkë, Sofraçan dhe më vonë edhe

Mali i Grykës së Vogël: Gjurras, Mazhicë, Topojan, Stushan, Zogjaj, Bllacë, Kovashicë, Homesh, Shupenzë dhe më vonë edhe Boçevë, Vlashaj, Gjoricë, Çerenecë, Viçisht;  Mali i Bulqizës: Koçaj, Çiraj, Dushaj, Vajkal, Dragu dhe më vonë edhe Fushë-Bulqizë.

Pastaj,  ndodhën këto ndryshime: Katundi Thark dhe katundi Hurdhë i Reçit u kthyen në lagje të katundit Bardhaj-Reç, Katundi Lazrej në Çidhën u kthye në lagje të katundit Mustafe, katundi Merskan i Dardhës u kthye në lagje të katundit Lashkizë, Katundi i Vjetër i Katër-Grykëve u kthye në katundin Qafë-Murrë, katundi Çiraj u kthye në lagje të katundit Koçaj.

Malet e Dibrës, që nga formimi i tyre e  deri në vitin 1910 nuk janë përfshirë në ndonjë regjistër turk, nuk kanë dhënë ushtarë, nuk kanë paguar taksa.[10]

Në malet e Dibrës nuk ka pasur bajraktar në kuptimin e plotë të fjalës përveç atij të Lurës, sepse Lura ishte Bajrakdhe jo Mal.  Fjala bajrak në një kuptim është e njëvleftshme me fjalën flamur, ndërsa fjala bajraktar është e njëvleftshme me fjalën flamurmbajtës. Por bajraqet dhe bajraktarët përdoren si emërtime organizimesh dhe udhëheqjesh të krahinave të caktuara. Bajraqet ishin forma organizimi luftarak të një njësie të caktuar territoriale. Bajraqet ishin forma të caktuara qeverisje, të ngjashme me ato të Maleve, si edhe grupime të caktuara forcash të organizuara mbi bazë fisi, fshati a krahine. Pas luftës, bajraktarët nuk kishin më emër dhe fuqi.

Itifaku i miratuar në kuvendin e shekullit XV  kishte si bosht:

1.Luftë kundër Turqisë, 2.Ruajtja e gjuhës dhe e zakoneve të Malit, 3.Mosdhënia haraç e të dhjeta Turqisë dhe 4. Mosthyerja e “Besës së Maleve”

Në çdo katund me tre fise çdo kryetar mblidhte fisin e vet, ku diskutoheshin çështjet themelore të besës: 1. Pas sinjalit për luftë të gjithë të armatosurit të mblidheshin në një vend, që ishte i përcaktuar për çdo fshat, 2.Armët dhe fishekët të përballoheshin nga gjithsecili, 3. Në rast kushtrimi të lihej çdo punë, 4. Në rast dasme lejohej të qëndronte vetëm dhëndëri, 5. Në rast mortje lejoheshin të bënin varrimin vetëm 4 vetë, 6. Këta (dhëndëri dhe ata që lejoheshin për varrim) të nesërmen e ditës së dasmës ose të mortjes duhet të niseshin menjëherë në luftë. 7. Po u dëgjua zëri i daulles ose tri të shtëna pushke pushohej çdo lloj hakmarrje në mes fiseve, 8. Atij që hakmerrej brenda kësaj kohe i digjej shtëpia, i merrej bagëtia dhe familja i shpërngulej me detyrim nga fshati, 9. Ai, që bëhej hafije (spiun) tek turqit a përkrahësit   e tyre dënohej, duke zbatuar pikën e tetë.[11] I pari i fisit takohej me kryetarët e fiseve të tjera  dhe zgjidhnin përfaqësuesin e fshatit, që do të përfaqësonte Malin në Kuvendin  e Përgjithshëm të Maleve.

Nëntë Malet nuk kishin të parë, por drejtoheshin nga një këshill kolegjial, që vendoste unanimisht, ose jo, për veprime të caktuara.  Në mbledhjet e këtij këshilli nderi i takonte më të largëtit. Ky merrte kryet e berrit në sofër dhe zinte kryet e vendit në kuvend. Përfaqësuesit ndaheshin në pleq që formonin pleqësinë dhe në të parë, të cilët formonin parinë.

Për t’u bërë plak duhet të ishe i drejtë dhe i mençur, të kishe dhënë prova për zgjuarsi dhe drejtësi në fis, fshat dhe në krahinë, të ishe njohës i mirë i ligjeve të pashkruara të Maleve, i Kanunit të Lekës.

Formula e betimit të plakut ishte: “Kushdo qoftë ai që then besën e fisit, katundit a të Maleve, qoftë edhe fëmija im, do të gjykohet me drejtësi“. Kjo formulë është përdor deri në vitin 1912.

Disa shtëpi pleqsh mbetën pleq të përhershëm, si Noka e Lusha në Çidhën, Troci në Reç etj.


  • [1] .” H.Lleshi “Vite,njerëz, ngjarje” fq. F.9
  • [2] Libri “Haki Sharofi dhe vepra e tij”, fq.90
  • [3] Nazif Dokle:”Kukësi” (Vështrim enciklopedik), fq.15.
  • [4] Rakip Sinani: Libri “Dibra dhe dibranët në faqet e historisë”, fq.41
  • [5] H.Lleshi Vite,njerëz, ngjarje” fq.9  dhe “Dibra e dibranët”,fq.38
  • [6] H.Lleshi Vite,njerëz, ngjarje” fq. 9  dhe “Dibra e dibranët”,fq.38
  • [7] Xhelal Ndreu “Nuk ka qetësi në Lisivalle” fq. 34-48
  • [8] H.Ndreu, “Dibra në udhën e historisë”,fq.16-18
  • [9] H.Ndreu, “Dibra në udhën e historisë”, fq.16-18
  • [10] H.Ndreu, “Dibra në udhën e historisë”, fq.33-42
  • [11] H.Ndreu, “Dibra në udhën e historisë”, fq.49-50