Ndërron jetë major Klodian Tanushi, u plagos në Camp Adazi

540

Ka ndërruar jetë efektivi Klodian Tanushi, i plagosur në Letoni gjatë misionit të NATO-s.

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka shkroi në Facebook: “Një lajm tjetër i dhimbshëm vjen nga Letonia. Komandanti i kontingjentit shqiptar në misionin e NATO “Enhanced Forward Presence”, major Klodian Tanushi humbi pak çaste më parë betejën e fundit me jetën. Me zemër e me shpirt i gjendemi pranë familjes, bashkëshortes e tri fëmijëve në këtë ditë zije. Do t’ju mungojë atyre, por do të na mungojë të gjithëve ne që patëm fatin ta njohim. Do mbetesh përjetë në mendjen e zemrën tonë Klodi, miku ynë”.

Major Klodian Tanushi u plagos pas shpërthimit të minës që vrau nëntetaren Zarife Hasanaj.

Major Klodian Nikolla TANUSHI lindur në Dibër më 31.10.1980, fëmija i parë i familjes Tanushi. I martuar dhe me tre fëmijë (dy djem dhe një vajzë) përkatësisht 14 vjeç, 11 vjeç dhe 1 vjeç e gjysmë.

Në vitin 1999 ka përfunduar shkollën e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në profilin “Motorist xhenerik”. Nga viti 2000 deri në vitin 2003 ka ndjekur studimet në Akademinë Ushtarake Skëndërbej.

Ka kryer kurse funksional EOD Niveli I-re “Për asgjesimin e municioneve me eksploziv”
Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Awareness Instructor Course”.

Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”.

Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer detyra si : Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni, Specialist Operacionesh. Aktualisht me detyrë Komandant i Togës së pare të EOD.

Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor.

Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forces, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes.