Nafije Jella sjell librin “Historiku i Shkollës së Mesme Bulqizë”

1246
Foto ilustruese

Në një përpjekje për të ruajtur memorien kolektive dhe trashëgiminë arsimore të një prej institucioneve publike më të rëndësishme të Bulqizës, ish-mësuesja e letërsisë Nafije Jella ka publikuar librin me historikun e Shkollës së Mesme Bulqizë.

Ky botim voluminoz me afro 800 faqe, përmban historikun e institucionit arsimor me një punë të kujdesshme hulumtuese, e cila përfshin shqyrtimin e dokumentacionit zyrtar të shkollës. Kjo sidomos e amzave, regjistrave të personelit dhe të nxënësve, si dhe burimeve të tjera arkivore dhe dëshmive nga ish-arsimtarë dhe drejtues.

Historiku synon për të pasqyruar ecurinë e shkollës, që nga themelimi në vitin 1967 e deri në vitin 2023, duke evidentuar ndryshimet strukturore, zhvillimet pedagogjike, figurat arsimore dhe rolin e shkollës në komunitet.

“Ky historik nuk është thjesht një përmbledhje datash dhe faktesh, por një dëshmi e përpjekjeve të brezave të tërë mësuesish dhe nxënësish, një pasqyrë e trashëgimisë sonë arsimore dhe një vlerësim për kontributin që kjo shkollë ka dhënë në formimin intelektual dhe qytetar të shumë individëve. Me shpresën që ky libër të shërbejë si një burim reference dhe frymëzimi për të tashmen dhe të ardhmen, falënderojë të gjithë ata që kontribuan në realizimin e tij.” Shprehet autorja, Nafije Jella.

Në themel të historisë së saj, Shkolla e Mesme Bulqizë u ngrit si një institucion me fokus tek nevojat e industrisë minerare, duke ofruar fillimisht degën profesionale të shfrytëzimit minerar. Kjo përgatitje ishte jetike për funksionimin e minierës së kromit në qytet, duke formuar specialistë të aftë për të drejtuar sektorë dhe procese në industrinë e kërkimit, nxjerrjes dhe përpunimit të mineralit. Që në zanafillë, shkolla u bë një vatër edukimi ku teoria dhe praktika ndërthureshin, me nxënësit që aplikonin njohuritë e tyre direkt në “laboratorin e madh” të minierës, duke siguruar një aset të vazhdueshëm dhe cilësor të burimeve njerëzore për këtë kantier industrial – siç ishte dikur Miniera e Bulqizës.

Shkolla e Mesme Bulqizë, u shndërrua shpejt në një “Kolegj shumëdegësh”, duke ofruar profile si Gjimnaz, Shfrytëzim Minerare, Gjeologji, Bujqësore, Elektromekanikë, Elektrike, Ndërtim dhe Pedagogjike. Në faqet e librit, autorja Nafije Jella ndërton edhe një portret kolektiv të mësuesve dhe drejtuesve që e kanë bërë këtë shkollë një institucion të rëndësishëm dhe me histori.

“Ajo që e bën këtë botim të veçantë nuk është vetëm rëndësia historike dhe dokumentare e të dhënave të mbledhura, por edhe ndjeshmëria njerëzore që përcillet në çdo faqe. Kujtimet e mësuesve dhe ish-nxënësve, reflektimet mbi marrëdhëniet njerëzore dhe ndikimi i pashlyeshëm që kanë lënë mësuesit te gjeneratat e reja, e shndërrojnë librin në një testament emocional e kulturor të një epoke që sot është pjesë e identitetit të Bulqizës.” tregon Jella.

Një nga veçoritë e Shkollës së Mesme Bulqizë ishte prania e një trupe të gjerë pedagogjike, me mësues të ardhur nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Kjo shumëllojshmëri gjeografike pasuroi ndjeshëm ambientin arsimor, duke sjellë përvoja të ndryshme mësimdhënieje dhe qasje kulturore.

Autorja, ka punuar si mësuese letërsie për katër dekada në këtë shkollë. Ky libër u publikua nga shtëpia botuese M&B, u redaktua nga Hajri Mandri, dhe u mbështet financiarisht nga Osman Miha. Libri i Nafije Jellës është rezultat i një pune disavjeçare, i bazuar në amza, regjistra klasash, dëshmi të drejtuesve dhe ish-nxënësve. Ai synon të krijojë një traditë pune për historikun e shkollës në vazhdimësi, duke shërbyer si bazë për punë të ngjashme në të ardhmen.

Një pjesë tjetër thelbësore e librit janë edhe rrëfimet e dhjetëra ish-nxënësve të kësaj shkolle, që përfshijnë breza të ndryshëm që nga themelimi. Shumë prej tyre, të pranishëm në prezantimin e librit, e cilësuan këtë kapitull edhe si një ‘detyrë të fundit në lëndën e letërsisë’ – një kthim i kujtimeve, ku fjalët e tyre u bënë faqe të shkruara për të përjetuar përsëri ato vite të shkollës.