Mungesa e ekspertëve zvarrit gjyqin mes HEC-it dhe një rezervati peshku në Dibër

548
Lumi Seta 4, tubacioni i HECIT SETA 4. Foto MSG promotion

Një gjyq mes kompanisë së kultivimit të peshkut Bio-Trofta në Dibër dhe asaj të hidrocentralit  “Balkan Green Energy”(BGE), të cilat shfrytëzojnë rrjedhën e lumit Seta për bizneset e tyre zgjat prej gati dy vjetësh pa zgjidhje në Gjykatën e Shkallës së Parë në Dibër.

Gjykimi filloi pas një padie të Bio Troftës ndaj BGE për një dëm në vlerën 300 mijë euro në dhjetor 2016  dhe është është ende larg përfundimit. Ndërkohë, të dy palët dhe gjykata pranojnë se nevoja për një sërë ekspertizash dhe mungesa e eskpertëve ka qenë shkak i zvarritjes së procesit gjyqësor.

Lumi Seta në zonën e Dibrës, pjesërisht i mbrojtur si park natyror, është bërë pjesë e përplasjeve të ndryshme gjyqësore për shkak të një sërë lejesh për ndërtimin e HEC-eve në zonë. Në vitin 2016, kryepleqtë e tetë fshatrave u ankuan në Ministrinë e Mjedisit për pasojat e hidrocentraleve, të përshkruara prej tyre si “masakër mjedisore”.

Administratori i Bio Troftës, Bajram Krashi i tha BIRN se punimet e kryera nga kompania BGE i shkaktuan atij dëme të mëdha si dhe shfarosjen e rreth 500 kuintalëve peshk. Krashi pretendon gjithashtu se konflikti gjyqësor po zvarritet për shkak se ekspertët refuzojnë të bëjnë detyrën, duke vonuar dhënien e drejtësisë.

Avokati i kompanisë BGE, Altin Ibro hedh poshtë pretendimet se punimet në HEC shkaktuan dëme në rezervatin e peshkut, duke ia faturuar ato shkaqeve natyrore.

“Kompania që unë përfaqësoj sulmohet pasi shihet si ‘lopë që mund të milet’, për shkak se nuk ka lidhje lokale dhe nuk përfshihet në korrupsion,” tha Ibro.

Padia dhe kundër argumentet

Konflikti gjyqësor nisi në dhjetor të vitit 2016 me padinë e kompanisë Bio Trofta. Kompania që kultivon peshk pretendon se punimet për shtimin e kapacitetit të HEC Arrasit, që ndodhet disa kilometra mbi rezervatin, kishin shkaktuar rrëshkitje të një shpati mali.

Kjo masë e rrëshkitur dhe dhera të hedhura nga punimet, sipas përfaqësuesve të Bio Troftës, shkaktoi dëmtimin e 80 për qind të rasatit të peshkut.

“Një grumbullim i tillë i masës argjilore bllokoi të gjitha velzat e troftës me llum e zhavor, duke prishur kështu cilësinë në përbërjen e ujit, gjë e cila çoi në ngordhjen e 500 kv peshku,”tha  Bajram Krashi.

Hec Arrasi është ndërtuar në vitet ’80 dhe është marrë me koncesion nga kompania Balkan Green Energy në mesin e viteve 2000. Kompania është pjesë e grupit italian Essegei, e cila operon 23 hidrocentralë të vegjël në Shqipëri.

Sipas paditësve, shtimi i kapacitetit është bërë duke zgjeruar kanalin e mbledhjes së ujit dhe duke ndërhyrë në shpatet e malit. Krashi thotë se ndërhyrjet kanë qenë të vazhdueshme prej vitit 2010 deri në vitin 2016, duke shkaktuar rrëshkitjen dhe dëmtuar biznesin e tij.

Përfaqësues të kompanisë BGE pranuan shtimin e kapaciteteve, por kjo sipas tyre është bërë përmes investimit në teknologji, ndryshimit të turbinave dhe paneleve dhe jo në kanalin ujëmbledhës. Avokati Ibro i tha BIRN se kompania kishte zgjatur lartësinë e betonit në kanalin ujëmbledhës, por nuk e kishte zgjeruar atë dhe se punonte me të njëjtën sasi uji si më parë.

Ibro shtoi gjithashtu se punimet ishin kryer në vitin 2012, ndërsa padia ishte bërë 4 vjet më pas. Por kundërshtimi kryesor i kompanisë BGE lidhet me argumentin se dëmtimet janë shkaktuar nga prurjet e mëdha të lumit pas reshjeve të dendura dhe jo nga punimet e kryera prej saj.

Avokati i Bio Troftës, Xhemal Gazidede  thotë ekspertizat kanë gjetur se ristrukturimi i HEC-it për 4-fishimin e kapacitetit të prodhimit të energjisë, është bërë jo nëpërmjet investimeve të reja, por nëpërmjet prurjeve të ujit si dhe pa leje ndërtimi dhe mjedisore.

“Vetëm ky fakt [mungesa e lejes], pa hyrë në detaje të tjera e penalizon të paditurin,” tha Gazidede.

Por Ibro thotë se mungesa e lejeve, e presupozuar prej paditësve, nuk ka lidhje me çështjen e dëmit të shkaktuar. Ai shton se nëse kjo do të ishte e saktë duhej të ndiqej prej autoriteteve, por nuk provonte fajësinë e BGE sa i përket prurjeve të lumit që kishin ngordhur troftën.

“Prurjet me dhe të lumit varen kryesisht nga faktorë natyrorë, përfshi faktin që është një lumë malor dhe se përshkak të prerjes së pyjeve, zona ishte prekur prej erozionit,” tha Ibro.

Kontestimi i ekspertëve

Bazuar në këtë padi, Gjykata e Dibrës filloi gjykimin në dhjetor 2016, por në janar, për shkak të refuzimit të ekspertëve që sillnin si shkak largësinë, ajo vendosi të trasferojë çështjen për kompetencë në Tiranë. Gjykata e Tiranës në një seancë ia kaloi çështjen e kompetencës Gjykatës së Lartë, e cila në mars 2017 vendosi rikthimin e gjyqit në Dibër ku duhet të shqyrtohet me themel.

Prej këtij momenti në këtë gjykatë janë bërë rreth 19 seanca, një pjesë e mirë e të cilave për thirrje ekspertësh dhe pritje të ekspertizave. Palët thonë se ky ka qenë një prej problemeve kryesore gjatë shqyrtimit të kësaj padie.

“Kemi një ngjarje ku ndërthuren faktorë ambjentalë dhe ndërtimorë të pretenduar nga pala tjetër bashkë me elementë që kërkojnë njohuri nga gjeologjia, hidrogjeologjia, vlerësimi i dëmit dhe mjedisi,” tha avokati i BGE për BIRN.

Duke qenë një çështje e një natyre teknike dhe ekspertët lokalë mungonin ose shiheshin të pabesueshëm, ekspertët u kërkuar nga Universiteti Politeknik i Tiranës. Por një pjesë e mirë e të thirrurve refuzuan të shkonin duke nxjerrë si pretekst largësinë. Ibro thotë se në një rast gjykata mori vendim për të penalizuar me gjobë një profesor që kishte refuzuar të kryente ekspertizë.

Megjithatë sipas palëve ekspertizat kryesore janë paraqitur tashmë, por ato ndajnë qëndrime të ndryshme mbi rezultatet.

Avokati i Bio Troftës thotë se ekspertizat kanë përcaktuar se faji binte mbi BGE.

“Shkakun e rrëshqitjes së masivit argjilor dhe vlera e dëmit të shkaktuar ndaj Bio-Troftës është përcaktuar mbi bazën e ekspertizave të kryera nga specialistë të licensuar të fushave përkatëse,” tha Gazidede.

Ndërkohë BGE si palë e paditur pretendon se të paktën në dy raste ekspertët mjedisorë kishin qenë të njëanshëm dhe jo profesionalë, ndërkohë që paralajmëroi kallëzim penal për njërin prej tyre. Ibro tha se në një rast ekspertiza mjedisore ishte rrëzuar nga gjykata, pasi “ishte si muhabet kafeje”.

Në rastin e dytë Ibro thotë se ekspertiza është teorikisht më profesionale, por sipas tij e pavërtetë.

“Eksperti thotë se largësia mes HEC dhe Bio Troftës është katër kilometra, ndërsa është e matur që largësia është 6 kilometra,” thotë Ibro duke kontestuar vërtetësinë e ekspertizës.

Autor: Hysen Likdisha  BIRN