
Në korridoret e Bashkisë Bulqizë, qarkullonte një informacion i pashpallur zyrtarisht, sipas të cilit ndërtimi i një pallati për strehim social ishte çështje kohe. Kjo e mbështetur vetëm në biseda informale dhe premtime politike, mjaftoi që procesi i aplikimeve për statusin “i pastrehë” të devijonte nga qëllimi i tij ligjor dhe social, duke u shndërruar në një mekanizëm përfshirjeje të drejtuesve të administratës vendore dhe individëve të lidhur me pushtetin.
Rasti u bë publik, kur listat e paraqitura për miratim në Këshillin Bashkiak, zbuluan se mes përfituesve të mundshëm ishin përfshirë drejtues institucionesh, kryetarë njësish administrative, si edhe punonjës e familjarë të Bashkisë Bulqizë. Një praktikë e tillë bie në kundërshtim me frymën e ligjit për strehimin social, i cili synon mbështetjen e familjeve në nevojë reale ekonomike dhe jo të funksionarëve publikë me të ardhura të qëndrueshme.
Paralelisht, në rrjetet sociale, kryetarja e Bashkisë Bulqizë, Festime Mjeshtri, sapo mori detyrën e në vijim, shfaqej aktive në takime me ambasadorë të huaj – nga Katari te Bullgaria – duke folur për partneritete, investime dhe projekte konkrete. Në diskursin publik, ndërtimi i një pallati social, madje edhe me ndihmën e Katarit, paraqitej si një proces i afërt dhe i sigurt. Kjo e thënë nga vetë Mjeshtri në sallën e Këshillit Bashkiak, ku të pranishëm ishin disa banorë të pallatit të dëmtuar në Lagjen “Minatori”.
Por dokumentet buxhetore tregojnë një realitet krejt tjetër.
Nga viti 2023 e në vijim, buxheti i Bashkisë Bulqizë pasqyron një vijë të pandryshuar: zero lekë nga grantet e huaja. E njëjta situatë përsëritet në vitet 2024 dhe 2025 dhe mbetet e pandryshuar edhe në projektbuxhetin e vitit 2026, si dhe në parashikimet për vitet 2027–2028. Në asnjë prej këtyre viteve nuk rezulton i siguruar ndonjë fond ndërkombëtar, nuk figuron asnjë marrëveshje konkrete bashkëpunimi dhe nuk evidentohet asnjë projekt i nisur, qoftë edhe për ndërtimin e pallateve sociale, duke e zhveshur propagandën publike nga çdo mbulim financiar real.
Ndërkohë, banorët e dy pallateve të shpallura të pabanueshme në Bulqizë vijojnë prej vitesh të jetojnë me bonus qiraje, një zgjidhje emergjente që po zgjatet pa afat dhe pa perspektivë. Pa një plan të qartë për rindërtim, rikonstruksion apo ndërtim të objekteve të reja, këto familje mbeten të bllokuara në pritje, mes premtimeve publike dhe mungesës së çdo zgjidhjeje konkrete.
Në rastin e Bashkisë Bulqizë, dështimi për të siguruar grante të huaja lidhet drejtpërdrejt me mungesën e një qasjeje institucionale serioze për përgatitjen dhe aplikimin e projekteve – qoftë edhe në thirrjet e Bashkimit Evropian.
Bashkia Bulqizë nuk rezulton të ketë një portofol konkret projektesh dhe të gatshme për financim. Gjithashtu të ketë ngritur kapacitete të specializuara për të ndjekur thirrjet e donatorëve ndërkombëtarë. Takimet me përfaqësues diplomatikë mbeten kryesisht në funksion të fotove për rrjetet sociale. Kjo situatë reflektohet qartë edhe në dokumentet buxhetore, ku për disa vite radhazi Bashkia Bulqizë shënon zero lekë nga grantet e huaja, duke treguar se mungesa e rezultateve nuk është rastësi, por pasojë e drejtpërdrejtë e keqmenaxhimit dhe mungesës së vizionit.








