Minierat, 217 subjekte nuk punuan asnjë ditë në vitin e pandemisë

899
Miniera e Bulqizës. Foto: Albchrome

Minierat, në vitin e shkuar, pësuan si çdo sektor luhatjet e tyre prej pandemisë, por të dhënat zyrtare tregojnë se të paktën 217 subjekte nuk kanë ushtruar fare aktivitet.

Agjencia Kombëtare e Burimeve të Natyrës (AKBN) raportoi se, nga të dhënat e mbledhura prej tyre përmes sistemit të online, në total në gjithë vendin janë aktivë 580 subjekte. Ndaj 5 prej tyre janë marrë masa revokimi. Sa i takon raportimit të bërë nga subjektet, shumica prej tyre i janë përshtatur pjesës online që ka filluar prej disa vitesh. Kështu të paktën 554 e tyre dërguan të dhënat përmes sistemit online ndërsa 19 të tjerë përmes protokollit.

Vetëm 363 subjekte kanë prodhuar në vitin 2020 sipas lejes që ata disponojnë dhe më shumë se gjysma e kanë bërë këtë edhe duke investuar në mënyrë paralele. Numri i punonjësve të sektorit minerar në total rezulton të jetë 5178, nga të cilët 75% janë të siguruar.

Shumica e subjekteve janë aktivë sa i takon pjesës së prodhimit të kromit ku në vitin e shkuar ishin mbi 626 tonë. Në hekur-nikel, gjithsej kanë ushtruar aktivitetin 11 subjekte në prodhim, nga 28 subjekte në total. Këto të fundit kanë prodhuar 432 tonë. Prodhimi më i ulët është vënë re te bitumi dhe te guri dekorativ ndërkohë që qymyrguri rezulton zero.

Sektori minerar ka qenë në vështirësi prej disa vitesh, teksa kishte hyrë në një cikël rënës të çmimeve kudo në botë, gjë që reflektohet edhe në Shqipëri. Përfaqësues të kompanive minerare nënvizuan se gjatë pandemisë, situata ishte një goditje e dytë dhe që do të shoqërohej edhe me falimentime masive në sektor.

Shumica tentuan që të vazhdonin punën dhe në atë kohë, nga ana e institucioneve u raportua se nga mbi 500 kompani aktive, vetëm 11 e tyre kërkuan pezullim të përkohshëm. Situata u vështirësua edhe për ato që ishin aktive si për sa i takon gjetjes së tregut, ashtu edhe aftësisë paguese e cila në një pjesë të mirë pësoi përkeqësim. Të vetmet që rezistuan në kohën e pandemisë ishin materialet ndërtimore që vjen edhe si efekt i bumit që shënoi sektori i ndërtimit, vala e të cilit nuk u ndal as gjatë pandemisë si për sa i takon sektorit privat, ashtu edhe procesit të rindërtimit që u shtri në disa bashki.