Prej dy ditësh, minatorët e Bulqizës kanë nisur një protestë, duke kërkuar rritje page dhe përmirësim të kushteve të punës. Ata shprehen se po kërkojnë zbatimin e një premtimi të dhënë nga kompania Albchrome që në muajin mars, për një rritje page prej 10%.
Jetmir Ahmeti një nga minatorët protestues tha se janë ngritur në grevë pasi kompania u kishte premtuar një rritje page prej 10%, por nuk e kishte mbajtur fjalën. “Për këtë të drejtë jemi ngrejtur në grevë” tregon ai.
Ndërsa Besnik Zogu, një tjetër minator protestues u shpreh se 5% e rritjes së pagës ishte premtuar që para janarit dhe më pas u tha se deri më 1 maj do të kishte zgjidhje. Por, sipas tij, kanë kaluar katër muaj dhe asgjë nuk ka ndryshuar. “Kaluan katër muaj dhe nuk është bërë asgjë. Kishim disa shokë si përfaqësues, por ndaj tyre kanë marrë masa. Sindikata ka qenë në karah të firmës. Marrin atë rrogë që na e marrin neve nga paga jonë. Çmimet janë ngrejtur dhe nuk përballohet jetesa më ato pagesa.” shprehet Zogu.
Sipas protestuesve, këtë të premte, punonjësve u janë bllokuar kartat e hyrjes në minierë. Sipas tyre, kjo me synimin për ti ndaluar të futen në ambientet e brendshme dhe për të vijuar protestën.
Në vitin 2022, Albchrome u shit nga Balfin Group te konglomerati turk “Yildirim International Mining Investments B.V., i cili prej asaj kohe ka marrë në dorë administrimin dhe operimin e aktiviteteve minerare në Bulqizë dhe jo vetëm.
Kompania Albchrome, u pyet nga BIRN në rrugë elektronike lidhur me protestën e minatorëve dhe pretendimet e tyre për premtime të pambajtura lidhur me rritjen e pagave si dhe presione të ushtruara ndaj punonjësve. Deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, kompania nuk ka kthyer asnjë përgjigje.
Sektori minerar konsiderohet një nga vendet më të rrezikshme të punës, ku punëtorët përballen me kushte të vështira dhe rreziqe të larta për jetën dhe shëndetin. Aksidentet në miniera shpesh çojnë në pasoja tragjike, duke përfshirë vdekje të punëtorëve ose dëmtime të rënda që sjellin paaftësi të përhershme.
Punonjësit e minierës së Bulqizës protestuan edhe në mars të vitit 2025 për rreth një javë, duke kërkuar rritjen e pagës dhe kushtet e punës. Megjithatë, ata ndërprenë përkohësisht protestën pasi kompania u premtoi në atë kohë se do të adresonte kërkesat e tyre dhe do të ofronte një zgjidhje të pranueshme.
Kompania Albchrome, si aktori kryesor në sektorin minerar në Shqipëri, punëson qindra punonjës në Bulqizë, Klos, Mat dhe Elbasan. Sipas të dhënave financiare, kompania ka pasur fitime të konsiderueshme para tatimit në vitet 2021 dhe 2022, respektivisht rreth 3 miliardë lekë dhe 5.4 miliardë lekë, por në vitin 2023 ka regjistruar një humbje prej afërsisht 740 milionë lekësh.









