Media në Shqipëri në shërbim të pushtetit

390

Nga Edison Balla

Në shoqëritë e lira dhe demokratike, liria e medias pasqyron edhe shkallën e civilizimit dhe atë të emancipimit shoqëror. Kjo do të thotë që sa më e lirë të jetë media në një vend të caktuar, aq më i zhvilluar dhe i civilizuar është ai vend. Liria e medias, nuk mund të shihet kurrsesi e shkëputur apo e ndarë, nga parimet etiko-profesionale që ka dhe duhet të ketë çdo segment i medias.

Në këtë kontekst, kur flasim për liri të medias duhet ti përmbahemi parimit të famshëm që “e drejta jote mbaron aty ku fillon e imja”. Kjo do të thotë që media kurrsesi nuk duhet të orientohet e as të priret kah cënimit të të drejtave të personave të caktuar. Fakti që liria e medias duhet të inkuadrohet brenda një kornize profesionale, nënkupton që ajo duhet të “matet” mirë para se të shprehet për një çështje të caktuar, pasi e kundërta, pra pa ju përmbajtur atyre parimeve dhe limiteve etike bën që liria e tepruar e medias, te sanksionohet edhe si veper penale në dëm të një a më shumë personave.

Vendet perëndimore, që ne synojmë kaq shumë t’u ngjajmë e shohin komponentin “media” si një shtyllë shumë të rëndësishme të demokracisë së tyre të brendshme. Ndaj edhe jo më kot, ata e konsiderojnë median si pushtetin e katërt, pushtet i cili qëndron horizontal kah tre pushteteve të famshme. Edhe në Shqipëri “liria e medias” është e sanskionuar dhe e garantuar në kushtetutë. Kështu në nenin 22 të Kushtetutës thuhet shprehimisht se: “Liria e shtypit dhe e medias është e garantuar. Çensura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet”.

Përtej inkuadrimit në kushtetutë e në ligj të lirisë së medias, mesa duket as kjo nuk është e mjaftueshme që në Shqipëri media të jetë e pavarur nga pushteti e kryesisht ai ekzekutiv, dhe të qëndrojë si pushtet në vete. Për ta vërtetuar këtë, mjafton t’u hedhim një sy raporteve për lirinë e medias në rajon e më gjerë, ku Shqipëria nga viti në vit pëson zbritje duke u vlerësuar me nota negative. Kësisoj një nga Insitucionet apo agjencitë më të njohura në rang botëror për vlerësimin e lirisë së medias, “Freedom House” e sheh me mjaft shqetësim lirinë e medias në Ballkan e kryesisht në Republikën e Shqipërisë.

Nga viti 2014 e në vazhdim raporti për lirinë e medias në Shqipëri vazhdon të jetë jo pozitiv, duke e rendidur kështu vendin tonë disa shkallë më poshtë krahasuar me vendet e Ballkanit, pa folur më tej për vendet Europiane. Vendi ynë vazhdon të renditet në vendet me liri të shtypit të pjesshme, edhe pse një pjesë e madhe e ligjeve janë përshtatur ose e thënë ndryshe janë marrë “copy paste” me ata të Bashkimit Europian. Ajo që mungon është zbatimi në praktikë i ligjeve për lirinë e shtypit, apo edhe mungesa strukturore e Insitucioneve për ti bërë këta ligje efektive, dhe për të rritur kështu lirinë e shtypit e të medias.

Një arsye tjetër që është mjaft e rëndësishme për mungesën e lirisë së medias në vendin tonë, është fakti se shumica e mediave tona kanë prirje proqeveritare, duke u dhënë kështu edhe bekimin e punëve që në të shumtën e rasteve janë ngushtësisht klienteliste dhe jo në interest të publikut. Me pak fjalë media legjitimon “mëkatet” e lobeve të caktuara pro-qeveritare, dhe nga ana tjetër i jep një goditje të fortë lirisë së saj, e në thelb dëmton demokracinë dhe lirtë themelore të qytetarëve.