Mat, këshilltarët e majtë: Kërkesa e kryetarit për lirimin e ambienteve të KZAZ-së, në shkelje të kompetencave

760
Këshilli i Bashkisë Mat. Foto: Mat Tv

Këshilltarët e koalicionit të majtë të Bashkisë së Matit në një deklaratë për mediat bëjnë të ditur se kërkesa e kryetarit të kësaj bashkie për lirimin e ambienteve të KZAZ është në shkelje të kompetencave. Sipas tyre, në ligj e drejta e ushtrimit të pronësisë i takon këshillit bashkiak dhe nuk mund t’i delegohet askujt tjetër.

Reagimi vjen pas tensioneve të sotme në Pallatin e Sportit “Ferit Hysa” ku punonjës të bashkisë dhe simpatizantë të PD-së kanë nxjerrë jashtë ambienteve të KZAZ materialet zgjedhor duke i djegur.

Për këtë arsye, anëtarët e majtë të këshillit ka vendosur të bojkotojë mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 20 qershor.

DEKLARATA E PLOTË
Keshilli i Bashkise Mat

Burrel, më 19/06/2019

Deklaratë për media e këshilltarëve të koalicionit të majtë të Bashkisë Mat

Nisur nga zhvillimet e fundit të ndodhura në njësinë administrative Burrel,konkretisht tek Pallati I Sportit “Ferit Hysa’’, ku kemi konstatuar se punonjësit e Bashkisë Mat dhe institucioneve të varësisë kryenin veprime të dënueshme me ligj jashtë cdo norme morale, dinjitoze dhe ligjore dhe në kundërshtim me detyrën që ju është besuar, iniciuar nga :

1.Shkresa me nr 1623 prot. datë 18.06.2019 “Kërkesë për lirim të ambienteve publike’’ e nxjerrë nga Kryetari i Bashkisë Mat është në shkelje të kompetencave që ka pasi bazuar në ligjin 139/2015 ‘’Për vetëqeverisjen vendore “,neni 9,pika 1.2 germa “c” përcakton se të drejtën e ushtrimit te pronësisë e ka vetëm Këshilli Bashkiak dhe nuk mund tja delegojë askujt tjetër.

2.Cënimi i misionit te vetëqeverisjes vendore bazuar ne ligjin 139/2015 ‘’Për vetëqeverisjen vendore” përkatësisht neni 3, germa ‘’ç’’ e cila ka të bëjë me ushtrimit efektiv të funksioneve, kompetencave dhe realizimit të detyrave nga organet e vetëqeverisjes vendore; e cila konsiston ne braktisjen e vendit të punës dhe shërbimeve ndaj qytetarëve nga punonjësit e Bashkisë Mat ,duke marrë pjesë në veprimtari të kundraligjshme, në mosrespektim të etikës profesionale në punë.

3.Shfaqja e situatave terrorizuese për bashkëqytetarët matjanë.

Për sa parashtruam më lart , ne si anëtarë të këshillit të zgjedhur nga populli i Matit, të cilët jemi betuar në nderin tonë se do të kryejmë me ndërgjegje detyrën e anëtarit të këshillit bashkiak dhe do ti bindemi Kushtetutës dhe ligjeve në të gjithë veprimtarinë tonë, do të udhëhiqemi nga interesat e shtetasve të Bashkisë Mat duke punuar me ndershmëri e përkushtim për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies se tyre, vendosëm:

Bojkotimin e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të datës 20.06.2019