“MASAKRA” NË PYJET E BULQIZËS NUK KA TË SOSUR

363

Pavarsisht se banorët e tri fshatrave në Njësinë Administrative Fushë – Bulqizë (Dushaj, Koçaj dhe Kodra e Danit) kanë protestuar vazhdimisht për ndalimin e shfrytëzimit të pyjeve, “bandat e drurit” nuk kanë të ndalur. Këtë herë kanë zgjedhur një rrugë tjetër për të shfrytëzuar pyjet e kësaj zone, duke hapur një rrugë kalimi nga ana e Selishtës dhe Kacnisë, me qëllim devijimin e rrugës që kalon nëpër fshatrat e Fushë- Bulqizës.

Masakra që është shkaktuar në pyllin “Qafa e Helmes” duket qartë në fotot e mëposhtme (Shkrepur më 30. 07. 2017). Këtu nuk flitet më për shfrytëzim me kriter apo gjoja për atë që “bandat e drurit” e cilësojnë edhe si shfrytëzim që do ti shërbej rigjenerimit të pyllit.

Por edhe pse kemi një moratorium që ka hyrë në fuqi prej kohësh, shteti përballë kësaj masakre që po bëhet në pyjet e zonës së Bulqizës hesht. Ka disa institucione që ligji i detyron që të monitorojnë zbatueshmërinë e moratoriumit të vendosur, por në terren ndodh krejt e kundërta, “bandat e drurit” vazhdojnë të punojnë normalisht, pa edhe më të voglin problem.

Çfarë parashikohet nga moratoriumi?
Dokumenti 10 vjeçar ka për qëllim ndalimin e veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të vendin. Në bazë të këtij moratoriumi ndalohet kategorikisht ushtrimi i veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Po kështu ndalohet tregtimi i produkteve të tij, si dhe eksporti i lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit si dhe i qymyrit të drurit.

Çfarë ndalohet?
Ndalohet ushtrimi i veprimtarisë së shfrytëzimit të lëndës drusore në fondin pyjor publik/privat në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Ndalohet tregtimi i produkteve të tij.
Ndalohet eksporti i lëndës së drurit të papërpunuar, lëndës së ndërtimit, drurëve të zjarrit si dhe i qymyrit të drurit.

Masat dhe penalitetet: 
Shkeljet e këtij ligji, kur nuk përbëjnë vepër penale, por përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, në vlerën 5 milionë lekë. Afati i zbatimit të këtij ligji është 10 vite nga data e hyrjes së tij në fuqi.

/BULQIZA IME/