Martanesh, humb jetën administratori i minierës teksa kontrollonte frontin e punës

1244
Foto ilustrim miniere. Burimi: Albchrome

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në zonën e Theknës, Martanesh, ku ka humbur jetën administratori i një subjekti minerar. Sipas informacionit zyrtar të Policisë së Dibrës, rreth orës 10:15, Sulejman Kurti, 62 vjeç, me detyrë administrator i kompanisë “Ervin” sh.p.k., është aksidentuar gjatë kontrollit në frontin e punës në një nga galeritë e kromit në zonë. Si pasojë e dëmtimeve të marra, ai ka ndërruar jetë në vendngjarje.

Policia ka bërë të ditur se disa persona të stafit drejtues dhe teknik të subjektit janë shoqëruar për të dhënë shpjegime, ndërsa grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për të dokumentuar shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.

Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit, kompania “Ervin” sh.p.k., ku ndodhi aksidenti është themeluar që prej vitit 1999 me seli në Krastë të Bulqizës. Ky subjekt ushtron aktivitet në nxjerrjen dhe tregtimin e mineraleve të ndryshme, përfshirë kromin, si dhe në shfrytëzimin e galerisë nr.10-11 në zonën e Theknës. Sulejman Kurti rezulton të ketë qenë administrator dhe ortak i kompanisë, me 50% të kapitalit aksionar.

Ngjarja e sotme e rëndon më tej bilancin e aksidenteve në sektorin minerar të Bulqizës, i cili vazhdon të jetë një nga më të rrezikshmit në vend. Vetëm gjatë vitit 2025, pesë punëtorë kanë humbur jetën në zonat minerare të Bulqizës dhe Klosit, ndërsa disa të tjerë janë plagosur rëndë gjatë punës në galeri. Rasti më i fundit u shënua vetëm një muaj më parë, kur një 38-vjeçar humbi jetën në një galeri kromi në Bulqizë. Pak ditë më parë, një aksident i rëndë u regjistrua edhe në Fabrikën e Pasurimit të Kromit në zonën e re të Krastës, ku një punëtor 27-vjeçar humbi krahun gjatë punës.

Po në harkun kohor të tre javëve të fundit, në minierat e Bulqizës janë aksidentuar edhe tre punëtorë. Burime jozyrtare nga Spitali i Traumës në Tiranë thanë për Bulqizaime.al se të plagosurit kanë pësuar fraktura të shumta, kryesisht thyerje kockash dhe dëmtime të gjymtyrëve, të cilat pritet të sjellin pasoja afatgjata në aftësinë e tyre për punë.

Referuar të dhënave zyrtare, sektori i minierave dhe karrierave përbën rreth 18% të aksidenteve të raportuara në punë për vitin 2024, duke e renditur atë ndër më të rrezikshmit në vend. Shumë punëtorë, të aksidentuar në sektorin minerar, kanë mbetur me paaftësi të pjesshme ose të përhershme për të vijuar punën.