“Lëvizja për një Maqellarë të pastër”, projekti për edukimin dhe ndërgjegjësimin e banorëve lidhur me menaxhimin e mbetjeve

1168

Autor: Sami Curri | Projekti “Lëvizja për një Maqellarë të pastër”

Maqellara, Njësia Administrative më e madhe në Bashkinë Dibër, përbërë nga 22 fshatra, si para reformës territoriale, por edhe pas reformës së vitit 2015-të, përballet me një problem shumë shqetësues, që është menaxhimi i mbetjeve. Lidhur me këtë problem, njëri nga banorët e Maqellarës, Behar Dema aplikoi si individ në thirrjen e pestë të Lëviz Albania për zbatimin e projektit për monitorimin e menaxhimit të mbetjeve urbane në Njësinë Administrative Maqellarë. Ky projekt që ka nisur zbatimin që prej muajit Gusht 2018-të, si synim kishte advokimin tek pushteti vendor, në këtë rast Bashkia Dibër që të bëjë punën për të cilën paguhet nga taksapaguesit, që është menaxhimi i mbetjeve urbane. Gjatë kësaj perudhe janë realizuar një sërë takimesh me komunitetin për t’i informuar për detyrën që pushteti vendorë ka në këtë drejtim dhe pasojat në shëndetin e njeriut nga trajtimi që ju bëhet sot mbetjeve, duke u depozituar buzë përrenjëve apo duke u djegur.

Behar Dema, drejtues i projektit “Lëvizja për një Maqellarë të pastër”. Foto: Sami Curri

“Janë zhvilluar disa aktivitete. Fillimisht me krijimin e grupit të advokacisë për Maqellarën. Aktiviteti i dytë ka qenë trajnimi i këtij grupi, duke e shtjelluar në detaje se çfarë është advokacia komunitare. Kemi realizuar fushatë sensibilizimi me banorët e çdo Njësie Administrative. Kohët e fundit kemi pasur një fluks në tërheqjen e mbetjeve. Fluksi i tërheqjes, kryesisht ka qenë në fshatrat të cilët janë të vendosur buzë rrugës nacionale.” u shpreh Dema.

15 OJF që veprojnë në qarkun e Dibrës i janë drejtuar Bashkisë Dibër me një letër pozicionimi që mbështesin projektin “Lëvizja për një Maqellarë të pastër”, ku kërkojnë ndërmarrjen e hapave konkretë për zgjidhjen e problemit të menaxhimit të mbetjeve në Maqellarë, pasi një projekt i tillë, përpos komunitetit që e ka ngritur si shqetësim kërkon domosdoshmërisht angazhimin e bashkisë si organ i vetëqeverisjes vendore për realizimin:

  • Pastrimit të hyrje -daljeve të të gjithë fshatrave të Njësisë Administrative Maqëllarë ku ka akumulime të konsiderueshme mbetjesh urbane dhe ndotje në nivele të larta;
  • Pastrimit të përroit të Pesjakës, pasi është shndërruar në vend depozitimin më të madh të mbetjeve në zonë por nuk është i miratuar nga bashkia si landfill;
  • Pastrimit të varrezave të fshatit Pocest dhe përroit të fshatit Kllobçisht pasi  janë tejet të ndotur nga grumbullimi i mbetjeve;
  • Vendosjes së kontenierëve të grumbullimit të mbetjeve larg shkollave pasi përbëjnë rrezik për shëndetin e nxënësve;
  • Informimit dhe ndërgjegjësimit të banorëve për pasojat që ka në shëndet kjo mënyrë e trajtimit të mjedisit që i rrethon;
  • Nxitjen e banorëve për tu organizuar në lidhje me mbrojtjen e mjedisit rreth tyre.

Razie Muça, banore e fshatit Bllatë e poshtme, shprehet se projekti “Lëvizja për një Maqellarë të pastër” mbështetur nga Lëviz Albania, ju ka shërbyer shumë, së pari me informimin për detyrën që ka bashkia, kundrejt banorëve të cilët paguajne taksat. “Duhet të kemi edhe një ndërgjegjësim brenda vetes, pra komuniteti duhet të jetë më i kujdesshëm me mbetjet sepse, është në të mirën tonë të kemi një ambient të pastër.”, deklaron Muça.

Razie Muça, banore e fshatit Bllatë e poshtme. Foto: Sami Curri

Në  bazë të nenit 19 të ligjit 139/2015, “Për vetëqeverisjen vendore”, parashikon të drejtën e kërkesës, ankesës dhe vërejtjes; nenit 23 lidhur me funksionet e bashkive në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike, pika 10 ku konkretisht përcaktohet se bashkitë janë përgjegjëse për “Mbledhjen, largimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta dhe shtëpiake”. Z. Dema ndodhet në familjen Muça ku po firmoset peticioni, që do ti drejtohet Bashkisë Dibër që të merren masat e nevojshme për trajtimin e mbetjeve. Zonja Razie së bashku me bashkëshortin, një arsimtar i dalë në pension dhe djali i tyre, po e firmosin.

Behari na tregon se peticioni është firmosur nga afro 500 persona nga fshatrat e Njësisë Administrative Maqellarë: “Kërkohet angazhim për të dëgjuar shqetësimin e komunitetit për problemin e menaxhimit të mbetjeve dhe për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për situatën e krijuar nga grumbullimi pa kriter i mbetjeve në vend depozitime të pamiratuara nga bashkia” tregon Dema.

Firmosja e peticionit

Gjatë kësaj periudhe janë realizuar edhe një sërë takimesh me banorë të fshatrave të Maqellarës, ku në praninë edhe të ekspertëve të mjedisit, janë informuar qytetarët për pasojat që sjellë në mjedis dhe në shëndetin e njeriut, mënyra se si trajtohen mbetjet në Maqellarë. Taksat që i paguhen Bashkisë Dibër për pastrimin e mbetjeve urbane, për një shërbim që në shumicën e fshatrave nuk ofrohet. Janë realizuar edhe një sërë fushatash sensibilizuese, por edhe pastrim të zonave më të ndotura, me të rinjtë nga shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazin në Maqellarë. Falë kësaj fushate u pastrua rezervuari i fshatit Burim.

Në zbatim të projektit “Lëvizja për një Maqellarë të pastër” janë realizuar edhe takime me strukturat e pushtetit vendorë në Dibër, për të gjetur një zgjidhje për situatën e mbetjeve në Maqellarë dhe se si bashkia mund të bashkëpunoj me komunitetin për ti dhënë zgjidhje një problemi kaq shqetësues, siç është menaxhimi i mbetjeve.

Takim me banorët e Maqellarës

Gjuri Maksuti, kryeplak i fshatit Vojnikë na tregon se e gjithë zona e Maqellarës përballet me këtë problem dhe se është detyrë e bashkisë që të marrë masat e nevojshme për këtë shqetësim. “Ka shumë fshatra që bashkia nuk i mbulon me shërbim dhe banorët detyrohen që të paguajnë vetëm makinën që transporton mbetjet. Ne bashkisë i jemi drejtuar disa herë që të shtojë numrin e kazaneve ku depozitohen mbetjet.” shprehet Maksuti.

Gjuri Maksuti, kryeplak i fshatit Vojnikë, Maqellarë

Banorët e pyetur tregojnë se në takimet e zhvilluara në kuadër të projektit “Lëvizja për një Maqellarë të pastër” janë informuar për një sërë të drejtash që qytetarët gëzojnë në raport me pushtetin vendorë; taksat që paguajnë për shërbimin e pastrimit të mbetjeve, që në shumë zona të Maqellarës nuk e marrin. Për këtë në fshatrat e Maqellarës dhe në ambientet e frekuentuara nga banorët janë vendosur postera me mesazhe sensibilizuese dhe janë shpërndarë fletëpalosje në shumë banese, për të informuar sa më shumë banorët për çështjen e trajtimit të mbetjeve.

Sipas një studimi kryer nga ALCDF (Fondacioni Shqiptar për Zhvillimin e Kapaciteteve Lokale) në vitin 2015-të, qarku i Dibrës gjeneronte rreth 17,136 ton në vit. Pjesa më e madhe e mbetjeve në këtë qark gjeneroheshin nga bashkia e Dibrës (qyteti) me rreth 8,300 ton mbetje urbane dhe inerte në vit, dhe në Maqellarë me afro 2000 ton në vit.

Për vitin 2019-të në Njësinë Administrative Maqellarë ka pasur një numër më të madh të kontenierëve të vendosur nga Bashkia Dibër dhe shpeshtim e tërheqjes së mbetjeve me makinë teknologjike.

Në përgjigje të kërkesës për informacion, Sektori i Menaxhimin të Mbetjeve në Bashkinë Dibër shkruan se për buxhetin e vitit 2019-të ka kërkuar rritjen e buxhetit për këtë sektor me qëllim që të përmirësohej sistemi i menaxhimit të mbetjeve në qytet, shtrirjen e shërbimit edhe në njësitë administrative atje ku nga ana infrastrukturore është e mundur, rehabilitimin e venddepozitimeve të mbetjeve në njësitë administrative dhe përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike.

“Drejtoria Ekonomike duke u gjendur përballë pamundësisë financiare, detyrimeve të prapambetura dhe mos realizimit të të ardhurave, nuk e mundësoi rritjen e zërave të buxhetit përsa i përket menaxhimit të mbetjeve për vitin 2019. Bashkia Dibër ofron shërbim në Njësinë Administrative Maqellarë, në rrugën nacionale dhe në disa fshatra ku janë të vendosur kontenierë dhe është e mundur tërheqja e tyre me makinë teknologjike. Është planifikuar shtrirja me shërbim gjatë vitit 2019-të në fshatrat e tjerë të Njësisë Administrative Maqellarë në të cilat nuk mbulohen me shërbim deri tani. Janë bërë vazhdimisht ndërhyrje për rehabilitimin e përroit të Pesjakës dhe në disa hotspote në fshatrat e tjerë, por situata nuk po ndryshon.”, shkruan Bashkia Dibër në kthimin e përgjigjes.

Bashkia Dibër bëri me dije se për paketën fiskale të vitit 2019-të të miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak Dibër; tarifa e pastrimit do të faturohet në bazë vjetore vetëm për fshatrat në të cilat ofrohet shërbim. Gjithashtu për herë të parë, këtë vit janë përjashtuar nga pagesa e tarifës familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike apo që kanë në përbërjen e tyre të verbër, invalidë me aftësi të kufizuar, paraplegjikë dhe tetraplegjikë.

Selman Agolli, banorë i fshatit Herbel, tregon se ka pasur një shpeshtim të pastrimit të mbetjeve në Maqellarë, por zgjidhja sipas tij do të ishte që koshat ku të hidheshin mbetjet të vendoseshin në çdo fshat. “Duhet më shumë në këtë drejtim sepse bashkia duhet të vendos kosha edhe në fshatrat ku mungojnë, që banorët mos ti hedhin mbetjet buzë përronjëve siç bëjnë sot. Pasi me pasjen e një koshi afër, banorët do të jenë shumë më të kujdesshëm në trajtimin e mbetjeve”

Maqellara

Çështja e menaxhimit të mbetjeve në Maqellarë, falë edhe projektit “Lëvizja për një Maqellarë të pastër” ja ka dalë që ta kthej edhe në një çështje mediatike, ku janë realizuar artikuj të ndryshëm në median e shkruar dhe atë online, reportazh për problemin e mbetjeve. Situata e mbetjeve në Maqellarë ka qenë edhe subjekt i kronikave të ndryshme televizive lidhur me menaxhimin e mbetjeve.

*** Ky artikull është shkruar në kuadër të projektit “Lëvizja për një Maqellarë të pastër”, mbështetur nga Lëviz Albania.

https://www.facebook.com/LevizjaPerMaqellaren/videos/549299128856416/