Lefter Alla reagon pas publikimit të videos duke marrë kokainë: Është montazh

722
Lefter Alla, burimi: Facebook

Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, i filmuar duke marrë kokainë në një video të publikuar nga gazetari Artan Hoxha ka reaguar, duke thënë se bëhet fjalë për një montazh. Ai thotë se kemi të bëjmë me presione të nxitura nga Partia Demokratike, ndërsa shton se do vijojë të ushtrojë detyrën e kryebashkiakut.

Reagimi i plotë

Është për të ardhur keq kur një parti që ka bërë histori në këtë vend, një parti që pretendon se është alternativë qeverisëse, e redukton aksionin e vet politik në montazhe e transmetime videosh me Babale. Por, është akoma më kriminale kur kjo parti, e koordinon aksionin e vet politik me grupe biznesi e grupe kriminale, që dikur plaçkisnin pasurinë e Bulqizës me bekimin e Partisë Demokratike. Dhe sot, që Bulqizën nuk e drejton më PD dhe atyre ju është prerë rruga e grabitjes, kthehen të gjithë bashkë në montazhierë për të më shantazhuar mua!

Montazhi që po shfaqin sot është seria e radhës e telenovelës Babale, që si për turp shfaqet në TV me Ervin Salianjin, të njëjtin njeri që sajoi Babalen e që sot është dënuar me burg për mashtrimin e vet në atë telenovelë e do të përballet me gjykatën edhe për këtë rast.

Nuk ka shanse që t’ju ecë ky shantazh.
Unë nuk jam në detyrë për të kënaqur orekset e mbushur xhepat e klientëve të PD që për vite me radhë e kthyen Bulqizën në një parajsë për grabitje e ferr për qytetarët. Jam këtu për të punuar për qytetarët e thjeshtë dhe jam krenar që një nga punët më të mira që kam bërë ka qenë largimi i asaj tufe grabitësish që sot montojnë video në SHQUP.

https://youtu.be/z948vKHtirY