Kuvendi “rrëzon” Metën për rentën minerare

958
Galeritë e kromit në minierën e Bulqizës. Foto: Sami Curri.

Kuvendi ka rrëzuar dekretin e Presidentit të Republikës që kthente për rishqyrtim ndryshimet në ligjin “Për taksat kombëtare”, ku parashikohet përjashtimi nga taksa e rentës minerare për 3 vjet, për të gjithë mineralet metalore që përpunohen në vend me qëllim eksportin. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anlia Denaj u ndal te procesi i konsultimit të ligjit, ndërsa theksoi se ndryshimet ligjore do të ndihmojnë në drejtim të punësimit.

Ndërkaq, deputetja e opozitës Edlira Hyseni kundërshtoi për të disatën herë përjashtimin nga taksa e rentës minerare, të mineraleve metalore. Sipas saj, më i preferueshëm do të ishte përjashtimi nga kjo taksë për një periudhë 1-vjeçare për të gjithë mineralet.

Miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore kaloi përmes shumë kundërshtimeve, ku fillimisht komisonet parlamentare rrëzuan variantin e qeverisë për përjashtimin e kromit dhe bakrit të përpunuar nga renta për 3 vjet, duke kërkuar që përjashtimi të përfshinte të gjithë mineralet për një periudhë 1-vjeçare.

Por, ky variant i miratuar nga komisionet u rrëzua në seancën plenare, që votoi një amendament të deputetit Taulant Balla, i cili kërkoi lënien në fuqi të variantit të qeverisë. Efekti financiar në buxhetin e shtetit nga heqja e taksës së rentës minerare për mineralet metalore të përpunuar përllogaritet në afro 500 mln lekë, për 3 vjet.

Argumentet e Presidentit për kthimin e ligjit “Për taksat kombëtare”

Presidenti Ilir Meta njoftoi të mërkurën e 13 janarit 2021, se kishte kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet e bëra në ligjin për taksat, ndryshime të cilat përjashtonin nga taksa e rentës minerare mineralet që përpunohen dhe eksportohen nga Shqipëria.

Presidentit i Republikës, Ilir Meta. Foto: Presidenca

Meta argumentonte se ligji do t’i sillte buxhetit një dëm prej rreth 500 milionë lekësh mungesë të ardhurash, dhe binte në kundërshtim me parimet kushtetuese, sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë përpara ligjit, autonominë e pushtetit vendor si dhe dëmton interesin publik dhe pasurinë kombëtare.

Në argumentet e Presidentit, thuhej se nisma ligjore ka kaluar pa transparencë që nga momenti që është propozuar, vlerësuar dhe formalizuar. “Mungesa e transparencës lidhet me mungesën e të dhënave për numrin e operatorëve ekonomikë që operojnë në fushën e minerareve, nivelin e të ardhurave që gjenerojnë dhe kontributet që derdhin në buxhetin e shtetit aktualisht.” thuhej në deklaratën e Presidentit të Republikës.

Sipas kreut të shtetit, vendimi për të përjashtuar nga taksat e rentës minerare sipërmarrjet e këtij sektori mund të ndikojë jo pak në pushtetin vendor, duke prekur të ardhurat e tyre dhe projektet e investimeve. Në këtë pikë, Meta deklaronte se po aplikohej standard i dyfishtë dhe rrezikohet kufizimi i rolit të qeverisjes vendore në njësitë e tyre territoriale.

“Për sa më sipër, përveç humbjeve të të ardhurave në buxhet, dhe diferencimit fiskal mbi baza klienteliste, ndryshimi i propozuar cenon shfrytëzimin me objektivitet të pasurisë kombëtare e cila nëse konsumohet në këtë mënyrë, pa vjelë ato të mira që i takojnë gjithë shoqërisë, konsiderohet shpërdorim flagrant i saj,” deklaronte Presidenti.

Ndryshimet e ligjit të taksave për përjashtimin nga taksa e rentës minerare parashikonin që deri në fund të vitit 2023 të mos vilen taksa për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve – si ferrokromi, koncentratet e kromit dhe bakrit, – jashtë shtetit. Sipas këtyre ndryshimeve në vijim gjatë vitit 2024 në masën e 1/3-ve.