Kontratat shtetërore tërheqin pak ofertues në Maqedoninë e Veriut

439
Shkup, Maqedoni e Veriut

Një në çdo tre tendera prokurimesh publike që institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut hapën në 2017 përfunduan me një ofertues të vetëm, tregon një studim nga Qendra për Komunikimet Civile.

Studimi, Transparenca, Llogaridhënia dhe Integriteti në Prokurimin Publik, tregoi se numri mesatar i ofertuesve për një tender të tillë ishte pak më shumë se tre, që tregon mungesën e konkurrencës dhe mundësisht çmime më të larta për taksapaguesit, vë në dukje studimi.

“Kur ka vetëm një ofertues për një tender, nuk ka ankand elektronik. Pra, çmimi fillestar i ofruar nga kompania ofertuese – i vendosur më i ulët, në mënyrë që të mundë çdo konkurrencë – pranohet si çmim final,” thonë autorët.

Rezultatet e studimit gjithashtu tregojnë dallime të theksuara midis institucioneve shtetërore kur bëhet fjalë për nivelin e konkurrencës në prokurimin publik.

Për shembull, kishte vetëm një ofertues për 73 për qind të tenderave të Ministrisë së Arsimit.

Në Ministrinë e Drejtësisë, nga ana tjetër, vetëm 10 për qind e tenderave kanë përfunduar me një ofertues të vetëm.

Tenderët e Ministrisë së Pushtetit Lokal tërhoqën mesatarisht 1.5 ofertues.

Tenderat për Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, SIOFA, kishin mesatarisht 4.5 ofertues.

Disa institucione shfrytëzuan gjerësisht marrëveshje direkte, duke zvogëluar më tej nivelin e konkurrencës.

Foto: BIRN

Rreth 42 për qind e parave të prokurimit të përdorura nga Ministria e Arsimit shkuan për marrëveshje pa tendera.

Studimi mbuloi prokurimet publike të 21 institucioneve shtetërore – parlamentin, ministritë, sekretariatet dhe organe të tjera – dhe mbuloi gjithsej 1,363 kontrata.

Niveli i transparencës dhe llogaridhënies së këtyre organeve qeveritare u vlerësua nëpërmjet 31 kritereve të ndryshme, duke kombinuar detyrimet ligjore dhe praktika më të mira.

Rezultati zbuloi një nivel të mesëm transparence, llogaridhënieje dhe integriteti në përgjithësi.

Mesatarisht, institucionet përmbushën pak më shumë se gjysmën e kritereve të kërkuara gjatë gjithë procesit të prokurimit.

Institucioni më i lartë i renditur plotësoi 70 për qind të kritereve. Kjo do të thotë se asnjë institucion nuk kishte një nivel “të lartë” transparence, që llogaritet midis 89 dhe 100 për qind.

Maqedonia e Veriut operon një sistem elektronik të prokurimit publik.

Sipas kësaj, organet shtetërore janë të detyruara të publikojnë të gjithë lajmërimet për tendera dhe reklama, kontratat e nënshkruara, si dhe raportet mbi kontratat e realizuara.

Megjithatë, asnjë nga institucionet e monitoruara nuk publikoi as edhe një raport të vetëm mbi një kontratë të përmbushur.

Për pasojë, sistemi elektronik nuk përmban informacione nëse kompanitë fituese kanë ofruar vërtet produktet apo kanë kryer shërbimet që janë zotuar të ndërmarrin – apo nëse atyre u janë paguar shumat e dakorduara.

Sistemi elektronik gjithashtu kërkon që organet qeveritare të vlerësojnë vlerën e kontratave kur publikojnë një tender.

Por studiuesit zbuluan se asnjë nga institucionet e anketuara nuk paraqiti një formulë të besueshme mbi mënyrën se si i arriti ato vlerësime.

Autorët e studimit thanë se niveli i ulët i përmbushjes së planeve vjetore të prokurimit publik ishte një problem akoma më i madh në Maqedoninë e Veriut.

Organet shtetërore nuk sigurojnë ose marrin gjithçka që u nevojitet për të kryer shërbimet e tyre, me fjalë të tjera.

Situata ishte më e keqja në Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo realizoi vetëm 21 për qind të planeve të saj të prokurimit për vitin 2017.

Kështu që, objektet e kujdesit shëndetësor publik morën vetëm një të pestën e materialeve dhe shërbimeve që u nevojiteshin, të prokuruara nëpërmjet Ministrisë.

Për t’i përkeqësuar akoma më shumë gjërat, më shumë se 77 për qind e tenderave që kjo ministri hapi, u anuluan, shpesh sepse ofertat e vetme ishin të papranueshme.

Një përfundim i nxjerrë nga studimi është se ato institucione që shpenzuan më pak para ishin më transparentet, ndërsa ato me buxhet të madh u renditën shumë më poshtë në tabelën e transparencës.

BURIMI: BIRN

AUTOR: Goce Trpkovski