Kompanitë celulare marrëveshje kartel për rritje çmimesh, nis hetimi nga Autoriteti i Konkurencës

341

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur hetimet ndaj 3 kompanive celulare për rritje të koordinuar të tarifave në dëm të konsumatorëve. Nisur nga informacioni i siguruar në bazë të ankesave, Autoriteti i Konkurrencës dyshon se rritja e tarifave është bërë e dakordësuar mes këtyre kompanive. Bëhet fjalë për tre operatorët më të mëdhenj të telefonisë celulare në vend; Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelecom të cilët dy muaj më parë rritën çmimet e paketave standarde në varësi të llojit të paketës në 1100 lekë, 1400 lekë dhe 2000 lekë, nga përkatësisht 1000 lekë, 1200 lekë dhe 1600 lekë.

Monitorimi

Nisur nga ankesat e depozituara pranë Autoritetit të Konkurrencës nga Qendra “Konsumatori Shqiptar”, si dhe 3 ankimues me objekt “Hetimi i tregut të telefonisë celulare në lidhje me shfaqjen e praktikave të koordinuara dhe abuzimin me pozitën dominuese” për planet tarifore që ofrojnë për publikun e telefonisë celulare, sekretariati i Autoritetit të Konkurencës ka monitoruar tregun e shërbimit të telefonisë celulare. Nga monitorimi ka rezultuar se disa nga ndërmarrjet që ofrojnë shërbimet në këtë treg kanë ndryshuar paketat për klientët me parapagim. Tregu përkatës i produktit është tregu me pakicë i shërbimeve celulare dhe analiza e konkurrencës është fokusuar në sjelljen ndaj çmimit të ofertave, sipas ndërmarrjeve në tregun përkatës. Tregu celular me pakicë përfshin si shërbimet tradicionale të telefonisë dhe mesazheve SMS dhe ato të aksesit broadband në Internet nga rrjete celulare. Gjithsesi, AK bën me dije se analiza fokusohet edhe në segmente të veçanta të përdoruesve/shërbimeve si ato me kontratë dhe parapagim. Sipas statistikave të rregullatorit AKEP, klientët me parapagim përbëjnë rreth 90% të numrit të klientëve të ndërmarrjeve celulare.

Abuzimi

Referuar informacionit të mbledhur gjatë monitorimit nga AK, rezulton se tre shoqëri kanë ndryshuar

paketat standarte në periudhën 27 mars 2017 ‐ 4 prill 2017 në një sjellje të mundshme të

koordinuar sipas parashikimeve të nenit 3, pika 4 të Ligjit Nr.9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, (i ndryshuar), dhe që në kuptim të nenit 4, pika 1, gërma (a) e Ligjit Nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar, mund të përbëjë një marrëveshje të ndaluar. Gjithashtu, bazuar në të dhënat e rregullatorit AKEP, rezulton se tregu i telefonisë celulare ka strukturën e një tregu oligopolistik me një operator me pozitë dominuese në tregun përkatës të shërbimeve celulare me pakicë, si dhe dy ndërmarrje të tjera me qëndrueshmëri të pjesëve të tregut. AK vëren se të tre ndërmarrjet zotërojnë bashkërisht rreth 95 % në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe sipas parashikimeve të nenit 9 të Ligjit nr.9121/2003, ekziston mundësia edhe për të abuzuar me pozitën dominuese në treg. Prandaj, Komisioni i Konkurrencës vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare për të hetuar nëse ka, apo jo, shenja të kufizimit të konkurrencës. Periudha e Hetimit Paraprak do të jetë 1 Janari 2016 deri në 23 Maj 2017.

Anila DODAJ