Koalicionet “deus ex machina”, dështim politik

405
Foto ilustruese

Fakti është se koalicioni “Bashkë fitojmë” nuk rezultoi fitues i zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023. Parregullsitë e aty-këtu dhe shitblerja e të vetmit “mall” elektoral, që është vota, nuk mund ta ndryshojnë fatin e tyre. Politikanët e karrierës duhej ta kishin ditur që në krye të herës se nuk funksionojnë martesat politike hibride, zgjidhjet e ashtuquajtura deus ex machina, si koalicioni Berisha-Meta, që nuk e ka pasur aspak pëlqimin e as miratimin e demokratëve në bazë. Ai është konsideruar i panatyrshëm, i pamotivuar, thuaj në dash dhe “non grata” nga votuesit. Koalicioni i së djathtës me një aleat të majtë, ashtu si dhe ai i PS-së me aleatë të padeklaruar të përfolur, është dëshimi e asaj që me kohë e kemi pohuar në shtyp, se kjo klasë politike ka rënë, çka për fat të keq duhet shkruar me germa kokëposhtë tek selitë e partive, në vend të afisheve llamburitëse. E tregon këtë dhe fakti se kryetari i bashkisë do të jetë ose i PS ose i PD, njërës nga dy forcat politike që qeverisin vendin, kurse këshillat bashkiake – një konglomerat siglash, numrash dhe emrash, që mund të përfaqësojnë interesa individësh apo grupimesh politike minore e miqësore, por jo elektoratin real të Shqipërisë.

Çdo zgjidhje politike e sforcuar, artificiale nuk është zgjedhje, por i shërben vetëm mbijetesës politike të disa liderëve, që tashmë veç fjalët i kanë të mëdha, por jo më dhe sinorët e politikës, që iu janë rrudhur mjaft.

Mirdita, rasti politik zgjedhor ndryshe

Nuk hyjmë ndër ata që glorifikojnë krahinat e ndryshme të vendit, përkundrazi i çmojmë të gjitha ato, në jug e në veri, në qytete e në fshatra, që kanë dëshmuar jo vetëm vlera të epërme historike, por edhe bashkëkohore, përfshi dhe në zgjedhje vendore a të përgjithshme, duke votuar si majtas, si djathtas etj. Sot komunitetet në trevat malore janë të prirura ndaj atyre individëve, idetë dhe projektet e të cilëve për qeverisjen vendore përputhen me vizionin për krijimin e qytetërimit bashkëkohor edhe përtej asfaltit, trotuareve dhe autostradave.

Në zgjedhjet i 14 majit në bashkinë e Mirditës fituan demokratët pa dallim, por fitorja e tejkalon Partinë Demokratike, pasi në thelb ndryshimin e bënë qytetarët, që dinë të vlerësojnë investimet e bëra veçanërisht në qytetin e Rrëshenit këto vite, por që parësore kanë demokracinë në qeverisje, përfshi dhe rotacionin në zgjedhjet vendore etj. Fitorja e bashkisë së Mirditës nga demokratët shpjegohet me qytetarinë politike të tyre, falë dhe një specifike, që nuk mund të kalojë pa u vënë në dukje. Disa muaj para zgjedhjeve, demokratët mirditorë inicuan nismën për të shkuar në votime bashkë, nën një sigël të vetme, që çoi në disa takime dhe dakordësi me firma të dy grupimeve lokale të PD-së. Nëse ky bashkim zgjedhor do të kishte ndodhur gjithandej, pa medyshje rezultati në shkallë vendi do të ishte ndryshe nga ai që pamë. Kjo frymë përbashkimi politik në këtë bashki, bëri bashkë jo pak të rinj, intelektualë dhe emigrantë, tri kategori sociale që përgjithësisht janë të zhgënjyer nga politika dhe nuk iu qasen dhe aq fushatave elektorale, çka krijon shpresë se pluralizmi nuk është vrarë përfundimisht nga “demat” shumëvjeçarë, të pandërruar e konfliktualë në arenën politike.

Zgjedhësit në “zonat e thella” duan ta bëjnë të jetueshme malësinë e tyre, të braktisur tragjikisht nga njeriu dhe shteti, duke synuar një tjetër përceptim e qeverisje për të. Banorët e atyre anëve i dinë pasuritë e veta natyrore dhe shpresojnë se do t’iu gjendet dalzotësi për t’i menaxhuar ato në rrafshin ekonomik. Mirdita, Puka, Fushë-Arrësi e të tjerë janë ndër bashkitë më të varfëra të vendit, ku vërtet nuk kanë munguar investimet urbane, por nuk është bërë thuajse asgjë për mbështetjen e biznesit prodhues dhe (vetë)punësimin e njerëzve. Turizmi dhe agroturizmi nuk mund ta sjellin begatinë pa vreshtat në lugina, stanet në bjeshkë, qendrat e agrobiznesit dhe punishtet ushqimore, puset e ujit dhe mullinjtë e blojës, fshatrat turistikë, mbarështrimin e pyjeve, e gjer minierat. Do të mjaftonte mbitoka dhe nëntoka polimetalore e Munellës, për t’i bërë të pasur banorët e atij rajoni, që dikur zinte vendin e parë në republikë për prodhimin e bakrit (Mirdita) dhe të lëndës drusore (Puka).

Zgjedhësit besojnë në një projekt të ri zhvillimi të katyre zonave, si shumatore e një vargu projektesh me BE etj., ku pushteti vendor ka rol kryesor.

Luftë për pushtet apo garë elektorale vendore?

Sa i përket mazhorancës, ajo nuk ka arsye të ketë kurrëfarë krenarie për këto zgjedhje, pasi “suksesin” e saj e tregoi pjesëmarrja e ulët në votime, treqind mijë votues më pak. Të ishte për të brohoritur arritjet e saj, ata do të ishin në rresht për te kutitë e votimit. Lufta për pushtet është një reminishencë e së kaluarës bolshevike, sipas motos “gjithë pushtetin sovjetëve”. U arrit deri aty sa të përdorej dhe “Big Brother” për politikë, ku fituesi i këtij reality shou u pa në krah të kandidatit socialist për kryetar bashkie të Shkodrës. Mirëpo politika moderne është garë mes të ngjashmëve politikë dhe nuk përdor asete jo politike me ndikim në publik për të kurorëzuar betejën elektorale. E ke të vështirë ta kuptosh se cili do të jetë suporti i fituesit të programit televiziv të sipërthënë në menaxhinin e punëve të bashkisë së qytetit më të madh verior.

Mazhoranca nuk mund të hiqet e ndershme para publikut, duke bërë heroinën, që po shkrihet për këtë popull, pasi në saje të pushtetit janë blerë vota. Kjo mund t’i ketë vlejtur pragmatizmit politik për të qëndruar në pushtet në bashki të diskutueshme, por nesër ato vota mund t’i bëhen bumerang vetë asaj, pasi “menaxherët” kësodore të votave kërkojnë faturën postelektorale te njerëzit që mbajnë krahaqafë shirirtin e kryebashkiakut; por dhe te ministrat, deputetët, drejtorët e agjensive të ndryshme qeveritare, që ishin pjesë aktive e fushatës vendore, kur nuk duhej të ishin të përfshirë fare.

Kapja e pushtetit, e shtetarëve, e zgjedhjeve, e vendeve të punës falë “meritokracisë” partiake, e tenderave, e tapive, shtëpive të tërmetit, përrenjve për HEC-e etj. është drama shqiptare e kësaj kohe. Pasurohen përmes zhvatjes një dorë përfituesish maniakë dhe ikin shqiptarët e tjerë. Shefi i qeverisë na thotë se kjo është pasojë e globalizmit, se këtë e vuan dhe Gjermania, se njerëzit ikin për mirëqenie atje etj. Nëse është kështu, për kë po e mbushim Shqipërinë me pallate pafund? Për ta bërë vatë çiflik të një kaste zyrtarësh të lartë abuzues me pushtetin dhe oligarkët përreth tyre?…

Makinëria e pushtetit të bën të ndihesh i gjithëpushtetshëm dhe ky ka qenë rreziku i udhëheqësve shqiptarë herët e vonë, që nuk kanë lejuar të pipëtijë tjetërkush në oborrin e tyre “mbretëror”, duke i marrë në dorë frenat e të gjitha pushteteve.

Demokratët, peng i liderit të tyre historik

Përherë më shumë pas zgjedhjeve po i mëshohet ikjes së “liderit historik” të PD-së. Nuk duhet të ishte dhe kjo provë si humbës për të dëshmuar ikjen e tij pa kthim. Demokratët nuk kanë më asnjë iluzion, se me të mund të vijnë në pushtet. Shkurt ata nuk mund të mbeten peng i tij. Burrat e dheut dhe ata të politikës zakonisht ikin me faqe të bardhë, vetë dhe në kohën e duhur. Po kur kjo nuk ndodh vullnetarisht, një ditë ata që kanë hyrë në politikë për ideale, e gjejnë forcën për t’i thënë boll më edhe “atit”, i cili nuk është një lider shpirtëror, pasi politika është konkurim, stafetë, vizion dhe jo religjion. Askush nuk ka hyrë në parti për askënd, ndaj s’mund të jetë i lidhur pas tij pazgjidhshmërisht. Prandaj, zotëri, shko në punën tënde, në fatin tënd. Pa liderin historik në kurriz PD do të kishte një çlirim nga vargonjtë e së shkuarës, një qasje të re politike. Termi revolucion, që shqiptohet herë pas here nga ai, nuk tremb më askënd, veçsa shpërdorohet si fjalë. Në këtë rast e vetmja gjë që mund të thuhet është ta fillosh revolucionin nga vetja, që nënkupton ikjen. Nëse është lider historik, të shkojë në histori dhe të presë verdiktin e saj, i cili nuk është ai i përkrahësve, militantëve, me gjithë respektin ndaj tyre. Duhet të mësojmë dhe nga tradita jopolitike, sado e thjeshtë në dukje. Deri në vitet ’70, kur familja e madhe ende nuk ishte shpërbërë, në mjaft prej tyre vëreje se i zoti i shtëpisë ishte njëri nga djemtë dhe jo domosdo plaku i shtëpisë. Ky i fundit shkonte pas ndonjë lope livadheve, shijonte pleqërinë larg zhurmave, se e kishte kryer misionin, edhe pse mund të mos kishte qenë asnjë ditë bari në jetë, por gjer luftëtar për mbrojtjen e trojeve. Ky është “patriarku” ynë tradicional, që dinte të orientohej kah e mbara e familjes.

Rregulli i pashkruar i demokracisë mund ta dojë t’ia mbash anën në fushatë elektorale opozitës, por pasi gara mbaron, opozitën duhet ta shohim me realizëm. Dhe surpriza paszgjedhore ndodhi. Ajo që nuk ta priste mendja. U kthye Basha, duke folur me veten, para një grupi të rinjsh si dekor. Po ku ishte ai? Askund. Çfarë priste? Mbase Godonë… S’është e tepërt në këtë rast të thërrasim në ndihmë urtësinë e popullit, se ç’thotë ajo për trimat pas luftës e gojëtarët pas kuvendit. Me demokratët nuk mund të luaje as njëri e as tjetri nga ata që hipin e zbresin në majë të piramidës blu, si të jenë duke shaluar kalin e Gjergj Elez Alisë…

Problemi i “liderit historik” ose jo në Shqipëri është i çdo partie të majtë apo të djathtë. Nuk e bën mosha të papranueshëm dikë si lider, por prapësitë e tij politike, uzurpimi i partisë dhe fashitja e forumeve të saj. Tek ne liri politike do të thotë në radhë të parë çlirim nga liderët, që kurrë nuk mësuan as nga batudat fshikulluese të Namik Hotit, më simpatiku i liderve në pluralizëm. Nëse kreu i mazhorancës e ka luksin të krijojë “amfiteatër” me karrike në natyrë, kudo që të shkojë, pasi administrata ia mundëson këtë gjë, liderët e opozitës do të provojnë ta masin veten (popullaritetin) me mitingjet e vjeshtës dhe do të mbetën të zhgënjyer, s’po shkojmë deri aty të themi, si peshku pa ujë. Vetëm ata nuk duan ta kuptojnë se politika e tyre e unit ka perënduar. Sjellja prej shpëtimtarësh i bën ata qesharakë në sytë e publikut dhe natyrisht të ndërkombëtarëve.
*
Anëtarët dhe simpatizantët e PD-së përherë e më shumë po shprehen në favor të një lidershipi të ri, pa Berishën dhe pa Bashën, çka mund të jetë dhe më e dobishmja zgjidhje e tyre për sot e për nesër. Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025 mund të fitohen vetëm nga një opozitë e bashkuar, që do të thotë një Parti Demokratike e unifikuar, që i ka lënë prapa ndasitë, grupimet, përjashtimet etj. Iu përket demokratëve ta gjejnë “formulën” e kësaj gjëje, të cilët kanë barrën e shmangies me votë të një monizmi të ri në Shqipërinë e shekullit XXI.