KLSH: Shkelje në investimet arsimore, kaldajat e shkollave në Dibër nuk përputhen me tenderin

727
Pamje nga qyteti i Peshkopisë të mbuluar nga bora, postuar në rrjetet sociale nga Rahim Spahiu, Kryetar i Bashkisë Dibër.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje serioze në zbatimin e kontratave për rikonstruksionin e shkollave në Dibër, konkretisht në sistemin e ngrohjes.

Raporti gjen se në shkollën 9-vjeçare “Irfan Hajrullai” në Peshkopi, ku pajisjet e sistemit të ngrohjes nuk përputhet me specifikimet teknike të parashikuara në kontratë. Sipas auditimit në terren, kaldaja e instaluar rezulton me fuqi më të ulët se ajo e kërkuar.

Në raportin përfundimtar të auditimit thuhet se: “Nga auditimi në objekt, rezultoi se kaldaja sipas skedës teknike të produktit rezulton të ketë fuqi nominale 180 kW dhe jo 200 kW, siç kërkohet në specifikimet teknike të Projektit të Zbatimit”, duke e konsideruar këtë zë pune si të realizuar jo në përputhje me kushtet e kontratës, në vlerën 1.5 milionë lekë pa TVSH, që sipas KLSH përbën dëm ekonomik.

Auditimi evidenton gjithashtu se nuk është mbajtur procesverbal për testimin e sistemit të ngrohjes, ndërkohë që kaldaja nuk duhet të vihej në shfrytëzim pa kryer kontrollin teknik dhe pa njoftuar Inspektoratin Shtetëror Teknik Industrial, siç parashikohet nga kuadri ligjor në fuqi. Mosrespektimi i këtyre procedurave e bën përdorimin e pajisjes të pasigurt dhe në kundërshtim me standardet teknike.

Në një rast tjetër të audituar, KLSH konstaton se: “Nga auditimi i zbatimit të punimeve të ndërtimit të kontratës për punë publike me nr. 36/22 prot., datë 02.03.2020 me objekt: “Ndërtim i shkollës 9-vjeçare, fshati Kërçisht, Bashkia Dibër”, rezultoi se Kaldaja sipas skedën teknike të produktit, fuqia nominale rezulton të jetë 100 kW dhe jo 140 kW siç kërkohet në specifikimet teknike dhe në projektin e zbatimit me diferencë në shumën 850,600 lekë pa TVSH, vlerë e cila përfaqëson përdorim të fondeve
publike pa Eficence dhe Efektivitet”.

KLSH kërkoi nga Bashkia Dibër që të marrë masa për gjetjen e përgjegjësive dhe zhdëmtimin e diferencës financiare, e cila në të kundërt do të konsiderohet dëm ekonomik që duhet të përballohet nga sipërmarrësi i punimeve.

Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka kërkuar Bashkisë Dibër ngritjen e një grupi pune me specialistë për të analizuar situatën dhe për të garantuar që punimet të realizohen sipas Projektit të Zbatimit dhe specifikimeve teknike, duke theksuar se shkeljet në investimet arsimore prekin drejtpërdrejt sigurinë dhe kushtet e nxënësve dhe stafit arsimor.

Dibra konsiderohet një nga zonat më të ftohta të Shqipërisë, për shkak të pozicionit të saj malor dhe lartësisë mbi nivelin e detit. Dimrat janë të ashpër, me temperatura që shpesh bien nën zero, dhe reshje të dendura bore. Kjo e bën të domosdoshëm përdorimin e sistemeve të ngrohjes efikase dhe pajisjeve të sigurt në ambientet publike.