KLSH: Bashkia Dibër “mbylli sytë” përballë deklarimit të rremë, “SELAMI” Sh.P.K u shpall fituese e tenderit për një investim në Brezhdan

1159
Postim në rrjetet sociale i kryetarit të Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu për investimin në lagjen "Reçe" në fshatin Brezhdan.

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar një shkelje serioze në një procedurë prokurimi të zhvilluar nga Bashkia Dibër gjatë vitit 2024, ku operatori ekonomik i shpallur fitues ka paraqitur deklarim të rremë për qëllime kualifikimi, pa u konstatuar nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO).

Gjetja lidhet me procedurën e prokurimit me objekt “Sistemim asfaltim dhe ndërtim ure në lagjen Reçe, të fshatit Brezhdan”, një investim i parashikuar të realizohej në një zonë rurale të Bashkisë Dibër, që shërbente si lidhje për banorët e lagjes Reçe dhe zonat përreth, ku infrastruktura rrugore dhe kalimi mbi përrua përbënin problem të vazhdueshëm, sidomos gjatë stinës së reshjeve.

Autoritet kontraktor ka qenë Bashkia Dibër, ndërsa fondi limit i procedurës ishte 10,833,334 lekë. Tenderi është shpallur më 1 nëntor 2024, me afat për dorëzimin e dokumenteve më 25 nëntor 2024, ndërkohë që në garë ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, fakt për të cilin procedura është sinjalizuar edhe me flamur të kuq për mungesë konkurrence.

Sipas të dhënave zyrtare të tenderit, kompania “SELAMI” Sh.P.K ka qenë operatori i vetëm konkurrues dhe njëkohësisht fituese e kontratës, me ofertë 10,017,760 lekë pa TVSH, ndërsa kontrata është lidhur më 10 janar 2025, me vlerë përfundimtare 12,021,312 lekë me TVSH dhe kohëzgjatje të parashikuar 2 muaj për përfundimin e punimeve.

Postim në rrjetet sociale i kryetarit të Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu për investimin

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit, megjithëse konstaton ekzistencën e një deklarimi të rremë për qëllime kualifikimi, nuk e detajon në mënyrë specifike llojin e dokumentacionit apo të dhënat konkrete. Në auditim nuk sqarohet nëse deklarimi i rremë lidhej me përvojën e ngjashme, kapacitetet teknike, personelin kyç, pajisjet, apo elementë të tjerë të kërkuar në kriteret e kualifikimit.

Kompania “SELAMI” Sh.P.K. rezulton të jetë një nga operatorët ekonomikë me pjesëmarrjen më të madhe në ndërtimet infrastrukturore në qarkun Dibër, duke u angazhuar ndër vite në një numër të konsiderueshëm veprash publike. Ajo ka qenë e pranishme si kompani kryesore kontraktuese, por edhe si nënkontraktore, në projekte që lidhen me rrugë, sistemime dhe investime të tjera infrastrukturore të financuara nga pushteti vendor dhe fondet publike, duke e bërë një nga subjektet më aktive në këtë sektor në nivel qarku.

Në raportin e auditimit, KLSH thekson se: “… në rastin konkret, nuk është konstatuar fakti se operatori ekonomik i shpallur fitues ka paraqitur deklarim të rremë (që nuk pasqyron realitetin) për qëllime kualifikimi”. Kësisoj duke evidentuar një dështim të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për të verifikuar vërtetësinë e dokumentacionit të paraqitur, në kundërshtim me detyrimet ligjore për garantimin e një procesi transparent dhe konkurrues.

Sipas KLSH-së, pranimi i deklarimeve të rreme cenon drejtpërdrejt parimet e prokurimit publik, pasi ndikon në barazinë e trajtimit të operatorëve ekonomikë dhe në përdorimin efektiv të fondeve publike.

Ky rast shtohet në një sërë gjetjesh të tjera të auditimit për Bashkinë Dibër, ku evidentohen mungesë konkurrence, verifikim formal i dokumentacionit dhe dobësi serioze në funksionimin e komisioneve të vlerësimit.

Sipas Ligjit nr. 162/2020 “Për prokurimin publik”, nëse vërtetohet se një operator ekonomik ka paraqitur të dhëna të rreme, Agjencia e Prokurimit Publik ka detyrimin ta përjashtojë atë nga e drejta për të fituar kontrata publike për një periudhë nga 1 deri në 3 vjet, si dhe të aplikojë masa të tjera ndëshkuese. Në rastet kur kontrata është lidhur, autoriteti kontraktor ka bazë ligjore për zgjidhjen e njëanshme të kontratës për shkak të mashtrimit, ndërsa çështja mund t’i referohet organit të akuzës. Kodi Penal parashikon përgjegjësi penale si për operatorin ekonomik, për veprën e mashtrimit me tenderat, ashtu edhe për zyrtarët publikë, nëse provohet se kanë lejuar apo toleruar shkeljen, përmes shpërdorimit të detyrës, duke dëmtuar interesat e shtetit.