KAS rrëzon kërkesën e PD-ASHM për pavlefshmërinë e zgjedhjeve në Dibër, ndryshon rezultatet për kandidatët

704

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar sot kërkesën e depozituar nga Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD-ASHM), që kërkonte pavlefshmërinë e zgjedhjeve të 11 majit në qarkun e Dibrës dhe përsëritjen e tyre. Ankesa, e regjistruar me nr. 41, kundërshtonte vendimin nr. 1314, datë 22.05.2025 të KQZ-së, për miratimin e tabelës përfundimtare të rezultatit në këtë zonë zgjedhore.

Në seancën e zhvilluar sot, KAS vijoi me rinumërimin dhe vlerësimin e votave për kandidatët e koalicionit PD-ASHM në 42 qendra votimi të qarkut Dibër. Ky proces u zhvillua pas pretendimeve të kandidatit demokrat Xhemal Gjunkshi për manipulim të rezultatit dhe vjedhje të votave brenda listës së partisë së tij.

Pas shqyrtimit të provave dhe dokumentacionit, KAS vendosi me shumicë votash të rrëzojë kërkesën për pavlefshmëri të zgjedhjeve, duke e konsideruar atë të pambështetur në ligj dhe në prova.

Megjithatë, KAS pranoi pjesërisht kërkesën për ndryshimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit për kandidatët e PD-ASHM, duke bërë korrigjime në numrin e votave të tyre:

Alketa Agolli: +10 vota

Basir Çollaku: −8 vota

Xhemal Gjunkshi: +17 vota

Përparim Spahiu: −49 vota

Ismail Uka: +4 vota

Ky ndryshim vjen pas akuzave të Xhemal Gjunkshit, i cili pretendoi se i janë vjedhur vota në disa qendra votimi dhe se procesi zgjedhor në Dibër ishte manipuluar. Ai ka denoncuar gjithashtu përdorimin e aseteve publike dhe përfshirjen e zyrtarëve lokalë në ndikimin e rezultatit. Sipas tij, janë analizuar me ekip teknik qindra orë pamje dhe dokumente, ku janë identifikuar shkelje serioze.

Pavarësisht shtesës prej 17 votash për Gjunkshin dhe uljes së 49 votave për rivalin e tij brenda listës, Përparim Spahiu – konfigurimi i renditjes në listën e hapur të PD-ASHM nuk ndryshon. Spahiu vazhdon të jetë i pari, ndjekur nga Gjunkshi.